VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË TAKIMIN ME TOPIN KISINGER SHPREHU VLERËSIM TË MADH PËR ROLIN VENDIMTAR TË SHQIPËRISË NË RAJONIN E BALLKANIT


E Mërkurë, 06.20.2012, 03:02pm (GMT1)

Presidenti Topi në ditën e dytë të pjesëmarrjes së tij në Konferencën e katërt Presidenciale në Jeruzalem, zhvilloi një takim të veçantë pune edhe me Dr. Henri Kisingerin. Kryetari i Shtetit shqiptar, pasi çmoi lart rolin e rëndësishëm historik në diplomaci, politikë dhe për paqen botërore të Henri Kisingerit, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera historike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara si dhe bashkëpunimin e ngushtë e strategjik të dy vendeve aleate e partnere. Presidenti Topi i shprehu mirënjohjen ish-sekretarit amerikan të Shtetit për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme të drejtuesve dhe administratës amerikane për kombin dhe çështjen shqiptare, duke e siguruar në të njëjtën kohë se Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një aleate besnike dhe e besueshme jo vetëm si anëtare e denjë e NATO-s, por edhe si kontribuese aktive në aleancën kundër terrorizmit ndërkombëtar në të mirë të paqes dhe demokracisë globale. Nga ana e tij, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Dr. Henri Kisingeri, pasi vlerësoi këtë takim me Kreun e Shtetit shqiptar, shprehu admirimin për ndryshimet rrënjësore dhe për arritjet e dukshme të vendit tonë në drejtim të konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve të saj, duke bërë të mundur jo vetëm anëtarësimin në NATO-s, por edhe përparimin në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Evropian. Dr. Kisingeri vlerësoi gjithashtu edhe rolin e kontributin pozitiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në Ballkan në drejtim të ruajtjes dhe promovimit të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajonin ballkanik, dikur aq të trazuar e të karakterizuar nga konflikte ndëretnike.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.