VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PRESIDENTI TOPI DEKOROI ADEM JASHARIN, ADEM DEMAÇIN DHE PERSONALITETE TË TJERA TË SHQUARA KOMBËTARE
E Martë, 06.12.2012, 08:38am (GMT1)

 

TIRANË- Në një ceremoni solemne të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit, Kreu i Shtetit shqiptar, Bamir Topi dekoroi në kuadër të 134-vjetorit të Lidhjes historike shqiptare të Prizrenit, të 13-vjetorit të çlirimit të Kosovës si dhe të 100-vjetorit të Pavarësisë, disa personalitete të shquara nga Kosova.

Në fjalët e tij, Topi tha se "sot ndihem krenar që në emër të Shtetit shqiptar nderoj me dekoratën më të lartë Adem Jasharin, heroin legjendar të luftës për çlirimin e Kosovës, prijësin fjalëpakë dhe simbolin frymëzues për miliona të rinj shqiptarë, njeriun që tashmë e nderon përjetë çdo familje, çdo qytet e çdo komunitet shqiptar në botë".
Ai u shpreh gjithashtu se ndihej krenar që nderon heronjtë e tjerë të Kosovës së re: Fehmi Lladrovcin dhe bashkëshorten e tij Xhevën; Ukshin Hotin dhe Afrim Zhitinë, si dhe emra të tjerë të shquar deri tek mjeshtrit e pavdekshëm të fjalës dhe zërit, Sulejman Krasniqi dhe Dervish Shaqa.

Presidenti veçoi sikurse e cilësoi, një emër simbol qëndrese dhe disidence, një intelektual atdhetar dhe qytetar, shkrimtarin dhe veprimtarin e të drejtave të njeriut, "Mandelën e Lirisë" dhe heroin e gjallë të Kosovës, Adem Demaçin.

Ai shtoi se nderimi do të vazhdojë në ditët e ardhshme edhe me figura të tjera përfaqësuese të Kosovës dhe të mbarë botës shqiptare, sepse të gjithë, pavarësisht kufijve dhe fateve historike, kanë luftuar e punuar për flamurin, emrin, dinjitetin dhe të drejtat e kombit shqiptar.
Sipas tij, duke nderuar sot personalitete të tilla të shquara shteti shqiptar nderon plejada të tëra shqiptarësh që luftuan për atdhe e flamur, që vuajtën ndarjen dhe terrorin pushtues, që sakrifikuan jetët e tyre dhe familjet. (bw)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.