VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Forbes: Shqipëria ka ecur shumë përpara
Nga John ZOGBY

E Hënë, 07.20.2009, 07:56am (GMT1)

 



Dy javë më parë unë përdora të dhënat e sondazheve, që 'Zogby International' ka bërë atje gjatë një dekade për t'i dhënë një kontekst se çpo ndodh aktualisht atje. Kjo më bëri të mendoj rreth sondazheve që ne kemi bërë në vende të tjera ku demokracia dhe zgjedhjet janë relativisht të reja dhe votuesi mund të ketë frikë nga përndjekja nga autoritetet anti-demokratike që janë ende në pushtet. Ajo që ne kemi gjetur është se, vullneti i elektoratit për të dhënë përgjigje të sinqerta ndaj anketuesve është një tregues i madh i pranimit nga ana e njerëzve të kërkesës për demokraci, të cilën unë jam i kënaqur ta raportoj si një forcë e pashtypshme në të gjithë botën. Ne kemi zhvilluar sondazhe politike dhe elektorale në shumë vende, qoftë për publikun qoftë për klientët tanë. Përveç Iranit, ne kemi bërë sondazhe edhe në Kuvajt, Malajzi, Republikën Domenikane, Panama, Egjipt, Argjentinë, Kore e Jugut, Palestinë dhe Liban. Përpjekja jonë më e fundit ishte në Shqipëri, ku zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 28 qershor për 140 vende në Parlamentin kombëtar.

 

Para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kontrollohej fillimisht nga Italia e Musolinit dhe më pas nga Gjrmania e drejtuar nga Hitleri. Pas luftës, Shqipëria ishte aleate me Bashkimin Sovjetik dhe më pas me Kinën. Për katër dekada, Enver Hoxha shtypi vendin me dorë të hekurt. Dy partitë kryesore që kandidonin për të fituar shumicën ishin Partia Demokratike e kryesuar nga kryeministri Sali Berisha dhe Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama. Gjatë zgjedhjeve, të dy partitë u zotuan të afrojnë Shqipërinë me BE dhe të përmirësojnë perspektivën ekonomike. Prodhimi i Përgjithshëm Bruto i Shqipërisë për frymë është rreth 3 500 USD. Ne bëmë sondazhe para zgjedhjeve dhe pas votimit nëpërmjet exit-polleve. Ne kemi patur një sukses të madh në sondazhet brenda dhe jashtë SHBA-së dhe kishim sukses edhe në Shqipëri. Sondazhi ynë paraprak rezultoi se, Partia Demokratike ishte 2 pikë më lart se sa partia kryesore e opozitës, Partia Socialiste. Në sondazhin tonë, demokratët fitonin 69 vende nga 140 gjithsej, me 12 vende të tjera të pavendosura. Rezultati në Shqipëri ishte i afërt, me një fitore 1% të PD-së, e cila fitoi 70 vende në Parlament. Gjatë sondazhit ne gjetëm një qëndrim në rritje se vendi po shkonte në drejtimin e duhur, dhe mbështetja për partinë në qeverisje ishte solide mes atyre që e shprehën këtë qëndrim. Përveç kësaj qytetarët nën 30 vjeç nuk e pëlqenin Partinë Socialiste, pavarësisht se mund të pretendohej se kryetari më i ri i PS-së mund të shkonte më shumë me këtë grupmoshë. Pavarësisht të shkuarës nën diktaturë, zgjedhësit në Shqipëri shprehën vullnetin për të diskutuar ballë për ballë me sinqeritet për votën e tyre me përfaqësuesit e një kompanie që po zhvillonte një sondazh të pavarur. Shqipëria ka ecur shumë përpara. Shprehja e mendimeve duket e liberalizuar dhe është një shenjë e demokracisë, e cila po konsolidohet në Shqipëri.

 

Ajo që ne gjetëm nga sondazhet për zgjedhjet presidenciale në Meksikë ishte demokracia dhe liria premtuese e shprehjes që më ndihmoi të kuptoj se, trazirat ishin të mundshme. Dy muaj para zgjedhjeve, sondazhet tona për Reuters shokuan të gjithë duke e vendosur Vincente Fox pak pikë para kandidatit të PRI-së. PRI ka dominuar politikën meksikane që nga viti 1929 dhe ndonjëherë akuzohej për mashtrime për të qëndruar në pushtet. Një javë para zgjedhjeve, sondazhi ynë dëshmoi pikën e vlimit.

 

Kyçe do të ishin votat e fermerëve që do të vendosnin nëse ata do të qëndronin me PRI. Një numër i lartë i të varfërve ishin të pavendosur. Gjithashtu ishte i ulët numri i fermerëve që shpreheshin se, Meksika ishte në rrugën e duhur dhe se PRI meritonte të mbante Presidencën. Kjo më mundësoi që të konkludoj se, në rast se do të mbaheshin zgjedhje të lira dhe të ndershme, fermerët do të votonin për Fox në një masë që ai të fitonte. Siç dukej ishte një votë e ndershme: Fox fitoi me 7% më shumë.

 

Kudo që shkojmë për të zhvilluar sondazhe në vende me demokraci të re apo në zhvillim, unë e shoh si një mundësi të madhe për të mësuar. Ajo për të cilën të gjithë amerikanët bien dakord është, se demokracia është antidoda më e mirë e luftës dhe trazirave ndërkombëtare. Anketuesit kanë kënaqësinë të shohin nga një karrige në radhën e parë se demokracia po triumfon. Kjo është një arsye më tepër, përse unë e dua këtë biznes.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.