E Premte, 03.29.2024, 02:31pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 

JO GJITHË TË VDEKURIT PREHEN NË PAQË

Nga PËLLUMB KULLA


E Djelë, 07.01.2012, 04:26pm (GMT+1)

AJDIN JONUZ KULLA - NJË PORTRET

Jemi në Zëmblak, në një fshat të Shqipërisë. Fshat është, në fund të fundit! Si njëmijë e ca të tjerët, të pikëzuar në hartën e një kombi. Është një fshat që në vitet "˜40 trashëgon dymbëdhjetë biblioteka të pasura nëpër shtëpi të ndryshme rrëzë malit. Kishte në ato biblioteka një sërë botimesh nga më të ndryshmit, që nga botimet e Vatrës së Bostonit, botime të Dhori Kotit, Ismail Malosmanit, përkthimet e plota të Nolit nga Shekspiri, Ibseni, Cervantesi e deri botime në gjuhë të huaja italiane dhe franceze. Kishte libra mbi historinë e filosofisë, atllase të gjeografisë, fjalorë të gjuhëve të huaja dhe varietete që do t'i kishin zili biblioteka të familjeve të qytetit.

Fshati asokohe nuk shënonte banorë të lidhur me emigracionin në Amerikë, Argjentinë, Australi apo në vise të Europës, por njerëz të shkolluar mirë, kishte me dhjetra.

Ajdin Jonuz Kulla ishte njëri nga këta. Më i shquari. Më i kulturuari. Më i edukuari. Në galerinë e figurave rretheqark familjes së tij, figura të cilat u përmendën këtu, është ajo më e ndritshmja. Botkuptimi i tij i gjërë, humanizmi, trimëria, gojtaria dhe rrezatimi i mirësisë i gjetur në dëshmitë për të në tregimet e gjithfarëllojshme, në dokumentet dhe fotot, bëjnë që ky njeri të jetë lartësia më e madhe përfaqësuese njerëzore që ofrojnë Kullat në historinë e tyre të dhimbshme.

Ky djali i dytë i Jonuzit shquhej jo vetëm në familjen e vet, jo vetëm në katundin e vet, por në tërë mjediset ku u gjend, ku e hodhi fati dhe ambiciet e tij të bukura: ishte nga studentët më i miri, nga nacionalistët më i devotshmi, nga të burgosurit më dinjitozi. Nuk mund t'i marrim me mend të gjitha lulet mbi të cilat u ndal kjo bletë e palodhur, por shohim mjaltin që na dha e që na la pas. Tri gjuhët e huaja që zotëronte e ndihmuan që ta ligjëronte më mirë gjuhën e tij të rrjedhshme amtare. E ndihmuan ato, si ca çelësa të artë që të ndihmojnë të hapësh porta të rënda, që të shpien të takosh pavdekësitë, që të japin mundësi të bësh shoqëri me viganë të mendimit, me heronj të Francës dhe të Italisë, me presidentë të Amerikës, me martirë të shumtë të dashuruar çmendurisht me vendet e tyre ku u lindën dhe u rritën.

Ende, mbi dy dekada të përmbysjes së diktaturës komuniste, Akademia e Shkencave, entet arsimore dhe kulturore të udhëhequra nga njerëz që e fshehin pasukses edukimin e tyre të gjatë enverian, nuk arrijnë dot të zotërojnë vështrimin e gjërë mbi historinë dhe të zbulojnë vlera njerëzore deri tani të mallkuara dhe të anatemuara.

Këtë vëmendje meriton Ajdini, ky i ri tridhjetekatërvjeçar që ne, shqiptarët, pushkatuam në agimet e regjimit gjakatar të Enver Hoxhës.

Nuk duhet anashkaluar hipokrizia e plotë me të cilën Shqipëria pasdiktatoriale po trajton gjojandreqjet e historisë. Ndreqjet, disa nuk dëshirojnë t'i bëjnë, kurse ca të tjerë shtiren kur thonë se do t'i bëjnë dhe lëshojnë tym e flakë vetëm për qëllime politike dhe elektorale. Është e turpshme që njëzet e ca vjet pas "përmbysjes", nuk ka asnjë përmbysje.

Të gjithë mallkojnë komunizmin, kur pikërisht ai sistem ideologjik, sado utopik, është më pak fajtor se të gjithë ithtarët e tij. Komunizmi nuk vret, nuk burgos e nuk vjedh. Këto punë i bënë komunistët dhe, me pak përjashtime, ata janë ende sot në Shqipëri, pa asnjë ferrë në këmbë.

