VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

36 SHKRONJAT E ALFABETIT SHQIP I MBOLLI SI TRËNDAFILA NË LIBRIN E MËSUESISË

Nga KEZE KOZETA ZYLO


E Shtunë, 04.07.2012, 08:33am (GMT1)

 

Në se ka thënie të shkencëtarit të madh botëror Ajshtajnit që i përshtatet më së shumti një figure poliedrike, një burri aq të ndërgjegjshëm dhe patriot, me siguri është thënia: "Vetëm nëpërmjet shembullit tënd mund t'i mësosh të tjerët" dhe pikërisht kjo thënie do t'i shkonte për shtat mësuesit të merituar nga Qeparoi Janko Palit.

Ashtu si kënga perlë "Vajza e valëve" e cila i përket asaj treve me natyrë të magjishme dhe që do të këndohet brez pas brezi, ashtu dhe mësimdhënia e tij do të jetë një udhëtare e përhershme e cila do të ndalojë të mos krijohet kurrë në fushën pedagogjike, një gjendje përhumbjeje.

Në shkrimet e shumta dhe krijimet e tij aq me vlerë, ndjejmë fluiditetin e të shprehurit në ligjërime që u afrohen vetëm majave.

E majat jo kushdo mund t'i prekë, në to ngjitet vetëm kjo lloj race...

Duke i lexuar shkrimet e mësuesit të merituar Janko Palit, veçanërisht ato që kanë degëzime kuptimesh tepër të heshtura, më duket sikur ndjej mesazhin e madh të ringjalljes, të atyre njerëzve që rrallë i vinë Kombit tonë.

Vargjet e tij pikojnë dritë dhe ndriçojnë botën paksa të mardhur dhe disi të errët. Dashuria për Atdheun dhe nxënësit është e shenjtë. Fletoret e nxënësve që mësuesi erudit i korrigjoi gjithë jetën mbeten të arta në labirinthet e zemrës së tij gati-gati si lëndinat pranverore me luleshqerra të bardha.

Portreti i tij ngrihet madhërishëm mbi shtëllungat e reve të vendlindjes, të cilat shpesh duken sikur lotojnë për një mësues patriot të tillë.

Nga toka e nëndheshme vijnë si mërmërrima të zjarrta fjalët e mençura të tij dhe krenaria për të parët, për gjyshin, për vendin.

Ja si shprehet autori për trimërinë e të parëve: "Shteg kalimi u bë vendi/ Luftëtarësh të harbuar/ ...Sikur guri të përmendi/ Ç'farë gjyshi yn'ka vuar!/ Eshtë rrahë nga rrebeshe/ Moti i keq, stuhi, vërshime/ Që patnë rrënduar peshë/ Përmbi racën tonë trime"!

Pushtimet që pa vendi ynë ai i jep nëpërmjet një enumeracioni me fakte: "Turma grekësh e romane/ Qysh në lashtëri sulmuan/ Gote, sllave e normane/ Gjat kohës i pasuan".

Shkolla dhe gjuha shqipe kanë qenë të pandara në mendjen dhe shpirtin e tij. Ato janë të shkruajtura dhe në zemrat e nxënësve që vinë e shkojnë si dallandyshe Joni në gjithë hapësirën qiellore.

Ato mbjellin farë dije, kudo që shkojnë, ngase janë ushqyer nga foleza ku këndonte Bilbili i Qeparoit.

Veprat e tij kanë fjalë amaneti që si diell hapin qiellin e kaltër dhe nuk lënë qyqe ndjellakeqe të zënë hisen e diellit....

Me thinjat e bardha mbi krye ngrihet si mal i borëruar, e puna e tij bëhet dritë e tingull kënge.

Çdo shkronjë shqipe ai i mbolli si trëndafila me të kuqe zjarri në librin e Mësuesisë.

Në cdo cep toke të Qeparoit gjurmët e tij zgjojnë burimet e fjetura dhe në supet e udhëtarëve ulen zogj ëndrrash malli për të.

Vashat si sorkadhe me kurorë ulliri na dehin me mushtin e detit blu të Jonit, dhe ne përmes Janko Palit, kryezotit të shtëpisë i cili ka shtruar odën si për miq dëgjojmë nga goja e tij të dalin 36 shkronja duke e mbushur dhomën si me xixëllonja.

Nga balli i lodhur dhe fisnik shfaqen mendimet si morse të lashta dhe me to hap kuvendin e Mësuesisë. Duke shkruajtur për këtë mësues erudit, zemra ime blerohet e tëra nga kjo odë e mençurisë qeparotase, shtruar rreth e rreth me shilte të ngrohta.

Mësuesi Janko Pali është një zë shekulli, ngase dritë e tij dhe e përparimit siç thote Naim Frasheri përpara do na shpjerë.

Atdhetari i zjarrtë Janko Pali është një zë më shumë në 100 vjetorin e Pavarësisë, sepse la gjurmë të arta në arsim duke edukuar nxënësit me fjalën shqipe larg barbarizmave dhe asimilimit të saj. Ai eci në gjurmët e të parëve, në gjurmët e plakut të mençur Ismail Vlorës i cili në shpalljen e Pavarësise tha:

"...Shqipëria që sot do të bëhet më vehte, e lirë, e mosvarme"...

...Dhe amanetet e tyre nuk do të treten kurrë...

Prill, 2011,

Staten Island, New York

KEZE KOZETA ZYLO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.