VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KTHIMI NË ÇAMËRI - KJO ËSHTË ÇËSHTJA ÇAME

Nga HASA LUÇI


E Martë, 03.06.2012, 09:10am (GMT1)

Nëse sot të drejtat e liritë tona të njeriut nuk i mbrojmë ne shqiptarët, ndërkombëtarët nuk na e kanë borxh, veç rivendosjes së padrejtësive për copëtimin tragjik të kombit shqiptar në vite. Liria e pavarësia mbrohen nga dashuria e përkushtimi për pronë e Atdhe. Shtëpia, prona e Atdheu ku kemi qenë e jemi zot në trojet tona etnike, natyrore e historike nga del parësore mbrojtja dhe zgjidhja e të drejtave e lirive të çështjes çame, çështja e pronave private, e cila ka mbetur ende fatkeqësisht në mëshirë të fatit. Kuptohet qartë sesa e rëndë është drama, tragjedia e dhimbja e çështjes çame, që është futur në kalendat greke nga politikat e interesave të palëve vendimmarrëse dhe konkretisht:

Kërkesa për zgjidhjen e të drejtave e lirive të çamëve duhej të niste gjatë këtij tranzicioni shqiptar nga qeverisja shqiptare, e cila ka detyrimin dhe mundësinë e mbrojtjes së shqiptarëve të dëbuar nga trojet e veta, pasi u krijuan kushtet më të përshtatshme për ta bërë. Politika shtetërore duhet t'i bindet vullnetit të popullit sovran, shoqërisë civile, që presin zgjidhjen e domosdoshme të problemeve të tyre, se prandaj i votojnë për të qeverisur me drejtësi. Tashmë ky projekt i shoqërisë civile nuk pret më, prandaj niset një trajtim i ri me kërkesat ligjore për të drejtat e pronat, e secilit çam për të vajtur në trashëgiminë stërgjyshore, duke kërkuar me tapitë të drejtën e pronës private deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. Edhe shteti grek, faktori kryesor përgjegjës i mohimit të pronave të çamëve vazhdon të dredhojë, si gjithmonë për çështjen çame dhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me shqiptarët. Edhe sot gjatë integrimit euroatlantik, fatkeqësia është e trefishtë: Së pari, partitë shqiptare kanë lënë në fatin e vet çështjen çame, duke mos mbrojtur shqiptarët në trojet etnike nën Greqi, duke bërë lëshime parimore e thelbësore. Politika shqiptare e 114 partive, me këtë të fundit, partitë çame të përçara janë pasive e pa program ligjor e juridik. Jo vetëm kaq, por deklarata se çamët do t'i blejnë pronat e tyre është paranojë. Së dyti, Greqia me forcën shtetërore pa të drejtë ligjore e njerëzore ka deklaruar katërcipërisht se nuk paska çështje çame për t'u zgjidhur mes dy vendeve tona. Shtetarët grekë bëjnë sikur harrojnë, se të drejtat e liritë e njeriut për pronën e vet të trashëguar në shekuj, se këto nuk do t'i kërkojnë shqiptarët apo do të na detyrojnë të pranojmë mitet e "Idesë së madhe" helene duke menduar se rrugëtimi i shqiptarëve në BE kalon përmes vetos së Athinës zyrtare. Shteti grek shton arrogancën e vet dhe shpall ende sot hajdutërinë e vjedhjes së pronës ligjore të çamëve. Por, këtë tragjedi çame nuk e harrojnë tapitë në arkivat e ndryshme, e jo vetëm grekomëdha. Së treti, faktori ndërkombëtar po lëviz si breshka për të zgjidhur nyjën gordiane çame, siç bëri në Kosovë, për ta paqtuar Ballkanin nga çibanët e "fuçisë së barutit", që sigurisht nuk është prodhim shqiptar, por i platformave akademike serbo-greke e miqve të tyre. Duke zgjidhur këtë problem madhor të çështjes shqiptare çame, BE, OSBE, OKB, NATO etj, do të merren në qetësi dhe seriozisht për t'i bërë ballë sfidave integruese euroatlantike në Ballkan së pari, për vet koklavitjen e çështjeve ballkanase etnike. Siç kanë në qendër të vëmendjes standardet e kushtet për demokratizimin e Shqipërisë sot, duhet të kenë edhe ato të shtetit grek për çështjen çame, pasi beteja e të drejtave e lirive të çamëve do të zhvillohen në disa fronte në marrëdhëniet dypalëshe e shumëpalëshe për t'i dhënë fund trysnive të vjetra e të reja për çështjen çame, duke e zgjidhur përfundimisht, siç e meritojnë problemet e dorës së parë të kësaj çështje sot, në interes të të gjitha palëve të interesuara.

