VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BESIM NDREGJONI HAP EKSPOZITËN "SHQIPËRIA KUJTON - ESHTRAT E TYRE NUK KANË VARR"

KUSHTUAR 4500 INTELEKTUALËVE ANTIKOMUNISTË QË U PUSHKATUAN NGA DIKTATURA


E Djelë, 06.24.2012, 07:03am (GMT1)

 

Voal-online - TIRANË, 24 QERSHOR - Të martën, më 26 qershor, ora 10.30 në Sheshin "Skënderbej, Tiranë, z. Besim Ndregjoni, Mjeshtër i Madh, aktivist i të drejtave të njeriut, Sekretar i Përgjithshëm i Integrimit të të Burgosurve dhe të të Përndjekurve Politikë, hap ekspozitën "Shqipëria kujton - Eshtrat e tyre nuk kanë varr", kushtuar 4500 qytetarëve intelektualë antikomunistë që u pushkatuan nga diktatura.

Ekspozita do të hapet me Hymnin Kombëtar dhe me lutjet shpirtërore nga katër përfaaqësues të komuniteteve fetare shqiptare. Pasi të jepet një mesazh nderimi nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, hapjen e ekspozitës do ta përshëndesë zotëri Adem Demaçi, Nderi i Kombit, disident i burgosur 40 vjet në burgjet serbe. Ndërsa nga ora 11:00 do të fillojnë vizitat në ekspozitë.

Zotëri Besim Ndregjoni, në shenjë nderimi dhe respekti për ata që humbën jetën duke u përballur me regjimin më mizor që ka përjetuar kombi shqiptar dhe një nga regjimet më mizore që ka përjetuar njerëzimi, i fton qytetarët e kryeqytetit dhe qytetarët e tjerë shqiptarë ta vizitojnë ekspozitën dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve sensibilizuese që kjo plagë e trashëguar nga diktatura të shërohet sa më shpejt dhe të mos neglizhohet më nga regjimet e tranzicionit, sepse vetëm kështu do të përparojë procesi i pajtimit kombëtar, begatia e demokracia e vërtetë, do të përparojë procesi i integrimit të vërteta perëndimor për shqiptarët, do të bëhet realiteti bashkimi ynë kombëtar.

 

 

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.