VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Haziri: Unifikimi na bën më konkurues
E Mërkurë, 07.29.2009, 04:18pm (GMT1)

 

 

 

"Ideja e Ramosajt është mirëpritur nga LDK-ja. Ne kemi qenë të hapur, vazhdojmë të jemi kërkues dhe të besojmë në çdolloj unifikimi në këtë bosht", thotë Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë.

 

RADIO EVROPA E LIRË: Zoti Haziri, një nga temat më të përfolura të këtyre ditëve është kushtëzimi për decentralizim. Kushte po vihen edhe nga Prishtina, edhe nga serbët. Ju, që keni qenë në krye të këtij procesi, si e shihni zgjidhjen?

LUTFI HAZIRI: Procesi i decentralizimit është edhe i dizajnuar, edhe i negociuar, e tash përfundimisht edhe obligim kushtetues. Është gjithëpërfshirës, është për gjithë popullatën e Kosovës. Vetëm në dy nene brenda aneksit që ka qenë i negociuar, parashihen të drejta specifike për komunitetin etnik serb.

Natyrisht që procesi si i tillë, teknikisht ka qenë i përgatitur me kohë. Implementimi i tij vazhdimisht po kushtëzohet prej Beogradit, si qendër politike e vendimeve për serbët e Kosovës, fatkeqësisht. Por, ky proces është interes i të gjithëve, përfitojnë të gjithë, në veçanti komunitetet etnike.

Mendoj që nga pala jonë nuk ia vlen të ngulfatet në asnjë tendencë, sepse procesi është i vendosur në dy parime që janë vlera evropiane. Parimet kryesore shtrirja deri në nivele që është funksional dhe parimi i dytë është karta evropiane për qeverisje lokale.

Natyrisht që përderisa nuk provohet procesi si i tillë, ndoshta mund të ketë hezitime, por absolutisht, në asnjë formë, nuk mendoj që mund të lidhet apo mund të kushtëzohet nga asnjëra palë.

RADIO EVROPA E LIRË: Ndkohë, para mbajtjes së zgjedhjeve lokale është kërkuar një transparencë më e madhe e partive opozitare. A mund t'i organizojë Kosova vetë këto zgjedhje dhe sa është i nevojshëm vëzhgimi ndërkombëtar?
LUTFI HAZIRI: Kosova ka një përvojë në organizimin e zgjedhjeve, ka mekanizma të konsoliduar do të thosha.

Natyrisht, problem kryesor kanë qenë limitet buxhetore, në të kaluarën e afërme, sepse një mbështetje e madhe financiare ka ardhur nga OSBE-ja, si institucion ndërkombëtar i vendosur në kuadër të një misioni që tashmë në Kosovë nuk është funksional dhe nuk ka legjitimitet, natyrisht me vetë faktin se procesi i statusit është definuar dhe është shpallur Deklarata për Pavarësinë e Kosovës.

Do të doja që KQZ-ja dhe sekretariati ta kenë të qartë misionin e vet, sepse janë zgjedhjet e para të lira, të mësojnë nga lëshimet dhe problemet që kemi pasur në zgjedhjet e 17 nëntorit zgjedhjet e kaluara.

Natyrisht që me çdolloj mbështetjeje që i vjen KQZ-së edhe në kuptimin e buxhetit, edhe në kuptimin kadrovik, besoj që do të arrijë me sukses t'i menaxhojë.

Po them edhe një herë, nëse evidentohen të gjitha problemet që ishin më 17 nëntor dhe fillojnë nga tash përgatitjet dhe të eliminohen si mundësi eventuale njëra prej tyre është edhe propozimi opozitar që të vendosen teknologji informative në të gjitha vendvotimet, në mënyrë që të kontrollohet procesi, të jetë transparent dhe të jetë i monitoruar drejtpërdrejt.

Jo vetëm Kosova, por i gjithë rajoni jonë, pjesa më e madhe e shteteve të ish-bllokut, kanë nevojë për një monitorim rigoroz ndërkombëtar do të thosha, qoftë ai përmes vëzhguesve të Këshillit të Evropës, vëzhguesve të OSBE-së apo organizatave të tjera ndërkombëtare, të certifikuara dhe të pranuara, që merren me këtë proces.

Tash obligim kushtetues është që certifikimin e zgjedhjeve ta ndikojë dhe një institucion evropian, i cili do të jetë i thirrur për t'i dhënë validitetin e plotë.

Por, ajo që ne duhet të angazhohemi në këtë fazë të punës ka të bëjë me organizimin, përgatitjet për menaxhim monitorues vendor natyrisht. Jo vetëm ato që i njeh ligji, partitë politike, vëzhguesit etj., por edhe shoqëria civile involvohet në monitorim dhe të gjithë ata që mund të ndikojnë.