Bile janë shumë ata që mendojnë se në fund të shekullit që shkoi në Shqipëri do të qe më mirë të kish mbetur komunizmi, se sa na mbetën komunistët!

Një numër i madh i tyre shitren. Por pjesa më e madhe as që e ndjejnë nevojën e dyfaqësisë. Ata njësoj vazhdojnë ta urrejnë Mithat Frashërin e Ahmet Zogun, Abaz Kupin dhe Hysni Lepenicën. Ende nuk ka asnjë mirëkuptim për ballistët e vrarë kundër fashistëve okupatorë, a qoftë edhe në luftën vëllavrasëse kundër brigadave të ndriçuara nga mësimet e Stalinit. Komunistët tanë janë ziliqarë të shëmtuar ndaj edukimit të shëndoshë patriotik të kundërshtarëve të tyre, si Ajdini. E pra, nuk ishin të paktë nacionalistët që shquanin padrejtësitë shoqërore të asaj kohe dhe që në fillimet e tyre u tërhoqën nga vezullimet e ideve komuniste, por fatmirësisht e ndjenë në kohën e duhur rrezikshmërinë e leninizmit brenda tyre.

Vija e mallkuar e demarkacionit që shënoi Mukaj është e dukshme, është e pafshirë dhe e pa kapërcyer.

Kështu edhe nga pala tjetër, përkëtej vijës. Është i pafalshëm përgojimi i dëshmorëve partizanë. Që një vend të ketë thellësi dhe gravitet kujtese, duhet të ketë dëshmorë të pasharë, qofshin ata me emra, apo pa emra. Nuk gjykohen dëshmorët se zbatuan një urdhër mësymjeje të gabuar, apo sepse u bënë vegla të një strategjie të largët dhelparake. Nuk gjykohen ata se përse dolën para kohe nga istikami dhe u kositën nga mitralozët, kur duhej të rrinin fshehur, apo ngaqë ishin trima të çartur e jo aq të mençur sa të përllogaritnin largësinë. Pa këto detaje numri i dëshmorëve do të ishte tepër-tepër i vogël. Nuk do të kishim pra aq të rënë, pa një gabim personal, pa veprime të gabuara ambicioze të komandës, a të udhëheqjes. Gabimet e tyre dhe të të tjerëve, dëshmorët i kanë paguar me jetët e tyre. Një njëzetvjeçari, të moshës më të magnetizuar nga apeli për therrori, nuk mund t'i kërkohet ta lexojë historinë në komoditetin e një shekulli më pas. Si mund t'u faturohet dëshmorëve partizanë faji që pas sakrifikimit të tyre, na erdhi robëria e Enver Hoxhës?! Kur vjen fjala për ta, ne nuk na mbetet veç të themi: lavdi dëshmorëve të atdheut!

Mbetesh i mahnitur nga dëshmitë e ish partizanëve në favor të Ajdinit, i cili po gjykohej për jetë a vdekje. Ky martir shfaqi gjatë viteve të zjarrtë një botkuptim të gjërë atdhetar dhe njerëzor. Partizanët nga ana tjetër dëshmuan bukurinë e mirënjohjes. Ata folën me zemër të pastër në favor të një kundërshtari, që i pat goditur me fisnikërinë e kulluar dhe me bukurinë e tij shpirtërore. Ata folën pa iu dridhur qerpiku në ndihmë të një njeriu të caktuar padrejtësisht për armik.

" I nënëshkruari Ilo Kristo Priftuli nga Hoçishti, partizan në Komandën e Rrethit në Bilisht, deklaroj se në kohën kur më kanë kapur për pushkatim në Cangonj, me akuzën se kishim marrë pjesë në vrasjen e një oficeri gjerman dhe dy ushtarëve gjermanë, të cilët janë vrarë në oborrin e shtëpisë tonë në Hoçisht në janar të vitit 1944, ka ndërhyrë energjikisht i qojturi Ajdin Kulla dhe na ka shpëtuar nga pushkatimi, si mua ashtu dhe vëllanë tim Pandi Priftulin. Korçë më 2 qershor 1945"

(Vijon firma e tij, vijojnë firmat e dëshmitarëve që ishin të pranishëm në noterizim, si edhe vula e noterit me datën kur kjo deklaratë u lëshua në favor të një ballisti. Shih faksimile e përfshirë në faqet me fotografi).

