VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TONY BLAIR SIMBOL I BESIMIT, OPTIMIZMIT DHE SHPRESËS PËR SHQIPTARËT E KOSOVËS
E Hënë, 06.18.2012, 05:01pm (GMT1)

18.06.2012

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, së bashku me ministren e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, kanë pritur në takim ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Bler, i cili po qëndron në një vizitë në Prishtinë.

Ministri Hoxhaj gjatë takimit vlerësoi lart figurën dhe lidershipin e ish-kryeministrit britanik Toni Bler për Kosovën, rajonin dhe më gjerë, thuhet në një njoftim të kësaj Ministrie.

"Bler është simbol i besimit, optimizmit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës", ka thënë Hoxhaj.

Ai e ka falënderuar ish-kryeministrin britanik për kontributin e jashtëzakonshëm që ai dhe Britania e Madhe kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për konsolidimin e shtetit të Kosovës në të gjitha aspektet.

"Ne përulemi me një mirënjohje të thellë para jush për lirinë e Kosovës. Shprehim mirënjohje të madhe për qindra dhe mijëra qytetarë britanikë, para shumë ushtarëve, të cilët parandaluan asgjësimin tonë fizik dhe kontribuuan aq shumë për Kosovën. Para shumë diplomatëve të cilët ishin zëri më racional në prezantimin e çështjes sonë, para shumë gazetarëve apo akademikëve që nuk heqin dorë nga kërkimi i drejtësisë", tha Hoxhaj.

Në anën tjetër, sipas njoftimit, ish-kryeministri britanik Tony Blair, duke shprehur gëzimin për vizitën në Kosovën, ka vlerësuar progresin që po arrin Republika e Kosovës në të gjitha fushat, duke shprehur përkrahjen e tij të mëtutjeshme.

"Blair u shpreh i lumtur për mundësinë që t'i involvojë universitetet kosovare në rrjetin global në universiteteve më të mira, ku ligjërohet programi i tij "Globalizimi dhe besimet", thuhet në njoftim.

(rel)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.