Çamët e dëbuar me dhunë nga vatrat e tyre, me spastrime etnike shfarosëse, genocide e shkëmbime popullsie tragjike, si në Çamëri dhe në Shqipërinë e Jugut, siç dëshmon historia, por edhe ata që jetojnë në Çamëri e Greqi, janë ende të dhunuar mizorisht nga qeverisjet greke sepse nuk gëzojnë të drejtat e liritë e veta të pronës së trashëguar, të kulturës e arsimit, të drejtat zakonore etj. Në vatrat e veta stërgjyshore etnike e historike. Golgota çame duhet të marrë fund. Çamët e dëbuar në Shqipëri, Turqi dhe nëpër botë duhet të rikthehen në vatrat e tyre, në pronat e tyre, pranë varreve të të parëve të tyre, ku të jetojnë si qytetarë të lirë në vendin e vet, duke nisur atje integrimin në BE me miratimin e garancitë e palëve të interesuara në këtë çështje madhore kombëtare shqiptare sot. Çamët nuk kërkojnë mëshirë, por kërkojnë të jetojnë si bashkëkombësit e tyre dhe fqinjët në trojet e veta, të mos asimilohen, të mos marrin shtetësi të tjera veç gjakut të vet, të mos kungohen e pagëzohen me tjetërsime kombëtare e fetare, të mos u mohohet valëvitja e flamurit kombëtar kuqezi, të mos përgojohen e trajtohen me racizëm të çfarëdoshëm, se rrënjët e tyre kombëtare nuk i këmbejnë as me flori as me nënshtrim ndaj dhunës psikologjike e forcës së armëve nga keqbërësit e kohëve të kaluara apo pelivanllëqet e sotme dhe sigurisht aspak në të ardhmen. Çamët kërkojnë vetëvendosje, vetëqeverisje në vatrat e tyre. Gjatë integrimit europian as shteti shumetnik nuk do të thotë asimilim i popujve të vegjël nga të mëdhenjtë. Populli e kombi shqiptar nuk është aq i vogël para "Idesë së madhe" greke që t'i bëjë lëshime Greqisë, përfshi tjetërsimin e pronave të çamëve. Fqinjësia e mirë arrihet me vlerat njerëzore dhe jo me dredhitë dhelparake çmendarake helene.

Pakica greke në Shqipëri është urë lidhëse miqësie mes dy vendeve dhe Shqipëria e ka trajtuar me drejtësi në çdo kohë, ndërsa shteti grek ka vepruar e vepron ndryshe sidomos që nga viti 1913 deri sot, duke e bërë një kavie për mëtimet e "idesë së madhe" helene për të ashtuquajturin "Vorio-Epir", thënë ndryshe gllabërimin e Shqipërisë së jugut. Çamëria është vend pjellor, tokë e bukur, e gjelbëruar, me pyje e male, me ujë të ëmbël e të kripur, me kullota verore e dimërore, me frutorë të shumtë, ullinj e agrume, me klimë të butë e të shëndetshme, si gjithë jugu shqiptar. Për këto arsye u lakmuan qysh herët nga Greqia, e cila mjaft vise i hëngri si mola pak e pak dhe synon t'i gllabërojë të gjitha. Fatkeqësitë e padrejta ne shqiptarët nuk duhen t'i quajmë të shkuara të harruara, por të luftojmë për të drejtat tona, sot të veprojnë me metoda e mjete paqësore, me parime juridike sipas parimeve të njohura të së drejtës ndërkombëtare të vetëvendosjes dhe integrimeve shumetnike, që duhen përsosur dhe jo shfrytëzuar nga më të fortët për arritje e synime në kurriz të fqinjëve më të dobët nga fuqia ekonomike.

Sot janë thyer mitet e mëtimet e "Idesë së madhe" helene dhe të "Naçertanies" serbomadhe. Grahmat e fundit po i bën Serbia, por Greqia dhe Serbia sillen ende si rebele dhe rrezikojnë fqinjësinë e mirë me shqiptarët me tensionet që rikrijon pambarim. Por, vetot e tyre nuk mund ta ndalojnë as ecjen përpara të trojeve tona etnike,natyrore e historike. Greqia është bërë e njohur për politikën populiste antishqiptare, me qëndrime të skajshme ultranacionaliste, me skandalet për përgojime e racizëm ndaj shqiptarëve, për veprime hipokrite në marrëdhëniet shtetërore, tregtare, private etj. Greqia është bërë shembull i keq në BE dhe ka vënë veten në vështirësi të mëdha me politikën e saj të papërgjegjshme, egoiste dhe antipopullore dhe pashai ndaj fqinjëve. Për këto arsye faktori ndërkombëtar nuk duhet ta mbështesë as politikën greke kundër popullit grek as atë kundër fqinjëve, duhet ta luftojë dhe jo ta justifikojë për interesa gjeopolitike rajonale e më gjerë. Greqia duhet të heq dorë nga synimet klienteliste ndaj shqiptarëve me kuajt e Trojës në biznese etj. Ajo duhet të zbardhi mirë qëndrimet ndaj fqinjëve në interes të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Greqia duhet të përpiqet t'i japë fund politikës kapitaliste në Ballkan dhe BE, OSBE, OKB e NATO duhet ta nxjerrin nga bataku ideopolitik kundër fqinjëve, të veprojë si partner dhe jo të përfitojë padrejtësisht nga fitoret e së kaluarës së keqe dhe diktatit në Ballkan dhe të shpërdorimit të ndikimit e mbështetjes nga fuqitë e mëdha mike. T'i jap fund lojës me krizat ndaj fqinjëve.

Zgjidhja e çështjes çame, pas asaj kosovare, do të nxitë besimin e ndërsjellë me vendet fqinjë dhe do të garantojë edhe zgjidhjen e të drejtave njerëzore të shqiptarëve në Greqi, të përdorimit të flamurit kombëtar, të kulturës e arsimit kombëtar shqiptar, të lëvizjes së lirë. Kombi shqiptar kërkon në vazhdimësi liri e pavarësinë trojet e veta, kërkon rrugë për përparim. Mjaft më me pengesat për të realizuar ndërhyrje të dëmshme të brendshme e të jashtme në çështjet e brendshme të shqiptarëve. Shqiptarët janë më paqësorët në Ballkan se s'kanë bërë kurrë sulme e pushtime ndaj fqinjëve. Gjithmonë shqiptarët kanë mbrojtur territoret etnike, natyrore e historike nga pushtues të huaj. Dhe këtë do ta bëjnë në jetë të jetëve kur është e nevojshme dhe e domosdoshme për të mbijetuar siç mbijetuam deri sot në shekullin XXI.

HASA LUÇI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.