VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VIDOVDANI DHE POLITIKA MITOMANE E SERBISË


E Enjte, 06.28.2012, 03:35pm (GMT1)

28.06.2012

E ashtuquajtura kremtja e Vidovdanit, që të enjten shënohet nga serbët në Gazimestan, në shenjë të përkujtimit të Betejës Mesjetare të Kosovës në vitin 1389, vetëm 23 vjet më parë, kishte shërbyer si shkas për tubimin e një numri të madh të serbëve, si dhe promovimit dhe fuqizimit politik të Sllobodan Milosheviqit, i cili më pas u bë njeriu numër një në hierarkinë politike në Serbi.

Si ndihen sot, politikanët serbë në Kosovë, të cilët edhe para 23 vjetësh ishin të përfshirë në politikë?

Ata vlerësojnë se tubimi në Gazimestan, në vitin 1989, shënoi plasaritjen e parë dhe të fuqishme, e cila më pas çoi deri te zhbërja e Jugosllavisë, si dhe luftërat e përgjakshme në hapësirën e saj.

Rada Trajkoviq, aktualisht deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, rikujton tubimin në Gazimestan 23 vjet më parë, dhe flet për situatën në të cilët sot gjenden serbët, në ditën kur e shënojnë kremtën e Vidovdanit.

"Në atë tubim, shumica e njerëzve nuk kanë qenë të orientuar për ruajtjen e ish-Jugosllavisë, ndonëse një numër i vogël i tyre kanë qenë për këtë. Një numër tjetër i vogël ndoshta ka qenë edhe për një projekt të Serbisë së madhe".

"Por, unë mendoj se pjesa më e madhe e serbëve që kishte ardhur aty, ata të mençurit dhe të urtit, kanë qenë për definimin e shtetit serb, sepse shumica e kanë dëshiruar këtë edhe para krijimit të Jugosllavisë së parë dhe të dytë".

"E gjitha përfundoi në atë mënyrë që shteti serb, Millosheviqi dhe njerëzit që kishte për rreth, nuk ditën që t'i përshtatin interesat e popullit serb me realitetin që ishte në atë kohë. Ne ishim nisë për të realizuar projektin me miq të dobët dhe me kundërshtarë të fuqishëm ndaj idesë sonë dhe, natyrisht, kemi përfunduar kështu siç kemi përfunduar", thotë Trajkoviq.

Por, politikani serb Rangjell Nojkiq, tubimin 23 vjet më parë të serbëve në Gazimestan, e vlerëson si një ekspansion të gabuar të vetëdijes nacionale serbe, i shprehur në mënyrë po ashtu të gabuar.

"Mendoj se atëherë është bërë gabimi historik, për të cilin ka pasur gjasë që të përmirësohet, por kjo nuk ndodhi dhe më pas ka pasur pasoja të mëdha të dhunshme. Atëherë është paralajmëruar shpërndarja e ish-Jugosllavisë. Ajo edhe ndodhi. Serbia hyri në konflikt me të gjitha ish-Republikat dhe përjetoi atë që përjetoi".

"Por, ajo që më trimëron veçanërisht, është fakti se pas vitit 1999 nuk ka pasur vazhdim të retorikës së tillë. Mendoj se sot Vidovdani kremtohet krejtësisht në tjetër kontekst".

"Pavarësisht se ekzistojnë probleme të caktuara dhe bashkësia serbe ende nuk e ka zgjidhur statusin e saj, me duket se nuk i bëhet thirrje mundësisë për konflikte, luftëra dhe gjakderdhje të reja, por për mundësinë që çështjet të zgjidhen përmes rrugës paqësore", thekson Nojkiq.

Në anën tjetër, tubimi i Vidovdanit, 23 vjet më parë në Gazimestan, si moment që shënoi fuqizimin e Sllobodan Milosheviqit dhe më pas shpartallimin e Jugosllavisë dhe luftërat e përgjakshme, u bë shkas që shqiptarët në Kosovë, ta shohin këtë ditë me antipati.

Por, Rada Trajkoviq, thotë se shqiptarët nuk duhet ta përjetojnë me antipati Vidovdanin, për shkak se sipas saj, Beteja mesjetare e Kosovës ka qenë e përbashkët dhe serbët e shqiptarët kanë qenë aleatë në atë luftë.

"Lëvizja çlirimtare ka qenë e përbashkët dhe nuk ka arsye pse në mënyrë identike dhe të përbashkët të mos e festojmë së bashku. Nuk ka arsye që të refuzojmë", shprehet Trajkoviq.

Në këtë konstatim të zonjës Trajkoviq, përgjigjen mund ta japin historianët, në kontekstin e ngjarjeve të vitit 1389.

Sa për vitin 1989, Vidovdani ishte ngjarja prej nga Millosheviqi inicoi atë që do të njihet si fushatë e spastrimit etnik, duke e zhveshur fillimisht Kosovën nga statusi autonom që kishte atëbotë.

Nojkiq i kupton shqiptarët për qasjen që ata kanë ndaj kremtes së Vidovdanit.

"Duke shikuar nga aspekti që Vidovdani ka qenë fillimi i shpartallimit të Jugosllavisë, dhe në fund të fundit, edhe ajo që ka ndodhur më vonë edhe në Kosovë, mund të thuhet se mund të kuptohet qasja e tillë e shqiptarëve".

"Por, megjithatë, mendoj se nuk ka askush të drejtë që ta shfrytëzojë këtë ditë dhe këtë festë për të nxitur konflikte të reja dhe që në çfarëdo mënyra të vijë deri te përkeqësimi i situatës. Mendoj se ka vetëdije të mjaftueshme te të gjithë, se e kaluara duhet të lihet me një anë dhe të shikohet kah e ardhmja", thekson Nojkiq.

Sidoqoftë, 10 vjet më vonë, pas tubimit në Gazimestan, në qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s, pas bombardimit 78 ditësh, hynë në Kosovë, duke larguar forcat serbe nga territori i vendit.

Pikërisht më 28 qershor 2001, ditën e kremtes së Vidovdanit, 12 vjet pas fjalimit në Gazimestan, Millosheviqin e dorëzuan në Gjykatën Ndërkombëtare për krime Lufte në Hagë.

E që "rastësia" të jetë edhe më e madhe, pasardhësi i tij, Ivica Daçiq, pikërisht sot, në ditën e Vidovdanit, u mandatua nga presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, për të formuar qeverinë.

Kosovën ndërkaq, Vidovdani i sivjemë e gjen shtet të pavarur që prej katër vjetësh. (rel)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.