VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

UKSHIN HOTI ME VETËDIJE U SAKRIFIKUA PËR BREZAT E RINJ


E Shtunë, 03.03.2012, 06:04pm (GMT1)

Prishtinë - Në organizimin e Lëvizjes "Vetëvendosje", në Prishtinë u mbajt tribuna kushtuar veprimtarit Ukshin Hoti, me temën "Mendimi i Ukshin Hotit: vazhdimi i luftës për çlirim në terrenin e teorisë". Me këtë rast, u elaborua filozofia politika e Ukshin Hotit si tribun, intelektual, politikan e shkencëtar, raporton RTK.

Deputeti i "Vetëvendosjes", Glauk Konjufca, paraqiti në tribunë tezat sipas tij, themelore të filozofisë së Ukshin Hotit, duke cituar pjesë nga veprat e tij rreth filozofisë politike.

Konjufca, tha se në filozofinë e Hotit pjesë e pandashme ishte teza që liria nuk është ruajtje e jetës dhe konservimi i saj, por çlirim i kreativitetit të një populli. Konjufca shkoqiti në tezat e saj qasjen filozofike të Ukshin Hotit për bashkimin kombëtar të shqiptarëve.

"Bashkimi kombëtar duhet të jetë hapi i parë drejt Bashkimit Evropian, thotë Ukshin Hoti. Pa shqiptarët e bashkuar nuk mund të ketë Evropë të bashkuar. Bashkimi kombëtar shqiptar i ndihmon Bashkimit Evropian. Kjo tezë e Ukshin Hotit është aktuale edhe tani, sidomos tani kur politika zyrtare shqiptare në Kosovë e në Shqipëri e ka përmbysur këtë tezë", tha Konjufca.

Sipas Konjufcës, kërkesa e Ukshin Hotit për Republikë brenda Jugosllavisë, është kërkesa më radikale se bashkimi kombëtar, sepse sipas tij, ish Jugosllavia si e tillë ka mundur të jetonte si ngrehinë, vetëm në kurriz të shqiptarëve dhe një kërkesë e tillë, cënonte pikërisht qenien e kësaj ngrehine.

Në tribunë foli edhe vëllai i Ukshin Hotit, deputeti Afrim Hoti, i cili tha se Ukshin Hoti me vetëdije është sakrifikuar për brezat e rinj.

"Në bisedat e gjata që kam bërë me bacën Ukë mbi proceset politike dhe historike që atëbotë po zhvilloheshin në hapësirën e këtij nënqielli, konstatimi më i shpeshtë që kam dëgjuar prej tij ishte se po sakrifikohej me vetëdije të plotë për brezat që do të vijnë pas tij", tha Hoti.

Gjatë tribunës u lexuan sinteza të Ukshin Hotit, të cilat, autorët i quajnë idealizëm realist hotian.

Ukshin Hoti ka lindur më 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në Prizren dhe Prishtinë.

Shkencat politike i kreu në Zagreb, kurse 2 vite pasuniversitare i kreu në Beograd në seksionin për marrëdhënie ndërkombëtare politike dhe ekonomike.

Më pas specializoi edhe në universitete amerikane. Hoti u dënua disa herë nga regjimi jugosllav, ndërsa burgosja e tij e fundit ishte në vitin 1994, kur u dënua më 5 vjet.

Më 16 maj të vitit 1999 kishte mbaruar afati i vuajtjes së dënimit dhe sipas dëshmitarëve shqiptarë të burgosur në Dubravë, atë ditë zyrtarë të sigurimit serb e kishin nxjerrë nga burgu. Për fatin e Ukshin Hotit, nuk dihet as sot e kësaj dite që nga viti 1999.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.