VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Një gotë birrë e ftohtë për të shuar mërinë racore
E Shtunë, 08.01.2009, 07:53am (GMT1)

Presidenti Barak Obama po përpiqet të zbusë tensionet raciale pas një incidenti, që ndodhi në Kembrixh të shtetit Masaçusets, i cili u kthye në një çështje të madhe kontradiktore. Presidenti ftoi dje në Shtëpinë e Bardhë një oficer policie, i bardhë, dhe një profesor kolegji, zezak, për të biseduar dhe për të pirë një gotë birrë.

 

Nuk ishte një gotë birrë e zakonshme pas pune, edhe pse Presidenti Barak Obama u përpoq të mos i jepte shumë rëndësi këtij takimi.

"Po takohemi për një pije freskuese në fund të ditës së punës, me shpresë që njerëzit të kenë mundësinë të dëgjojnë njeri tjetrin".

Qëllimi i kësaj bisede, ndërsa pinin birrë të ftohtë, ishte zbutja e një debati të nxehtë lidhur me marrëdhëniet racore në Amerikë, i cili mori shkas nga një incident më 16 korrik në Kembrixh të shtetit Mesaçusets.

 

Profesori Henri Luis Gejts u arrestua në shtëpinë e tij nga oficeri i policisë, James Crowley. Telefonata që u bëri autoriteteve përkatëse një fqinj i profesorit rreth mundësisë së një hajduti në shtëpinë e këtij të fundit, solli policin Crowley në shtëpinë e profesorit. Oficeri i policisë gjeti aty vetë profesor Gejts në vend të hajdutit. Zoti Crowley tha se profesori mbajti një qëndrim të papërshtatshëm.

 

"Pati shumë sharrje, madje u përmend edhe nëna ime, diçka që nuk e pret nga dikush që duhet të jetë mirënjohës për praninë e policisë për të hetuar një informatë lidhur me mundësinë e një krimi, e jo pastaj nga një profesor i Universitetit Harvard", - tha ai.

Oficeri i policisë Crowley e arrestoi Profesorin Gejts për sjellje të papërshtatshme. Profesori i Harvardit e akuzoi policin Crowley për motive racore në arrestimin e tij. Ajo që e shndëroi këtë ngjarrje lokale në një debat në mbarë vendin ishte komenti që bëri Presidenti Obama gjatë një konference shtypi mbi kujdesin shëndetsor, që po transmetohej në gjithë vendin.

 

"Policia e Kembrixhit veproi pa mënd kur arrestoi dikë dhe kur kishte prova se personi ndodhej në shtëpinë e tij".

Komenti i Presidentin u pasua me reagime të ashpra në gjithë vendin.

Duke folur në emër të Shoqatës së Oficerëve të Policisë së Kembrixhit, zëdhënësi Alan McDonald tha se të gjithë oficerët e policisë mbështesin policin Crowley.

 

Presidenti Obama më vonë bëri një deklaratë më të kujdeshme rreth incidentit në Kembrixh.

"Në zgjedhjen e fjalëve, fatkeqësisht krijova përshtypjen se po flisja keq për policinë e Kemrixhit ose për vetë policin Crowley. Unë mund t'i kisha formuluar këto fjalë ndryshe", - tha Presidenti.

Presidenti tha se shpreson se gotat e birrës do të heqin zemërimin dhe do të krijojnë një moment mësimi në marrëdhënit raciale në Amerikë.

"Kemi të bëjmë me njerëz që nuk janë të përsosur. Çdo kush mund të reflektojë dhe të pranojë faktin se të tjerët kanë pikpamje të ndryshme", - tha ai.

 

Pas takimit të Shtëpisë së Bardhë, polici Crowley tha se ka në plan të takohet përsëri privatisht së shpejti me Profesorin Gejts për ta njohur më mirë njeri tjetrin.

"Sot dy xhentëllmenë u pajtuan për të mos rënë dakord për një çështje të caktuar. Ne nuk kaluam shumë kohë duke folur për atë që tashmë ndodhi, por folëm më shumë rreth së ardhmes".

Fakti që ky incident dhe komentet rreth tij u shndëruan në titujt krysorë të gazetave tregon se raca në Amerikë është ende një çështje sensitive.ZA
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.