VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTJA JAHJAGA VURI KURORA LULESH TE VARRI I NOLIT DHE TE VARRI I KONICËS
E Hënë, 03.05.2012, 08:09am (GMT1)

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të vizitës në SHBA, vuri kurora lulesh te varri i atdhetarit, publicistit dhe shkrimtarit shqiptar, Fan Stilian Noli, në varrezat në Boston.

Presidentja Jahjaga mbajti një fjalë të shkurtër përpara varrit të atdhetarit të njohur shqiptar Fan Noli të cilën po e japim të plotë vazhdim:

Jam e nderuar që jam këtu sot si Presidente e Republikës së Kosovës, të vë një dorë lule mbi varrin e Fan Stilian Nolit, këtij atdhetari, që gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare, duke punuar në ngritjen arsimore, kulturore dhe të përgjithshme të shqiptarëve kudo që janë, duke qenë nismëtar dhe veprimtar i flakët i miqësisë sonë të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Nolin, si ndër themeluesit dhe kryetarët e shoqatës patriotike "Vatra", të botimit të gazetës "Dielli", e kujtojmë edhe për veprën madhore të themelimit të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare.

Ne kujtojmë me pietet, përveç veprimtarisë politike, sidomos veprimtarinë e Nolit në letrat shqipe, poezitë, dramat, skicat dhe studimet që kanë mbetur pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Duke kujtuar këtu edhe veprimtarinë e rëndësishme muzikologjike dhe sidomos artin e përkthimit që veprat e klasikëve të letërsisë botërore Noli i bëri të flasin shqip dhe të jenë në nivelin artistik të origjinalit.

Ju përgëzoj juve - Shqiptarëve të Amerikës, juve që me shpirt dhe me zemër jeni me vendlindjen, për gjithë kontributin tuaj që e jepni këtu (në Amerikë) në djepin e demokracisë për angazhimin tuaj që ne ta kemi përkrahjen dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ne të mësojmë të inspirohemi dhe të brumosemi me idetë e demokracisë e shtet-ndërtimit.

Diaspora Shqiptare në Amerikë e kishte, e ka dhe do ta ketë rolin e veçantë për të ardhmen tonë dhe për rrugën e integrimeve euroatlantike.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vuri një kurorë lulesh edhe tek vendi ku më parë preheshin eshtrat e veprimtarit të shquar Faik Konica, në varrezat në Boston

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.