Deklarata të këtij lloji kanë lëshuar patizanë të tjerë, fshatarë nga Pojani, Zëmblaku, Hoçishti. Janë individë të cilët e kanë ndjerë të nevojshme t'i dalin në mbrojtje patriotit, mësuesit, humanistit... Në ato ditë të ashpra të qershorit të 1945 janë ngritur dhe kanë shkuar në Korçë në mbrojtje të një njeriu që pati meritën kryesore që çeta balliste e ungjit të tij nuk përdori, pothuaj, kurrë armët që mbante mbi supe, por arsyen që e mbante pakëz më sipër nga supet e shumë-shumë më sipër nga armët. Në sajë të lartësisë intelektuale të Ajdin Kullës bataljoni "Gjashtë Dëshmorët" në ato vite kaosi dhe turbullirash, arriti të shndërrohej në një njësi mbrojtëse ndaj keqbërësve, në një forcë me prirje kryesisht humanitare që ndihte të pafuqishmit dhe që administronte një rend, që njësi të tjera balliste të asaj pjese juglindore të Shqipërisë nuk e bënë kurrë.

Në një letër që dhjetë fshatarë të Pojanit firmosnin më 9 qershor dhe e shpinin atë në mejdanin e gjyqit, shohim mirënjohjen e pakufishme që shprehin ata ndaj burrit të mbërthyer në kryq nga Haznedari. Shohim një falnderim për përpjekjet e tij personale dhe të miqve të tij me peshë, për t'i shqitur këta fatkeqë nga kthetrat e fashistëve italianë, që deshin t'i ndëshkonin pojanakët në planet e një raprezalje. Dhe këta fshatarë e bënë këtë mbrojtje të mësuesit duke qenë fort të ndërgjegjshëm se nga regjimi diktatorial që po shtrohej këmbëkryq në Shqipëri do të kishin më shumë përfitim të heshtnin, bile më shumë përfitim akoma, po ta njollosnin mësuesin e vënë përpara gjyqit ushtarak. Mjaftojnë tërë këto deklarata dhe dëshmira, për të cilat, pas afro shtatëdhjetë vjetësh, mirënjohja jonë e veçantë u vete atyre arkivistëve të thjeshtë korçarë që i kanë përfshirë dhe ruajtur këto në dosjet gjyqësore dhe na bënë të mundur që t'ia njohim vlerat punës edukative të Ajdinit, kudo ku e shpuri pasioni i tij i mësimdhënies, në Moglicë, Pustec, Stropan e fshatra të tjerë të atyre viseve. Kjo gjuhë e bukur, e drejtpërdrejtë e këtyre njerëzve shndrit mes frazeollogjisë së drunjtë të gjeneral kolonel Enver Hoxhës, kapiten Haznedarit dhe hetuesve të gjeneralit Koci Xoxe.

Është një gjuhë e rrallë që vite më pas u bë edhe më e rrallë, deri sa u shua tërësisht, ngaqë pohimet e të vërtetave në këtë vend u bënë të rrezikshme.

Më 15 qershor të 1945s gjykata shpalli vendimet e procesit gjyqësor në ngarkim të grupit ku bënin pjesë Ganiu dhe Ajdini. Në ditët që pasuan, të dënuarit me vdekje formalisht i kërkuan autoriteteteve të shtetit të ri komunist faljen e jetës. Ishte e arsyeshme që disa prej këtij grupi të shpresonin ende në mëshirën e Hoxhës.

Ajdini nuk ishte nga ata. Ai e dinte që vendimi qe i prerë dhe fatosi idealist po përgatitej ta linte këtë jetë.

Testamenti i tij i shkruar më 18 qershor, ende pa ardhur përgjigja negative e firmosur nga Hoxha, e vërteton këtë. Ajo letër e hartuar në një gjendje të rëndë shpirtërore, megjithatë, ruan një kthjellësi dhe një besnikëri parimesh që të kërkon një përqëndrim mbinjerëzor ta përfytyrosh njeriun që e shkruan dhe ato që ai hedh mbi letër. Letra u fut në astarin e një pardesyje që ju dha zonjës Fatime Merdani, kushurirë e parë me Ajdinin, e cila e ruajti për ca kohë dhe më pas ia kaloi dorë pas dore, si një talisman të shenjtë por fort të rrezikshëm, Ylvies, kushurirës tjetër të tridhjetekatërvjeçarit të pushkatuar. Dhe kjo letër mbeti e paprekur dyzetepesë vjet në murin e një shtëpie në Dishnicë. Mbas zbulimit të tij ky testament është fotokopjuar e botuar mbi tridhjetë e ca herë deri tani.

Ja teksti i artë, dëshmi e një karakteri të rrallë burrëror, njerëzor, familjar, prindëror dhe

atdhetar. Është i shkruar me një dorë të vendosur e të pa tronditur nga vdekja që e prêt pas shtatë-tetë ditësh:

Testamenti im pas vdekjes

Me lutje t'u dorëzohet Mëmës, Vëllezërve, Zonjës dhe dy fëmijëve të dashur shumë.

