VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

JASHARAJT BËJNË THIRRJE PËR UNITET DHE DASHURI
E Hënë, 03.05.2012, 02:50pm (GMT1)

Prishtinë - Në Kazermën ushtarake "Adem Jashari, në Prishtinë u shënua fillimi i manifestimit "Epopeja e UÇK-së", tashmë tradicionale, që shënon ngjarjen më lapidare të historisë së Kosovës. Ishin aty zyrtarët më të lartë të vendit dhe të pranisë ndërkombëtare në kryeqytet. Pas homazheve dhe vendosjes së kurorave në lapidarin kushtuar të gjithë të rënëve për çlirimin e vendit nga kryekuvendari Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi dhe të zyrtarëve të tjerë, të pranishmëve iu drejtua gjenerallejtënant Kadri Kastrati. Ngjarjen që po shënohej ai e quajti mitike, e cila "edhe sot na bashkoi si dikur". Ai rikujtoi sloganin se duke nderuar të kaluarën, ndërtojmë të ardhmen, kurse për Forcën e Sigurisë tha se ajo po ndërtohet me standardet e NATO-s dhe se do t'i kryej me sukses detyrat ndaj popullit e atdheut. Ndërkaq Hashim Thaçi, njëri nga prijësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht kryeministër, rikujtoi ngjarjen që me të drejtë u pagëzua Epope, rënien e Adem Jasharit dhe të familjes Jashari në Prekaz, një rrëfim që dëshmon për çmimin e lirisë, një kryevepër në historinë e përbotshme të luftës për liri, një model unikat i sakrificës për popull e atdhe. Ai edhe këso here përsëriti se "çlirimtarë ishin të gjithë qytetarët e Kosovës" dhe të gjithë ata duhet të gëzojnë frytet e lirisë. Po ashtu përmendi se 17 Shkurti, Dita kur u pavarësua Kosova, shënon kurorëzimin e aspiratave liridashëse e europiane të Kosovës dhe shfaqi bindjen se rruga që po ndjek vendi garanton ato.
Pinjolli i familjes Jashari, Bekim Jashari, në emër të familjes dhe atyre që i dedikohet ky manifestim, bëri thirrje që në këto kohë vendimtare për të ardhmen e vendit, të gjithë të jenë të bashkuar, të gjithë të duhen për të forcuar themelet dhe të ardhmen, për të cilën u sakrifikuan gjithë ata njerëz e u derdh gjithë ai gjak.
Në vazhdim parakaluan kuadratet e FSK-së.
U mbajt edhe një program kulturoo-artistik.

Krasniqi në Prekaz bën thirrje për unitet

Prekaz, 5 mars - 10:55 - (E plotësuar) - Manifestimi tradicional "Epopeja e UÇK"-së kanë nisur sot në Prekaz, në nderim të komandantin legjendar, Adem Jashari, të dëshmorëve të kombit dhe të të gjithë të rënëve për liri. Drejtues institucionesh e qytetarë të shumtë, njofton KTV-ja, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Familjes Jashari dhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari si dhe të Familjes Jashari, në Prekaz me rastin e 14 vjetorit të rënies heroike të familjes Jashari. Kryekuvendari Krasniqi, duke e vlerësuar lart sakrificën e familjes Jashari, ka thënë se për çështjet madhore tash më shumë se kurrë duhet uniteti, që sipas tij spektri politik në këtë kohë nuk është unik. "Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe vetë Adem Jashari. Ai ka dashur që të ketë unitet mes populli shqiptar", ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq drejtuesit e AAK-së, pasi kanë bërë homazhe, kanë thënë se të gjithë duhet të përkulen para veprës së Familjes Jashari, nga se, sipas tyre, aty ka nisur e gjithë liria jonë.
Ndërsa Murat Jashari tha se familja Jashari falënderon gjithë popullin shqiptar dhe të gjitha institucionet që në ditë të veçanetë po kujtojnë njerëz të veçantë. "Shpresojmë që edhe ne, si brez ta kryejmë detyrën tonë dhe këtë liri që po e gëzojmë ta shndërrojmë në një shtet funksional", ka theksuar ai.

Sot nis "Epopeja e UÇK-së", uron Jahjaga

Prishtinë, 5 mars - 10:30 - E organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, më 5, 6 dhe 7 mars 2012 mbahet manifestimi gjithëpopullor, "Epopeja e UÇK së" në kujtim të Komandantit legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit dhe të rënieve për liri.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ndodhet për vizitë në SHBA, i është drejtuar me një telegram familjes Jashari.

Në telegram thuhet "Në pamundësi për të marrë pjesë në Manifestimin e Epopesë së UÇK-së për shkak të vizitës jashtë shtetit, me pietet të lartë ju shpreh nderimet dhe respektin për veprën e lavdishme të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Heroit të Popullit, Adem Jashari, sakrificës sublime të familjes Jashari dhe të të gjithë dëshmorëve të UÇK-së që simbolizohet në këtë ditë të madhe".

Më tej, në telegram thuhet se përkushtimi i heronjve dhe atdhedashuria, mbesin udhërrëfim për ne, janë bazament i shtetësisë dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës, i lirisë që gëzojmë sot.
Sipas programit, sot mbahet manifestimi qendror në kazermën "Adem Jashari" të FSK së, ku me nga një fjalë rasti do të paraqesin: Komandanti i FSK së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe përfaqësuesit të Familjes Jashari.

Më pastaj do të vazhdohet me ceremoninë ushtarake të FSK së, që do të përcillet me parakalimin e kuadrateve të FSK së.
Pas parakalimit manifestimi vazhdon me një program kulturo artistik, nga ansamblet dhe këngëtarët e njohur të estradës dhe të ansamblit "Shota".

Ndërsa më 6 mars do të bëhen homazhe te Kompleksi Memorial i Familjes Jashari dhe te Varri i Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari,në Prekaz nga ora; 10:00 12:00.
Ndërsa, në orën 18.00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, do të mbahet Akademia Përkujtimore, kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit.

Pas fjalimeve, Akademia do ketë edhe një program artistik, përcjellë nga Filarmonia e Kosovës.
Më 7 mars, në orën 18.00, në Kompleksin memorial Adem Jashari, në Prekaz do të mbahet "Nata e Zjarreve", do të ndizen Flakadanë të zjarreve, Flakadanët do të ndizen edhe në të gjitha komunat e Kosovës, ku janë zhvilluar betejat e UÇK së,
Ndërsa programi artistik, do të mbahet në sheshin "Adem Jashari" në Qendër të Skenderajt.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.