VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

INA RAMA: IMUNITETI E PENGON HETIMIN E KORRUPSIONIT

Prokurorja e përgjithshme raportoi në parlament mbi kriminalitetin


E Mërkurë, 06.27.2012, 07:36am (GMT1)

26.06.2012

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, shprehu sërish shqetësimin se imuniteti i zyrtarëve po i pengon në shumë raste prokurorët që të bëjnë punën e tyre hetimore. Zonja Rama deklaroi në komisionin parlamentar të ligjeve se prokurorët nga ana e tyre e kanë rritur pavarësinë dhe profesionalizmin, por imuniteti i pengon për të hetuar. Ajo ishte para komisionit parlamentar për një raport vjetor mbi kriminalitetin në vend, i cili sipas të dhënave më të fundit ka shënuar rritje. Kërkesat për heqje imuniteti ndaj zyrtarëve gjithsesi janë shumë të pakta, ndërkohë që informacionet dalin në media, kur duhet një hetim i fshehtë.

"Numri i kërkesave për heqje imuniteti është shumë i vogël. Janë 3 kërkesa në janar të këtij viti dhe dy në vitin që shkoi. Kemi dërguar në Kuvend pesë kërkesa për heqje imunitetesh. Është i vërtetë dhe shqetësues fenomeni i daljes së informacioneve në media. Problemet gjatë hetimit na vijnë nga pasja e imunitetit të zyrtarëve, veçanërisht në hetimin proaktiv të rasteve korruptive, që kërkojnë domosdoshmërisht një hetim të fshehtë, pra një hetim ndaj zyrtarit pa dijeninë e zyrtarit" - tha zonja Rama.

Prokurorja e Përgjithshme tha se gjatë vitit të kaluar u rrit numri i çështjeve të dërguara për gjykim dhe u ul numri i çështjeve të pushuara për mungesë provash, ndërsa dosjet e pezulluara i kthehen policisë për të marrë prova shtesë. Sipas raportimit të saj, rritja e koeficientit të kriminalitetit në vend u shoqërua edhe me rritjen e efektivitetit të punës së prokurorëve.

Zonja Rama tha se krimi i vjedhjes është shtuar shumë, dhe se vjedhjet janë rritur për shkak se nuk ndëshkohen autorët. Ajo shprehu pakënaqësi ndaj kontrolleve që bën ministria e drejtësisë, duke i quajtur ndërhyrje në punët e hetuesve, veprime jashtë kompetencave dhe me konkluzione të pabazuara në fakte.

Ky mund të jetë raportimi i fundit i Prokurores së Përgjithshme Ina Rama në komisionet parlamentare. Deputetë të koalicionit qeveritar gjetën rastin të theksonin këto ditë se mandati i saj pesëvjeçar në detyrë përfundon në vjeshtë, sipas ndryshimeve që iu bënë Kushtetutës në vitin 2008. Më parë prokurori i përgjithshëm kishte një mandat të pakufizuar në kohë.

(za)
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.