E Enjte, 04.25.2024, 12:08am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

SI TA KUPTOJMË TË SOTMEN, SI TA LEXOJMË TË ARDHMEN?!

Nga Dr. PËRPARIM KABO


E Premte, 03.02.2012, 11:48am (GMT+1)

Duke vëzhguar nga afër krizën financiare që shpërtheu në vjeshtën e 2008-ës, që mori përmasa ndërkombëtare të frikshme e që sot manifestohet në trajta shqetësuese të krizës së Euros dhe të disa vendeve të Eurozonës, të gjitha këto nuk mund të mos shtrojnë disa pyetje themelore: A kemi të bëjmë me një dështim të kapitalizmit të shoqërisë post-industriale? A është ky një manifestim i deformimeve që ka sjellë globalizmi në funksionimin e ekonomisë ndërkombëtare? Mos vallë Industritë e Financave, një sektor i fryrë në përmasa të frikshme në kurriz të sektorit të prodhimit, përfaqësojnë fajtorin kryesor që kontribuoi në këtë krizë? Duket se duhet të ndalemi në një reflektim më të thellë!

Askush nuk mund të mohojë, se bota sot ecën dhe zhvillohet përmes një ekonomie e cila funksionon në masën dërmuese si ekonomi kapitaliste. Kjo është e vërtetë edhe për një vend të madh si Kina, e cila e ka përqafuar rrugën kapitaliste të zhvillimit ekonomik dhe është sot ekonomia e dytë në botë, pas SHBA-ve. Ndaj përpjekjet që, me një të rënë të lapsit, duan të provojnë se kapitalizmi ka dështuar, janë sa sempliste, aq edhe të pavërteta. Është tjetër gjë të analizosh sistemin (kapitalist) në kompleksitetin e vet dhe të zbulosh pikat e dobëta të tij në këtë fillim të shekullit të ri, të zbulosh cilat "ingranazhe" janë amortizuar dhe që duhen ndërruar, apo ridizenjuar, të zbulosh se ku dhe përse mekanizmi ekonomik ka ngecur dhe "dhëmbëzat e tij" po grisin thurjen e stofit të shoqërisë. Nuk mjaftojnë fjalët e Zhak Delorit, në justifikimin pse dështoi monedha Euro. Ndoshta është një lehtësim për të, falë rrëfimit me elementë të pendesës. Gjen në ato shprehje më shumë subjektivizëm se sa arsye bindëse, më shumë "larje duarsh" prej Ponc Pilati se sa argumente, se përse bota financiare në tërësi dhe "˜Zona Euro' në veçanti mbërritën në këtë pikë kritike që janë sot.

Na duket jo pa vend të konstatojmë se kriza e Euros dhe e Eurozonës, veç të tjerash erdhi për shkak të ambicies për të bashkuar (unifikuar) ekonomitë kombëtare të disa vendeve, përmes një monedhe të vetme, pavarësisht nivelit të pabarabartë të zhvillimit ekonomik te vendeve të Europës veriore nga ata të Europës jugore, me një nivel të ulët sofistikimi dhe aftësie konkurruese. Trekëndëshi Greqi-Irlandë-Hungari nuk është thjesht një figurë gjeometrike mbi të cilin ekuacionet algjebrike (trigonometrike) do të na jepnin zgjidhjet për të dalë nga labirinti i borxheve që rëndojnë mbi ekonomitë e tyre. Për t'iu afruar zgjidhjeve të duhura, do të ishte e dobishme të mos harrohet historia e këtyre vendeve dhe popujve, e cila me mesazhet që sjell nga thellësitë e shekujve, mund të na ndihmonte të deshifronim puzzle-in e sotëm. Aristoteli thoshte se nëse do duhet që të kuptoni më mirë filozofinë, lexoni Euripidin! E tmerrshme është tragjedia e tij "Medea". Pas përjetimit të saj skenik vështirë spektatori të mos ketë këtë reflektim: "Antikiteti duket sikur njëherë e mirë e voli frytin e tragjizmit dhe e vuri të vinte (fermentohej) si musht universal, që me të të ziente pijen e veçantë të dhimbjes njerëzore dhe kupën. Këtë pije çdonjëri nga ne, në të gjitha kohërat, ta pinte me pika, për të mos u helmuar për vdekje. Të pimë helmin mbrojtës me një dozë të vogël, që të mbijetojmë në tragjeditë që mund të luhen sot a nesër. Nëse civilizimi perëndimor ka si një nga kolonat e tij kulturën e antikitetit helen, nuk do të gabonim nëse ngjarjet e sotme të Greqisë do t'i këqyrnim me syrin që të mëtojmë se çfarë stuhish priten të vijnë!

