VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Krerët e Kosovës e cilësojnë destruktiv qëndrimin e Tadiçit

E Enjte, 07.02.2009, 08:33pm (GMT1)



Krerët kosovarë kanë reaguar ndaj vlerësimeve të kabinetit të presidentit serb, Boris Tadiç, sipas të cilit nuk ka kushte që serbët të dalin në zgjedhjet lokale që do të mbahen në gjysmën e muajit nëntor në Kosovë.
Presidenti Fatmir Sejdiu e ka cilësuar qëndrimin e homologut të tij serb vazhdimësi të polikës destruktive të Serbisë ndaj Kosovës.

"Mendoj se është një provë plus për të dëshmuar qasjen joracionale dhe të padrejtë që ka (Tadiç) edhe ndaj serbëve të Kosovës, sepse në këtë mënyrë ai bën përpjekje t'i mbajë peng lëvizjet e tyre dhe kthimin tek realiteti".

Në të njejtën linjë ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Hashim Thaçi. Ai ka përsëritur ftesën e tij drejtuar qytetarëve serbë që të dalin në zgjedhje dhe të kontribuojnë për të ardhmën e tyre në Kosovë.

"Mesazhi i presidentit Tadic është një mesazh i keq që përkon me mentalitetin e politikës së kaluar të Beogradit. Ne i kemi ftuar serbët që të jenë pjesë e institucioneve dhe janë pjesë e institucioneve, po integrohen në shoqërinë e re demokratike kosovare", u shpreh kreu i qeverisë.

Sipas kryeministrit kosovar, vetëm rikthimi i policëve serbë në institucionet e Kosovës tregon se Kosova po ndërton shtet demokratik, shtet modern, shoqëri multietnike, me perspektivë të sigurtë për t'u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian.

Për shefin e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, Ardian Gjini, deklarata e presidentit Tadic është hapje e një piste për negociim të kushteve për daljen e serbëve në zgjedhje.
Kjo sipas tij është një politikë e gabuar e Beogradit, që shkon në dëm të vet serbëve.
Serbët e Kosovës ndërkaq mbeten të ndarë të dysh sa i përket pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje.

Ndërkaq Zyra Civile Ndërkombëtare, nuk ka pranuar të komentojë qëndrimin e presidentit të Serbisë.
Por zëdhënësi i ICO-s, Andy McGuffie tha për BBC-së se ata dhe qeveria po vazhdojnë përgatitjet për themelimin e komunave të reja që do të udhëhiqen nga serbët.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.