VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NUK DIHEN ARSYET E VRASJES SË DINO ASANAJT
E Premte, 06.15.2012, 02:21pm (GMT1)

Prishtinë, (Kosovapress) 15 Qershor 2012

Policia po zhvillon hetimet për rrethanat e vdekjes së shefit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, i cili ka vdekur dje pas plagëve të marra me thikë në fyt dhe në zemër.

Policia e Kosovës përkatësisht zyrtarët policorë të cilët janë të duke punuar në hetimin e vrasjes së Dino Asanajt po hetojnë në të gjitha pistat e mundshme.

Zyrtari për Informim në Policinë e Kosovës, Brahim Sadriu i tha Radio Kosovës se janë duke u bërë edhe ekzaminimet e provave.

"Zyrtarët policorë të cilët janë të kyçur ne hetimin e këtij rasti janë duke hetuar të gjitha pistat e mundshme të hetimeve. Në këto momente jemi në fazën e ekzaminimit të të gjitha dëshmive dhe provave të gjetura lidhur me këtë rast", tha ai

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka konfirmuar se trupi i pajetë i Asanajt është vendosur në Institut të Mjekësisë Ligjore, me urdhër të Gjykatës së Qarkut, dhe do t'i bëhet autopsia.

Gërxhaliu tha se Komisioni dhe ekspertet e mjekësisë ligjore mund të përfundojnë autopsinë sot në orët e drekës.

Kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, dje, rreth orës 14:00, ka ndërruar jetë në QKUK, si pasojë e plagëve që kishte marrë në fyt dhe zemër nga therjet me thikë.

Presidenca, Qeveria e Kosovës dhe partitë politike kanë dënuar ashpër aktin kriminal të vrasjes së kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.