Në një kuptim mund të thuhet, se e ardhmja e integrimit të kontinentit të vjetër po luhet sot si "një tragjedi sociale" në Athinë dhe do të vendoset, më tepër se nga Eurokratët në Bruksel, nga zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe politike në atë pjesë të Europës, që aktualisht rënkon nën peshën e rëndë të borxheve. Globalskaneri i ditëve tona nuk duhet të rreket me gjurmimin e disa njollave të dhimbjes, por se duhet të zbulojë diagnozën e vërtetë të patologjisë së financave dhe shërimin e saj, e "trupit financiar" të së ardhmes. Me sa duket, formula "thjesht ke borxhe, ato duhen kthyer, ndaj prano dhimbjen sot që risku të mos kthehet në rrezik edhe më i madh nesër!", nuk ofron zgjidhjen e duhur. Kjo është njëlloj si të besonim se "zgjidhet problemi i skllavërisë duke i mbajtur skllevërit në hare!" (Oscar Wilde, nga "Portreti i Dorian Gray-it"). Shohim se po veprohet sipas një aritmetikë të thjeshtë: Po të jap borxh të ri, që të më kthesh borxhin e vjetër!"

Dhe e gjithë kjo duke rritur numrin e të papunëve (shkurtime në administratën publike - rasti i Greqisë), pra duke ulur fuqinë konsumatore, që zhbalancon raportin ofertë-kërkesë, dhe që në një proces zinxhir sjell rënien e kapacitetit prodhues në qendrat metropolitane, si dhe pakësimin e numrit të të punësuarve edhe atje (pse jo dhe në pafuqinë për të rikthyer kreditë e marra tek bankat nga vetë këto kompani!). Përballë kësaj tabloje "Quousque tandem" (Deri kur më? - fjalë të Ciceronit kundër hipokrizisë në Senat), duket sikur gjithçka është vënë në shërbim të bankave dhe jo të njeriut, në përunjësi të oligarkive të hapura dhe të fshehura dhe jo në obligim të interesit publik. Rituali i Kapitalizmit Trasaksional: "Merr borxh që të shlyesh borxhin", duket si një gomë shpëtimi që i jepet një të mbeturi në mes të oqeanit, vetëm e vetëm për t'i thënë se ia dhe mundësinë që të dilte në breg!" Por a është kjo zgjidhja, madje e vetmja? Mos do duhet që të kërkojmë e gjejmë edhe mundësi të tjera për një shpëtim të vërtetë jo pa dhimbje, por se më të sigurt, më të qëndrueshëm, më afatgjatë? Nëse në Irlandë kemi një situatë të rënduar financiare dhe borxhet po bëhen "mullarë me detyrime", nuk duhet që këtë popull invencionist ta trajtojmë cekët nga që po kalon një moment të vështirë!

