VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KRERËT E KOSOVËS KANË SHPËRBLIME TË MAJME
E Martë, 06.12.2012, 08:12am (GMT1)

 

Prishtinë Udhëheqësit e agjencive të ndryshme që i përgjigjen Kuvendit të Kosovës nuk kanë telashe fare me të hyrat e tyre mujore. Pagat e tyre janë marramendëse për standardin e Kosovës, shkruan "Koha Ditore".

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pagën më të lartë krahasuar me kryeministrin dhe kryeparlamentarin. Ajo paguhet 2 mijë e 873 euro në muaj për punën e saj si presidente e Kosovës, apo ka të hyra vjetore prej 34 mijë e 478 euro.

Kryekuvendari Jakup Krasniqi ka një pagë mujore prej 2 mijë e 700 euro, apo 32 mijë e 400 euro në vit. E kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka një pagë vjetore prej 17 mijë e 318 euro. Paga mujore e kryeministrit është 1 mijë e 443 euro.

Ka shumë persona që i përgjigjen Kuvendit të Kosovës, apo Qeverisë e të cilët kanë paga shumë më të mira se kontrolloret e tyre.

Për pagat më të larta është njohur menaxhmenti i Trustit të Kursimeve Pensionale. Vitin e kaluar paga e menaxherit të këtij Trusti ka qenë 5 mijë euro, kurse këtë vit fleta e deklarimit të pasurisë nuk është ende në ueb-faqen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Ndërsa, zëvendësi i tij, Vërshim Hatipi, paguhet hiq më pak se 3 mijë e 34 euro në muaj, apo arkëton 36 mijë e 413 euro në vit. Kurse Ymer Havolli anëtar i Bordit të Trustit merr pagën prej 1 mijë e 250 euro në muaj.

Anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimi nuk e kanë deklaruar pasurinë, pasi një gjë të tillë nuk e ka kërkuar Agjencia Kundër Korrupsionit. Ndërsa menaxhmenti e ka deklaruar pasurinë dhe pagat që ata marrin për punën që e bëjnë në agjencinë që merret me privatizimin dhe menaxhimin e ndërmarrjeve shoqërore.

Drejtori ekzekutiv i kësaj Agjencie, Shkelzen Lluka, ka një pagë vjetore prej 45 mijë e 492 euro, apo ka një pagë mujore prej 3 mijë e 791 euro.

Mrika Tahiri, zv.drejtoreshë e AKP-së, ka një pagë vjetore prej 43 mijë e 212 euro. Tahiri për punën që e bën në AKP merr një pagë mujore prej 3 mijë e 601 euro.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.