VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

AMBASADA E SHBA E SHPALLI NISMËN "ACT NOW" PËR SHOQËRINË CIVILE
E Premte, 06.22.2012, 06:58am (GMT1)

SHBA shpallën dje në Tiranë një nismë qytetare për të nxitur komunitetin dhe shoqërinë civile që të marrin pjesë në zgjidhjen e problemeve të vendit. Thelbi i nismës është që vetë qytetari duhet të veprojë që zëri i tij të dëgjohet.

Ambasada e SHBA organizoi një takim me përfaqësues të organizatave joqeveritare, të cilat i ftoi të bashkëpunojnë në nismën "Vepro tani". Ambasadori Aleksandër Arvizu, u bëri thirrje gjithë qytetarëve të bashkohen për të zgjidhur sfidat themelore që ka aktualisht vendi i tyre, si në mirëqeverisje, mjedis, arsim, shëndetësi etj. Ai shprehu shqetësim që hapësira e veprimtarisë së shoqërisë civile është ngushtuar, ndërsa problemet janë shtuar.

"Përgjigja ndaj kësaj gjendje është krijimi i më shumë hapësire për shoqërinë civile dhe individëve, në mënyrë që t'u përgjigjemi më mirë shqetësimeve të qytetarëve, në mënyrë që të dëgjohen njerëzit për shqetësimet që kanë" - tha ambasadori Arvizu.

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare tha se i bashkohej kësaj nisme, sepse vjen nga një vend i madh aleat, i cili përkujdeset me përkushtim për mbarëvajtjen e Shqipërisë, sepse SHBA kërkon të zgjojë opinionin qytetar shqiptar në dobi të zgjidhjes së punëve dhe problemeve që po rëndojnë jetën e vendit.

"Një qytet i shkatërruar, një bregdet i shkatërruar, një pejzazh i shkatërruar është njëlloj si pas një lufte, si pas një bombardimi. Po ashtu një problem tjetër, që po nuk pati vëmendje mund të përgatitë një greminë morale, është çështja e dekulturimit të vendit, çkulturimi, dobësimi dhe prishja e sistemit arsimor. Janë qindra mijëra prindër e qytetarë që mund të ndërhyjnë në këtë problem kaq të madh, të mund të japin energjinë e tyre, mendimin e tyre, trysninë e tyre. Një tjetër greminë morale që po përgatitet është humbja e besimit tek drejtësia. Kjo nuk duhet të lejohet kurrësesi. Është një katastrofë e vërtetë të mësohemi me mendimin se drejtësisa nuk funksionon. Po ashtu edhe korrupsioni dhe të tjerat" - tha zoti Kadare.

Nismën e mbështetën edhe personalitete të jetës shqiptare si ish-presidenti Alfred Mosiu, veprimtarë dhe studiues të shumtë. Drejtuesi i Institutit për Studime Strategjike ndërkombëtare, Albert Rakipi, thotë se e mbështet këtë nismë që kërkon aktivizim të komunitetit dhe shoqërisë, sepse është një lëvizje kundër status quo-së dhe moszgjidhjes së problemeve.

"Mendoj se është një nismë në kohën e duhur dhe ja vlen të mbështetet nga të gjithë. Është një ide strategjike, e cila ka mundësinë që të shndërrohet në një lëvizje shoqërore, në një lëvizje kulturore dhe në një lëvizje politike - në kontekstin e angazhimit të shoqërisë në fakt jo të stablishmenteve politike - për të çuar përpara të ardhmen e këtij vendi. Duhet tronditur kjo lloj status quo-je, kjo mospjesëmarrje e qytetarëve, ky dominim total i politikës dhe i partive, i qeverisë. Fjala është për të zhvilluar një model krejt tjetër, ku shoqëria merr pjesë, një shoqëri moderne" - tha ai.

Ambasada e SHBA pritet të organizojë një seri veprimtarish përmes kësaj nisme në bashkëpunim me pushtetin vendor, organizatat joqeveritare dhe qarqet e biznesit për të rritur ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj çështjeve aktuale më të mprehta dhe për të fuqizuar zërin dhe veprimin e tyre, pjesëmarrjen e tyre në gjetjen e zgjidhjeve.

(za)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.