Gjithëçka të ma bëni hallall.

Amanet gruan dhe dy fëmijët. Gruaja të pyetet, nëse do të mundet të qëndrojë pa u martuar... Ti, mëmë, ta mbash si çupë, dhe vëllezërit si motër; fëmijët, si dy fëmijë pa babanë e tyre të dashur.

Duhet ta dini që po vritem si shqiptar dhe jo si tradhtar. Për mua, të rrojë Shqipërija, të rrojë

Flamuri Kombëtar i Shqipërisë.

Po mundët, qëndroni së bashku pasi u ndamë.

Fëmijët mos m'i lini pa shkollë dhe sidomos, djalin, Jonuzin e dashur.

Motrën t'a doni dhe martojeni me një person të ndershëm dhe jo të pasur e rrezil.

Me vëllezërinë dhe kushurinjtë të shkoni mirë.

Miqtë t'i duani dhe t'i nderoni, ashtu siç dini ju.

Xhevitin ta martoni dhe nusen e këtij ta keni kujdes. Më vjen keq që s'e pashë Xhevitin...

Hamdiut, amanet motrën e tij, pra- zonjën time dhe dy fëmijët.

Merdanëve, amanet mëmën, vëllezërit, motrën, zonjën e të dy fëmijët...

Po të mundeni eshtrat e mia të m'i vendosni pranë babës tim të shumë dashur, në Zëmblak.

Largohem nga kjo jetë e rremë, i përvëluar si shqiptar për një Shqipëri që unë dëshiroja. Dhëntë Zoti, të vijë dita dhe ta gëzoni ju dhe të vegjëlit që do të vijnë pas nesh dhe gjithë ata që i

kanë thënë vetes shqiptarë të vërtetë.

Largohem nga kjo botë e gënjeshtërt pa i bërë njeriut as një të keqe, përveçse të mira. E do ta tregojë koha.

- Përfundoj duke u larguar nga kjo jetë i mallosur dhe i dashuruar prej jush, vëllezërisë e miqësisë. E Zoti na pjektë në jetën tjetër.

Juaji, i pa haruar

Ajdin Jonuz Kulla

Në burgun e Korçës, 18/ VI / 1945

(Shih faksimilen mes fotografive)

Nuk është sprovë letrare shkrimtarësh me imagjinatë të pasur, jo. Është pasqyrë e vërtetë shpirtërore e një njeriu që u përgatit për një jetë të gjatë dhe të dobishme dhe po e le në mes. Nuk është një shkrim publik, por janë ca porosi intime, familjare, me një gjuhë të pjekur pleqërishte. Ia drejton s'ëmës së moshuar dhe i flet asaj edhe për ...flamurin kombëtar! O Zot! E pabesueshme! Do t'ia kishin zili demagogët e mbarë botës, të cilët i kalojnë tri të katërtat e jetës me mikrofon te goja! Në cilat burime të kulluar e të dlirtë patriotizmi u mëkua ky njeri?! Nuk është nisur nga kjo letër e fshehtë, por nga opinioni që u formua nga akuzat dhe haznedarllëqet e procesit, ai sekretar gjyqi që në motivacionin e pushkatimit, ve të zezë mbi të bardhë se "Ajdin Kulla dënohet me vdekje me pushkatim, si pjestar i organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar dhe për propagandimin e Shqipërisë etnike" Dakord, për Ballin Kombëtar e mirëkuptojmë cilësorin e shpifur "tradhtar", që na buçiti në veshë një jetë të tërë dhe nuk do të rrijmë ta kundërshtojmë përsëri këtë profkë... Por, pushkatohet një njeri sepse i kërkon të tëra viset shqiptare tok?! Është ky një shkak për ndëshkim, apo për dekorim? Si mund të shkruhet e të lëshohet nga një shqiptar tjetër që rron, një dokument me firmë dhe vulë shtetërore, për një shqiptar tjetër që është vrarë?! Që është vrarë, ngaqë e desh shumë flamurin dhe Shqipërinë! Si nuk oshëtijnë me tërbim malet, ai i Tomorit, i Sharit, i Korabit dhe ai i Dukagjinit?! Si nuk gjëmojnë me vrer luginat, pllajat, kodrat e Rrashbullit, të Mallakastrës dhe Igumenicës?!

