E Enjte, 04.25.2024, 01:18pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

SI E LIDHI KOSOVA TË ARDHMEN E SAJ EVROPIANE ME SERBINË

Nga AGUSTIN PALOKAJ


E Mërkurë, 03.07.2012, 04:01pm (GMT+1)

Në rrethana normale Kosova do të duhej t'i gëzohej suksesit të Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së dhe arritjes historike të saj siç është fitimi i statusit të kandidatit. Ky sukses i Serbisë është historik, sepse ky status arrihet vetëm një herë dhe shënon konfirmimin përfundimtar se ky shtet i ka arritur kriteret politike dhe respekton vlerat themelore si liritë, respektimi i të drejtave themelore dhe demokracia mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. Këto vlera, për shembull, nuk i përmbush ende Shqipëria. Pra, Serbia pa dyshim ka të drejtë t'i gëzohet statusit të kandidatit.Kosova nuk e ka lehtë t'i gëzohet statusit të kandidatit për Serbinë, edhe pse zyrtarë të Kosovës, për t'ua bërë qejfin burokratëve evropianë, pajtohen me ta se është edhe në interes të Kosovës që Serbia të ecë përpara në integrimet evropiane. Nëse Kosova e merr seriozisht pavarësinë e vetvetes, dhe nëse shtetet e BE-së që e kanë njohur Kosovën si shtet mendojnë seriozisht, atëherë qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është me pretendime territoriale. Një vend i cili ka pretendime të hapura territoriale ndaj një shteti tjetër, i cili mban forca policore në pjesë të atij territori, nuk mund të quhet si shtet që meriton statusin e kandidatit për në BE. E aq më pak mund t'i gëzohet shteti ndaj të cilit Serbia ka pretendime territoriale (në këtë rast Republika e Kosovës) marrjes së statusit të kandidatit nga ai shtet. Duhet pasur parasysh disa parime. Në interes të Kosovës është që Kosova të ecë drejt integrimeve evropiane dhe që të zvogëlohet dallimi në kohë dhe procedurë në rrugën evropiane mes Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit. Edhe pse Kosovës iu premtua (pa obligime formale për palën evropiane por vetëm në formën e zotimeve politike) nisja e studimit të fizibilitetit nga java e shkuar, hendeku mes Kosovës dhe Serbisë është rritur edhe më shumë, sepse Serbia e mori statusin e kandidatit. Ajo që është e çuditshme është se Kosova ishte ajo që u desh të bënte kompromise në mënyrë që t'i mundësohej Serbisë marrja e statusit të kandidatit. Serbisë në muajin dhjetor iu mohua statusi i kandidatit. Atëherë Kosova kishte pranuar kompromisin që emri i Kosovës në nismat rajonale të përmendet me fusnotë e cila do të thoshte se "Kjo është pa paragjykuar qëndrimet rreth statusit të Kosovës". Por, me çmimin e humbjes së statusit të kandidatit, Serbia e refuzoi këtë duke insistuar që gjithsesi të përmendej edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dhe BE-ja kur e pa se Serbia është e qëndrueshme në insistimin e saj filloi të bëjë presion ndaj Kosovës. Si pasojë u arrit marrëveshja për fusnotën e famshme dhe për përmendjen e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që i mundësojë Serbisë të marrë statusin e kandidatit dhe në të