VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

"Kosova sot": DELL - TË GJITHA PARTITË JANË TË PËRFSHIRA NË KORRUPSION NË SHKALLË TË NDRYSHME
E Premte, 04.06.2012, 12:18pm (GMT1)

06.04.2012

"Korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare", tha ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, dhe ka shtuar se "partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci, janë pasqyrim i vet shoqërisë. Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme".

Këto komente ai i bëri në intervistën për të përditshmen prishtinase, Kosova Sot.

"Mendoj se ky është problem me tërë shoqërinë; ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit", theksoi Dell.

Sipas tij, "fakti se ligji është në Kuvend dhe partitë nuk po ndërmarrin veprim sugjeron që ajo që kam thënë është shumë e saktë. Të gjitha partitë janë pjesë e problemit", tha Dell.

Ai ka theksuar se gjëja më e rëndësishme, që duhet të ndryshojë në Kosovë, është pritjet e shoqërisë në lidhje me korrupsionin.

"Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për t'u marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksionojë kjo gjë në demokraci", tha Kristofer Dell për të përditshmen Kosova Sot. (rel)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.