Për ne është interes jetik menaxhimi i suksesshëm dhe vullneti i popullit përmes votimit të deklarohet sa më shpejt.

RADIO EVROPA E LIRË: Zoti Haziri, së fundi ka pasur deklarata nga më të ndryshmet sa i takon mundësisë së bashkimit të LDK-së me LDD-në. A e hedh poshtë këtë mundësi kundërshtimi i liderit të LDD-së?

LUTFI HAZIRI:Realisht, ideja e plasuar në publik nga ish-nënkryetari i LDD-së, profesor Ramosaj, është mirëpritur nga LDK-ja, jo vetëm në kuadër të ftesave publike që ne i kemi bërë, por në kuadër të konceptit tonë për unifikim të anëtarësisë, për bashkim të copave të LDK-së dhe për një bosht rugovian, ideologjik, që lidhet me LDK-në, identifikohet me LDK-në dhe me njerëz që kanë kontribuar në të kaluarën e afërt dhe mund të japin kontribut edhe në të ardhmen.

Ajo iniciativë ka pasur mbështetjen nga njerëz nga anëtarësia, nga struktura të ndryshme, struktura partiake natyrisht. Efektin e vet besoj se e ka vetëm në fillim; efektet më të mëdha do të shihen në ecje e sipër.

Fatkeqësisht, kushtëzimet që vijnë në politikë mund të duket se i pengojnë proceset, por proceset e mëdha dhe proceset e arsyeshme janë të pandalshme, sepse unë besoj se e kanë mbështetjen e njerëzve.

Sa i përket LDK-së, ne kemi qenë të hapur, vazhdojmë të jemi kërkues dhe vazhdojmë të besojmë që për çdolloj unifikimi në këtë bosht, LDK, për një Kosovë evropiane, do të jetë koha që do të dëshmojë ndryshime pozitive edhe në vetë LDK-në, edhe në vetë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË Ndërkohë, në vend të bashkimit, LDK e LDD kanë nisur t'i marrin njëra-tjetrës anëtarësinë, siç ishte rasti në Vushtrri. Ju, si mendoni?

LUTFI HAZIRI Nuk besoj se është ngjarje, e cila mund të plasohet pas kësaj iniciative të madhe, absolutisht. Anëtarësia e LDK-së po unifikohet, ky është shembull i mirë. Anëtarësia e LDK-së po bashkohet rreth strukturës, rreth ideve dhe rreth përgatitjeve që po bëjmë për zgjedhje.

Tendenca që t'i jepet hije iniciativës së zotit Ramosaj përmes ngjarjeve të vogla, me emra dhe anëtarë të njohur, tashmë është tendencë të mbijetojë procesin.

Natyrisht se si subjekt politik ata janë në Kuvend, ata janë të certifikuar, ata mund të vazhdojnë të jenë konkurrues në Kosovë, neve nuk na pengon ajo. Por, me idenë e unifikimeve, bashkimit dhe ofrimit sa më të madh në një platformë përmes një strukture ne dalim shumë më konkurrues dhe më të mëdhenj si filozofi politike.

Pjesa tjetër, unë mendoj që është më shumë tendencë për t'i nxjerrë hije një procesi që anëtarësia veç ka filluar ta mirëpresë.

RADIO EVROPA E LIRË:Sikurse vite më parë, edhe në këto zgjedhje, LDK është thënë se po hyn me një optimizëm të madh për fitore. Ku mbështetet gjithë ky optimizëm?

LUTFI HAZIRI:Ne, ka kohë, që i kemi filluar përgatitjet tona, edhe në rrafshin e reformimit të partisë në tri nivele: strukturor, organizativ dhe programor. Dhe tash, data e zgjedhjeve na ka nxjerrë prioritetin e angazhimeve tona për përgatitjet zgjedhore.

Ne kemi ndërtuar struktura të ekipeve profesioniste, të ekspertëve që po i mbështesin kandidatët, të nominuarit tonë dhe degët e partisë në nivel komunal me platforma alternative zgjedhore. Ne, qytetarit do t'i ofrojmë kontratë zgjedhore.

Do të angazhohemi që në këtë koncept të punojnë të gjitha nivelet, në 33 njësitë komunale ku ne do të jemi konkurrues. Natyrisht që procesi i nominimeve po ec, sipas një strategjie të adaptuar nga lidershipi i LDK-së.

Ne mendojmë që në fazën tjetër, në shtator, të jemi të gatshëm që edhe me platformë, edhe me nominime në të gjitha nivelet të hyjmë në konkurrencë reale dhe shpjegime të domosdoshme për qytetarët e vendit tonë. Sigurisht që mandati i ardhshëm katërvjeçar nën udhëheqjen e LDK-së do të krijojë ambient krejt tjetër politik.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.