njëjtën kohë të mos heqë dorë nga qëndrimet e saj rreth Kosovës. Kështu, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, mund të nisë tash fushatën zgjedhore, duke thënë se politika e tij "edhe BE-ja edhe Kosova" është e zbatueshme dhe e mundshme. Menaxhimi i zhgënjimit të kosovarëveBashkimi Evropian, në koordinim me Qeverinë e Kosovës, ka bërë javën e shkuar një menaxhim të mirë të zbutjes së pakënaqësisë dhe zhgënjimit të kosovarëve. Këtu është parë se e kishin mësuar mësimin nga koha e heqjes së vizave për të gjitha vendet e rajonit kur kosovarët kishin mbetur të vetmit (e të tillë janë edhe sot) në rajon të izoluar. Kësaj radhe, duke e ditur se dhënia e statusit të kandidatit Serbisë nuk do të tingëllonte mirë në Kosovë, sidomos jo duke pasur parasysh se Serbia nuk ka bërë asnjë hap konkret për të ndryshuar qasjen ndaj Kosovës, BE-ja ka përgatitur një fushatë të bindjes së opinionit kosovar se "po u hapet rruga drejt BE-së edhe atyre" dhe se "nga dialogu përfiton jo vetëm Serbia, por edhe Kosova". Në këto rrethana popullit të Kosovës nga Brukseli i dërgohet porosia se statusi i kandidatit për Serbinë është edhe meritë e Kosovës dhe Kosova po ashtu do të shpërblehet për këtë kontribut. Për këtë përmendet një "paketë shpërblimesh" që në fakt janë hapa të cilët BE-ja është dashur t'i kishte ndërmarrë qëmoti, por ka pritur që ato të kushtëzohen me dialogun dhe sjelljen e Kosovës në dialog. Askush nuk ka të drejtë të mohoj se studimi i fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, anëtarësimi në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pjesëmarrja e Kosovës në programet komunitare, dialogu për liberalizimin e vizave, nuk janë të mira për Kosovën. Por ato janë ende në formëm e premtimeve, me kushtëzime dhe pa marrjen e obligimeve nga ana e BE-së se kur do të mund të realizohen. Këtu duket paksa edhe e pamoralshme të përdoret mungesa e njohurive të kosovarëve për gjuhen burokratike të BE-së si mjet për të manipuluar me ta. Deri tash populli i Kosovës ishte i bombarduar me "fusnotën", ndërsa tash e tutje do të jetë i preokupuar me "Studim fizibiliteti", i cili u shitet këto ditë si ndonjë arritje epokale dhe historike. Megjithëkëtë Kosova duhet të bëjë çmos tash që të hyjë në BERZH, të përmbushë obligimet për heqjen e vizave, të sigurojë që "Studimi i fizibilitetit" të jetë pozitiv, të arrihet Marrëveshja tregtare dhe të marrë pjesë në programet e BE-së. Për këtë duhet të angazhohen të gjithë, sepse integrimi në BE ka shumë etapa dhe në asnjë rast fati i asnjë shteti në këtë rrugë nuk është lidhur me një parti politike apo një person. Kjo do të duhej të ndodhte si rezultat i përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës, i luftës kundër korrupsionit, sigurimit të zgjedhjeve të lira si provim të cilin shqiptarët janë të vetmit në Evropë që nuk e kanë kaluar ende dhe arritjes së standardeve evropiane. Por për fatin e keq Kosovës po i thuhet se krejt këto po i siguron me kompromise me Serbinë dhe BE-ja mbyll sytë ndaj dukurive negative në Kosovë.