Kjo "mendjelehtësi" mund të na bëjë, në një të ardhme krejt të afërt, përgjegjës dy herë. Situata financiare dhe borxhet që shlyhen duke marrë të reja, në një realitet irlandezësh, nuk premton mot të mirë për Euron, Eurozonën dhe të nesërmen e Bashkimit Europian. Kur hungarezët në 1956-ën u ndeshën edhe me armë me forcat e Bashkimit Sovjetik, në fakt ata e paralajmëruan botën edhe për "Murin e Berlinit" dhe për "Pranverën e Pragës". Si të thuash, rivërtetuan në një realitet njerëzor, historinë e Luftës së Ftohtë që kishte nisur e që qe njoftuar me "kabllogramin e gjatë" të George Cenan nga Moska. Porse ka diçka që të intrigon në parullën e së djathtës ekstreme në Hungari, ku bëjnë pjesë e janë aktivë edhe mjaft të rinj: "BE=CCCP". Ta injorosh atë si një lajthitje është gjëja më e lehtë. Por ta çkodosh atë si një ikonë, kjo lyp kurajë e mendjekthjelltësi! Autoriteti absolut i kapitalizmit financiar e monetar që krijoi "ideologjinë e tregut" dhe "fondamentalizmin e tregut" e solli shoqërinë moderne në rrethanat ku tregu i lirë, nuk është në mënyrë të mjaftueshme i lirë. Përmes një metafore, do të thoja se shoqëria globale po vuan në "Mesjetën" e autoritetit të institucioneve të parasë. "Autoritarizmi i tregut" dhe "Perandoria Transaksionale" me qendrat kredituese dhe periferitë konsumuese, janë përfshirë si pa e kuptuar në një vorbull, ku kreditimi ka marrë trajtën e "indulgjencave" moderne. Shpirti njerëzor, madje që në ngjizjen e një fëmije, matet me vlerën e "indulgjencës-kredi bankare". Loja e katër monedhave globale si Dollari, Euro, Juani dhe Jeni, ka sjellë dhe stuhitë e fluktacionit. Kostoja e krijuar vetëm nga "rate-exchange" e mbivendosur mbi borxhet e kredive të pakthyera si një ngarkesë ekstra, nxori jashtë funksionit edhe masat prevenuese të shitjes së bondeve me maturim të gjatë 20-vjeçar.

Kjo bëri që në kundërpërgjigje, vende si Kina apo Japonia, të veprojnë me ekonomi të mbyllura, që vetëm shesin dhe nuk blejnë, ose me rivlerësime prej tyre të monedhës kombëtare, si edhe bëri Kina, çka solli turbulenca jo fort të vogla. Vendet që janë në BE por nuk janë në Zonën Euro, kanë pasur pasoja të rënda vetëm nga kreditimi me euro dhe funksionimi i ekonomisë vendore me monedhat kombëtare respektive. Nëse mbajmë në evidencë dhe mbivendosjen e kreditimeve dhe pafuqinë për shlyerjen, atëherë është më e qartë se pse gjendja sot paraqitet kaq e rënduar. Qeverive u duhet të respektojnë detyrimet e kreditimeve dhe në të njëjtën kohë të bindin shoqëritë dhe popujt e tyre për të duruar pasojat dhe kostot e prodhuara nga ky mekanizëm. Ekonomia e tregut të lirë vërtet është bërë globale, por se "Demokracia-Liberale" nuk është e tillë. "Globalimi Imperial i Tregut" nuk pyet fort për mbarëvajtjen e Demokracisë! Largimi mes tyre të lë përshtypjen e një divorci të pashpallur prej kohësh. Siç shkruan Xhorxh Soros në librin e tij "Kriza e Kapitalizmit Global", e citoj: "Që të themi të vërtetën, lidhja e kapitalizmit me demokracinë, në rastin më të mirë është e brishtë. Kapitalizmi dhe demokracia u nënshtrohen parimeve të ndryshme. Pikësynimet janë të ndryshme: në kapitalizëm, objektiv është pasuria, në demokraci është autoriteti politik. Kriteret, me të cilat maten pikësynimet, janë të ndryshme: në kapitalizëm njësia matëse është paraja, në demokraci është interesi publik". Është e kuptueshme se lypset të kërkohen e të gjenden rrugë më të përshtatshme për të kapërcyer këtë dikotomi të prodhuar nga dogmatizmi i kreditimit dhe "autoriteti imperial" i bursave dhe bankave. Lypset të kërkohet dhe të gjendet një ekuilibër mes privates dhe publikes, mes individit dhe qeverisjes, mes tregut dhe shtetit. Pra bëhet fjalë për atë që njihet si roli rregullator që mund të luajë shteti. Me të drejtë është bërë një mendim i pranuar gjerësisht se edhe një ekonomi krejtësisht e lirë ka nevojë për një farë ndërhyrje dhe rregullimi. Kina psh., ofron një rast të zbatimit me sukses të kapitalizmit në ekonomi, larg recetave neoliberale dhe ku financat kontrollohen nga shteti.

