VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

E shkruar para 20 vjetësh

BURRËRIA E MEHMET GEGËS

Nga ZEQIR LUSHAJ


E Martë, 06.12.2012, 07:37am (GMT1)

 

 

- Trimëri dmth, të mbrosh veten nga të tjerët;

burrëri dmth, të mbrosh të tjerët nga vetja

-PORTRET Tiranë, gusht 1992 -

 

Mehmet Gega, për të cilin po shkruaj këto radhë, është një nga shqiptarët e patundur të Tetovës. Sot ai është rreth të 80-tave. Eshtë shumë i njohur, jo veç në qytetin e Tetovës

por, dhe në rrethinat e tij e më gjerë.Për trimëri e burrëri, për atdhetari që nuk bëhet mëdyshë.

Mehmet Gega ka vuajtur, ditë me ditë, 20 vjet burgim, nën regjimin totalitar të ish Jugosllavisë. Edhe sot është i fortë, i mbajtur, i kthjelltë e veprimtar i palodhur i Bashkimit Kombëtar Shqiptar.

Jeta e Mehmet Gegë Tetovës, ka shumë për të shkruar, por nuk e ka këtë qëllim shkrimi im i sotshëm. E njoh mirë Mehmet Gegën. Kam ndenjur jo pak me të në oda burrash. E kam pritur e përcjellur edhe në Tiranë.

Baca Mehmet, flet pak e rrallë, por të tjerët, duke folur më shumë për të, të njohin me burrërinë e trimërinë e tij. Dhe këtë që do të shkruaj më poshtë, ma thanë të tjerët për Mehmet Gegën. Ndaj unë po e shkruaj, duke i kërkuar ndjesë Bacës Mehmet, se është diçka që edhe mund ta lëndojë.

Veç, nuk mund të rri pa e shkruar, se është një "leksion" i bukur për shumë shqiptarë, në Shqipëri, në Kosovë e vise të tjerë, në diasporë e kudo. Se është shembull burrërie shqiptare, që aq shumë po na duhet në këto ditë të sodit. Jam i bindur se, Trimi, do të më kuptojë drejtë.

...!!

... Mehmet Gegës i dalin në rrugë dy shqiptarë. (Shqiptarë, por, ma paçin pikë faqën e zezë!). Pa e zgjatur tregimin, po them esencën. Ata, të dy, e rrahën poshtërsisht Mehmet Gegën, për një "ngatërresë" të mëparshme! Kjo rrahje u bë problem. Dy burrat që kryen aktin e shëmtuar, milicia i merr në arrest, për vepër të paligjshme. Thirret aty edhe Mehmet Gega, si i dëmtuar. E ballafaqojnë dhe kërkojnë që Ai, të bëjë denoncimin me gojë e me shkrim!

- Këto të dy të kan rrahur? e pyesin Mehmetin, në organet përkatëse?

- Jo! -përgjigjet prerë, Mehmet Gega. Këta jo vetëm që nuk më kanë rrahur, por unë as nuk i kam parë ndonjëherë me sy!!

Mbas insistimit të Bacës Mehmet, se ata persona nuk e kishin rrahur as nuk i njihte, kuptohet, dhe milicia ishte e detyruar t'i lironte dy shqiptarët. At'herë, të tre së bashku, dolën e morën rrugën për në shtëpitë e tyre.

...!

- Si u bëka kjo punë kështu, o Mehmet Gega, - e pyetën plakun e nderuar, burrat e Tetovës?

- Eh, more burra, - foli ashtu qetë-qetë Mehmeti.- Mue më rrahën vëllezërit e mi. Dy shqiptarë rrahën një shqiptar. Sikur unë të pranoja se këta më rrahën, atëherë milicia do t'i rrihte ata në syun tim. A mund të duronte Mehmet Gega që zaptuesi i huaj, t'ia rrah vëllezërit e tij ndër sy? Pasha besën jo! Ma mirë unë i rrahur nga vëllezërit e mi, se sa vëllezërit e mi, të rrahur nga të huajt...!

...!

Kështu, ka bërë, plot bindje e atdhetarizëm, burri i nderuar, Mehmet Gegë Tetova.

Ma don mendja se, çdo shqiptarë, e vlerëson dhe mëson jo pak nga kjo burrëri e Mehmet Gegës. Ndoshta ky rrëfim i thjeshtë do të jetë edhe me shume se "një leksion" edhe për ndonjë lider a forcë politike në Shqipëri e në trevat shqiptare, që, jo rrallë, më lehtë e gjenë gjuhën e përbashkët me të huajt se sa me vëllezërit e tij!

Ky shëmbull, më kujton atë filozofinë e thellë e të pagabueshme të popullit se:- "Trimëri, d. m. th. të mbrosh veten nga të tjerët; burrëri d. m. th, të mbrosh të tjerët nga vetja".

Mehmet Gegë Tetova, fliste pak. Vepra e Tij, ne, të gjithëve, na flet e duhet të na flasi, të na mësojë e të na orjentojë edhe më shumë...Drejtë shqiptarizmës së vërtetë.

./.

-Ky portret,është nxjerrë nga libri "Dyqani i mendjes", faqe 61 , që autori Zeqir Lushaj,

ka botuar në Tiranë,në "Kristalina KH", 2009-

(Për revisten Zëri i Shqiptarëve, nga NJ,USA, qershor 2012)

ZEQIR LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.