Studimi i fizibilitetit, mundësi për kushtëzime të reja Kosovës

Kosova definitivisht ka hyrë në zinxhirë kushtëzimesh ku secili hap i afrimit edhe më të vogël me BE-në do të varet nga kompromiset me Serbinë. "Bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë" janë edhe ashtu pjesë e kushtëzimeve për të gjitha vendet e rajonit, por në rastin e Kosovës BE-ja kushtëzon dhe nuk merr asnjë obligim formal. Kështu Serbia mori statusin e kandidatit, ndërsa Kosovës vetëm iu dha një premtim politik se do të bëhen disa studime dhe disa dialogë të rinj, pa paragjykuar rezultatet e tyre. Nëse Kosova është e kënaqur me një trajtim të tillë, BE-ja do të jetë më se e kënaqur, po ashtu.

Një kthim i shkurtër nga e kaluara njëvjeçare dëshmon se dialogu ka nisur me kërkesën e Serbisë, me qëllim që asaj t'i ndihmohet marrja e statusit të kandidatit. Secili rezultat në dialog ka shënuar edhe një hap formal përpara për Serbinë. Pranimi i nisjes së dialogut vjeshtën e vitit 2010 ka siguruar vendimin e Këshillit për të nisur puna në përpilimin e opinionit të Komisionit për Serbinë. "Opinioni" për statusin e kandidatit është ajo që për Marrëveshjen e Stabilizim Asocijimit do të jetë "Studimi i fizibilitetit". Pas marrëveshjeve të para për lirinë e lëvizjes e në vjeshtë 2011 për IBM Serbisë i është siguruar "opinioni pozitiv" dhe rekomandimi për dhënien e statusit të kandidatit nga ana e Komisionit Evropian. Pas Marrëveshjes për bashkëpunimit rajonal Serbisë i është siguruar hiq më pak se statusi i kandidatit.

Kosova në të tri këto etapa ka siguruar nga një vizitë të kryeministrit Hashim Thaçi në Bruksel dhe premtimet për hapat e parë në dialog të vizave dhe tash premtimet për studimin e fizibilitetit. Thaçi në mandatin e dytë si kryeministër ka qenë tri herë në Bruksel dhe të tri këto vizita kanë ardhur vetëm pak ditë pas tri marrëveshjeve në dialog. Në të tri këto vizita ai është lëvduar për kontributin e tij në arritjen e marrëveshjeve me Serbinë. Mjafton të shikohen datat e arritjes së marrëveshjeve në dialog dhe datat e vizitave të Thaçit në Bruksel. Pra, me dialog Kosovës i janë kushtëzuar jo vetëm hapat drejt BE-së, por edhe vizitat e kryeministrit në Bruksel.

Një shikim nga e ardhmja tregon se me dialog do të ketë kushtëzime të reja dhe atë kur Serbia të ketë nevojë. Tash nuk do të ketë runde të tjera në dialog, sepse Serbisë nuk i duhet. Serbia i ka zgjedhjet dhe BE-ja do t'i lërë rehat në këtë kohë. Por kur të vijë vera, afrohet vjeshta, Serbisë do t'i duhen disa hapa të rinj në integrimet evropiane. Prandaj, dialogu do të nisë pikërisht në kohën kur duhet siguruar që në Raportin e ardhshëm të progresit Komisioni Evropian të propozojë nisjen e negociatave. Pra, në vend që të kërkohet tash marrëveshje për telekomin, energjinë dhe disa të tjera, një gjë e tillë Serbisë i përgatitet ta bëjë në verë dhe vjeshtë, duke e ditur se çfarë do të sigurojë.

E Kosovës po ashtu do t'i kushtëzohet edhe Raporti i progresit, por edhe kualiteti i "studimit të fizibilitetit" me kompromise të reja për Serbinë. Mund të paramendoni se në vjeshtë, kur do të ketë kompromise të reja ndaj Serbisë dhe kur do të propozohet nisja e negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Serbisë, ata që sot trumbetojnë për "arritje historike për Kosovën" sepse po fillon studimi i fizibilitetit, do t'i thonë popullit të Kosovës se "si rezultat i marrëveshjeve me Serbinë ju po fitoni po ashtu, po fitoni "publikimin e studimit të fizibilitetit".



Kosova të ndërtojë një konsensus të brendshëm për raportet me BE-në sa nuk është bërë tepër vonë

Do të ishte mirë sikur në këta gjashtë muaj sa nuk do të ketë më dialog Kosova të tentojë të arrijë një konsensus të brendshëm për përpilimin e një strategjie të saj për raportet me BE-në dhe raportet me Serbinë. Dhe që këto të ndahen në shumicën e fushave dhe të lidhen vetëm aty ky është e domosdoshme. Pse kërkohen kompromise nga ana e Kosovës në temat si "bashkëpunim rajonal", kur Kosova nuk ka probleme në qëndrimet e saj. Nuk është Kosova ajo që refuzon të marrë pjesë për shkak të pranisë së Serbisë. Nuk është Kosova ajo e cila ka pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Nuk është Kosova ajo që refuzon ta njohë Serbinë si shtet. E pse atëherë Kosova duhet të jetë ajo që duhet bërë kompromise në kundërshtim me Kushtetutën e saj. Kosova ka bërë kompromise në Rambouillet, ka bërë kompromise edhe gjatë negociatave për statusin e saj, po bën kompromise edhe duke zbatuar Pakon e Ahtisaarit. Por për të gjitha këto ka pasur një konsensus të brendshëm dhe e ka ditur se çfarë përfiton. Për dialog me Serbinë as nuk ka konsensus të brendshëm e as që e di se çfarë konkretisht fiton. Prandaj, edhe kryeministri Thaçi për të siguruar pozitën brenda Kosovës sot varet vetëm nga mbështetja e jashtme e cila, qoftë edhe kur vjen nga miqtë e Kosovës, nuk është gjithmonë e mjaftueshme dhe e dobishme. Nëse skena politike e Kosovës do të bashkohej, nëse do të ketë një konsensus gjithëkosovarë që do të përfshinte edhe Qeverinë edhe opozitën, edhe bashkësinë ndërkombëtare, e dhe Serbisë do t'i bëhej më e vështirë për të nxjerrë kompromise të reja nga Kosova, të cilat, në një afat të mesëm apo të gjatë, nuk i sjellin ndonjë dobi Kosovës.