bëjmë një ekskursion historik nëpër rrugët dhe zig-zaget e ekonomisë nga Adam Smith - themeluesi i liberalizmit ekonomik, tek Karl Marksi - që në sfondin e Revolucionit Industrial predikoi përparimin e shoqërisë së ndarë në klasa, përmes revolucionit botëror komunist, për të ardhur tek një emër i shquar si John Maynard Keynes, i cili mbronte tezën e "shtetit aktiv", se "paga është një faktor i kërkesës dhe mund të ngrihet në linjë me produktivitetin", se "Banka Qendrore do duhet të sigurojë stabilitet monetar dhe të ndihmojë në mbajtjen e punësimit dhe të një rritjeje ekonomike konstante"; apo figura të tjera të ditëve tona si nobelisti Joseph Stiglitz etj, do të vërejmë se pyetja që qëndron pezull dhe pret përgjigje është:

Do të duhet të veprohet me masa korente për të ringritur të njëjtin sistem dhe të pranojmë pasojat dhe fatin njerëzor edhe nën "gijotinën e një darvinizmi bankar-financiar", apo do të duhet të rimodulojmë sistemin, bazuar edhe në eksperiencat më pozitive? Pakënaqësia e njerëzve anë e mbanë botës duhet lexuar drejt dhe jo vetëm për momentet që kalojmë. "Occupy movement" dhe lëvizje të tjera të ngjashme nuk duhen anashkaluar, aq më keq injoruar, pavarësisht ndonjë eksesi të tyre, kur shihet qartë se thelbi i mesazhit të tyre është kërkesa për më shumë barazi dhe dinjitet njerëzor." Ana me të vërtetë tragjike e jetës së të varfërve është se ata s'kanë ç'të ofrojnë tjetër gjë veç sakrificës së tyre!"(Oscar Wilde). Kur themi se është e pasaktë të pohosh se kapitalizmi ka dështuar, duhet të tregohemi objektivë dhe të pranojmë se kapitalizmi i sotëm i shoqërisë post-industriale pasuron në mënyrë galopante një segment të vogël të popullsisë. Mjafton të përmendim se 20% e popullsisë së botës është në zotërim të 83% të të ardhurave, ndërsa 20% e më të varfërve kanë zotërim vetëm 1% të këtyre të ardhurave. Edhe po të mbrohen bankat, stanjacioni i tyre do të vijë si një konservim i ngrirë, që nuk është i rrezikuar nga falimentimi, por se nuk vlen si një gjenerator zhvillimi. Mund t'ia hedhin edhe këtë herë, porse në një të ardhme të afërt recesioni dhe kriza mund të rishfaqen edhe më tragjikisht. Prandaj duhet të ndërrojë jo thjesht mekanizmi, por të rikonceptohet filozofia e drejtimit ekonomik dhe financiar global. Ekonomistët Mathias Platzeck, Peer Steinbrük, Frank Walter Steinmeier në librin e tyre "Auf der Höhe der Zeit "dëshironin që në mënyrë proaktive të kombinonin dinamizmin e tregut me reforma sociale dhe rigjallërimin e shoqërisë në përputhje me realizimin në mënyrë sistematike të rritjes ekonomike dhe prosperitetit të pranishëm për gjithë shtresat e popullsisë". Është e gjithëpranuar se "ekonomia nuk është një shkencë ekzakte në gjendje që të krijojë predikime precize. Ajo jep për të ardhmen teza dhe orientime pak a shumë empirike". Por se institucione si BB dhe FMN, që propaganduan politikën e liberalizimit, me shkurtimin e taksave, privatizimet, uljen e rolit të shtetit, tregtinë e lirë dhe shkurtimet në subvencione, pati për qëllim të lartësohej tregu dhe të zmbrapsej shteti". Ekonomisti Josef Stiglitz, ka qenë qysh në fillim një kritik "prominent" i "Washington Consensus". Ai e shikonte besimin e verbër në "teorinë e ofertës" në radhë të parë si ideologjike dhe që i mungon mbështetja empirike. Është fakt, se ka shtete që kanë aderuar në "recetat e liberalizmit të tregut" dhe ekonomitë e të cilëve kanë kaluar në stanjacion, ndërsa të tjerë kanë ecur përpara, si nga ana sociale dhe ajo ekonomike, mbi bazën e një koordinimi dhe menaxhimi më të fortë të tregjeve." Paradhënia e parave si mjet për të parablerë të ardhmen falë kreditimit, krijon fillimisht një gjendje optimiste.