Dhe në fund, një gjë duhet thënë sa për të qenë të sinqertë. Edhe Serbia e ka të kushtëzuar rrugën e saj drejt BE-së me Kosovën, ndonëse në etapa krejt të ndryshme nga Kosova. Ajo nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së pa e njohur Kosovën. Por kjo është një perspektivë shumë e largët, 10 deri 15 vjet nga tash. E Kosova nuk ka kohë aq shumë të humbë dhe të hyjë në një limbo dhe status quo shumëvjeçare në raportet me BE-në. Madje pas 10 deri 15 vjetësh, nëse Serbia hyn në BE dhe Kosova mbetet jashtë, do të jetë vështirë për Kosovën. Serbia, edhe nëse deri atëherë e njeh Kosovën, kur të bëhet anëtare e BE-së do të ketë të drejtë vetoje. Nëse Serbia do të ketë probleme të pazgjidhura me Kosovën anëtarësinë në BE do ta shfrytëzoj për këtë. Ata që nuk kanë dijeni për mundësitë e tilla ta pyesin shefin e sotëm të Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, se si në praktikë ai që është në BE mund ta bllokojë, me apo pa arsye, fqinjin në secilin hap gjatë procesit të zgjerimit (rasti i Sllovenisë e cila bllokoj Kroacinë për një periudhë të gjatë). Edhe kjo është një prej arsyeve pse Kosova nuk mund t'i gëzohet shumë suksesit historikë të Serbisë e cila mori statusin e kandidatit për BE.

AGUSTIN PALOKAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
INTEGRIMI DHE IDENTITETI KULTUROR I NXËNËSVE SHQIPTARË ME MËSUESEN AORORA BUJUPI REXHAJNga LUAN (ASLLAN) DIBRANI (03.07.2012)
GABRIEL GARCIA MARQUEZ MBUSH 85 VJET, NJËQIND VJET VETMI DEL NË INTERNET (03.06.2012)
ALBIN KURTI BËRI HOMAZHE NË PREKAZ DHE VIZITOI JASHARAJT (03.06.2012)
DHJETË NGJARJE QË KANË SHËNUAR 6 MARSIN NË VITE... (03.06.2012)
THAÇI BËRI HOMAZHE PRANË SHTATORES SË ZAHIR PAJAZITIT (03.06.2012)
KTHIMI NË ÇAMËRI - KJO ËSHTË ÇËSHTJA ÇAMENga HASA LUÇI (03.06.2012)
NË AKSIN PRISHTINË-AEROPORT NË FSHATIN VRAGOLI NËNKALIMI TE URA SHUMËMILIONËSHE NGA VËRSHIMET U SHNDËRRUA NË LIQEN!Fotoreportazh e koment nga LUAN (A) DIBRANI (03.06.2012)
JASHARAJT BËJNË THIRRJE PËR UNITET DHE DASHURI (03.05.2012)
QEVERIA E KOSOVËS NIS EPOPENË E UÇK-së (03.05.2012)
PRESIDENTJA JAHJAGA VURI KURORA LULESH TE VARRI I NOLIT DHE TE VARRI I KONICËS (03.05.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]