Në situatat kur këto para i shndërruan masat e mëdha të njerëzve në konsumatorë, bankat dhe ekonomia u gjallëruan dhe nuk e përmbajtën veten, duke mos llogaritur se para rreth 20 viteve ishin të përfshirë në këtë lojë kreditimi 1.5 miliardë njerëz dhe sot janë gati 4 miliardë. Ky zgjerim i pakontrolluar e prishi ekuilibrin brenda të njëjtit njeri që, nga një anë ishte i kredituar, nga ana tjetër do duhej të ishte konsumator i detyruar. Rikthimi i detyrimeve bankare e zbrazi xhepin prej konsumatori. Punohej thjesht për t'i kthyer detyrimet monetare bankave. Rënia e konsumizmit thau burimet e tjera, prodhimin dhe shërbimet, që janë të lidhura me punësimin. U krijua kështu një rreth vicioz, që në dukje gjoja stimulonte mirëqenien për të gjithë (shoqëria e konsumizmit), por që në fakt stimulimi ishte fallco dhe funksiononte gati si në skemat piramidale. Është kjo arsyeja që çoi në shembjen e bankave të mëdha, në plasjen e flluskave të aktiviteteve ekonomike në Amerikë, Europë e gjetiu. Kjo shpuri në krizën financiare në shkallë botërore, e cila preku ndjeshëm bankat dhe industrinë e financave, miliona qytetarë të thjeshtë që humbën kursimet e tyre, shëndetin ekonomik të qeverive dhe shteteve. Kjo ishte kriza më e rëndë ekonomike financiare, pas depresionit të madh të viteve 1929-1933. Aktualisht Amerika, ekonomia nr. 1 e botës, po jep shenja mjaft pozitive të daljes nga kriza dhe të një rigjallërimi të pritshëm. Le të shpresojmë se edhe Europa, BE dhe Eurozona do të dalin nga tuneli i krizës, duke dëshmuar vullnetin politik të mjaftueshëm nga të gjitha palët, durim, sakrifica dhe kreativitet, si nga ata që duhet të kapërcejnë malin e borxheve, dhe nga ata që e kundrojnë Europën nga maja e suksesit ekonomik. Është koha të lexojmë drejt të sotmen, që të parakuptojmë si duhet të ardhmen!

PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ZË I FUQISHËM PËR TË DREJTAT E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZINga GJEKË GJONAJ (03.02.2012)
PATRIOTËT TALLAVA DHE UDHA E KOMBIT(fragment nga libri "Udha e Kombit (pro dhe kundër)"Nga REXHEP SHAHU (03.02.2012)
NË MAQEDONI SITUATA TRAGJIKE PËRSHKALLËZOHET NË TENSIONE NDËRETNIKE (03.02.2012)
NË GOSTIVAR PROTESTUAN 5 MIJË VETË KUNDËR VRASJES SË DY SHQIPTARËVE (03.02.2012)
NË 20 VJETORIN E REFERENDUMIT KUVENDI I KËSHILLTARËVE SHQIPTARË TË LUGINËS SË PRESHEVËS DEL ME PLATFORMË POLITIKE (03.02.2012)
RONA NISHLIU REGJISTRON KËNGËN "SUUS" NË HOLLIVUD (03.01.2012)
TË ENJTEN PROTESTË NË GOSTIVAR PËR VRASJEN E DY TË RINJVE SHQIPTARË (02.29.2012)
AGIM TIRANA E KA DJEGUR GJERGJ NDRECËN NË HETUESI ME CIGARE NË FYTYRËNga AGRON SHIJAKU (02.29.2012)
MARTIRËT ANTIKOMUNISTË E DESHËN LIRINË, NDËRSA KOMUNISTËT NUK U NDJENË KURRË TË LIRË...Nga PËLLUMB MALAJ (02.29.2012)
GJYQI I HAPURNga VISAR ZHITI (02.29.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]