Ja për këtë e pushkatuan antikombëtarët e pafe të Enver Hoxhës, Ajdin Kullën! Në tërë ato séanca gjyqësore, nuk doli asnjë nënë që ta tregonte me gisht që i pat vrarë djalin, burrin, vëllanë. Nuk u shfaq asnjë dëshmitar që të thosh, se ky njeri me pamje burrërore, i kish vrarë nënën, motrën, shokun. E megjithatë i faturuan një faj edhe më të madh se vrasjet: se pat ligjëruar për viset e vojtura shqiptare matanë kufijve! Dhe e dënuan! Dhe gjyqi nuk bëhej në Beograd!

Si nuk shpërblehet por asgjësohet një njeri kaq i lirë, që në një gjyq komunist thotë se ai pat zgjedhur një parti më të mirë se ajo komunistja?! A nuk të frymëzon një i ri i tillë, që e do jetën e megjithatë, nën tytat e pushkëve që shquheshin në të katër anët e sallës, nuk e ndërron gjuhën, por vazhdon e flet për të metat dhe gabimet e lëvizjes Nacional Çlirimtare?!

Duke iu kthyer shpirtit të këtij njeriu të vyer, që është i shpalosur në ato fletë të "testamentit pas vdekjes" më mrekullon shkalla e lartë e emancipimit, rrokja e gjërë e problemeve që ndjente se do të lindnin pas ikjes së tij. "Gruaja të pyetet, nëse do të mundet të qëndrojë pa u martuar... Ti, mëmë, ta mbash si çupë, dhe vëllezërit si motër..." Zonja Fidarie qëndroi. Testamenti i murosur nuk ra në duart e familjes, por ajo qëndroi. Dhe i rriti fëmijët ashtu e frymëzuar nga dashuria e pashuar për të shoqin. Dhe nëna nuk e mori letrën, por e mbajti nusen e djalit si bijë. Dhe vëllezërit nuk e lexuan kërkesën prekëse të vëllait, por e mbajtën kunatën, këtë vejushë të parakohëshme, si motër. Jeta paskesh ruajtur për këtë zonjë të denjë të Ajdin Kullës tërë vuajtjet që mund t'i shkojnë në mend një njeriu që ka jetuar kalvarin enverian: pushkatimin e të shoqit, arrestimin e vet, arrestime në mes të natës të vëllezërve të burrit edhe të kushurinjve të tyre, arratisje masive të pjesëtarëve të familjes, varje dhe pushkatime të tjera, bastisje, zhvendosje, internime dhe një luftë të egër klasore gjysmë shekullore mbi të dhe mbi fëmijët e saj të pambrojtur...

Në një hotel të bukur të Prishtinës, gjatë netëve të një vizite, aty nga muajt e parë të lirisë kosovare, më dilte rregullisht gjumi pas mezit të natës. Bluaja qindra mendime që më shumë ma largonin, se sa ma ndillnin gjumin përsëri. Edhe ndihesha i lodhur, edhe nuk më flihej! Në dy netët e para shfletoja librin që kisha marrë me vete që nga Nju Jorku dhe kështu më zinte mëngjesi.

Natën e tretë librin e pata mbaruar së lexuari dhe mbërtheva sytë në tavan. Pastaj pashë orën. Po afronte mëngjesi. Netët e fundit të qershorit janë shumë më të shkurtëra. Dola në ballkon dhe po shihja kryeqytetin e dashur të Kosovës, ashtu, të përgjumur. Makinat e para të shpërndarjes të artikujve mëngjesorë nuk kishin filluar akoma të lëviznin. Zbrita poshtë në bar-kafenë që nuk mbyllej kurrë dhe porosita një raki. Dritat e bar-kafesë ishin unjur dhe atmosfera e pasmesnatës e kish mbështjellë tërë lokalin. Kish njerëz nëpër qoshet e tij, por ata pinin duhan dhe ishin të heshtur si kurrë ndonjëherë.

Unë kërkova edhe një raki të dytë.

Kur më vunë përpara gotën e re, mua më zuri syri një njeri me një kostum gri që pat hequr xhaketën, rrinte në jelek, me grushtin nën mjekër dhe shikonte jashtë xhamave, teksa dorën e majtë e mbante në xhepin e panatallonave. Flokët i kishte të krehur shtrirë përpjetë, pa vijë ndarëse. Shikimin e kishte tretur jashtë, në trotuarin më të afërt e në dyqanet përballë, gati të mbuluar me postera që kishin portretin e Bill Klintonit.

M'u duk një figurë e njohur. Diku e kisha parë atë njeri. Ishte mjaft larg dhe dritat e zbehta nuk më ndihmonin ta shquaja mirë. Ose, ndofta... dritat me zbehtësinë e tyre më ndihmonin që unë të shihja një njeri të njohur, por të pamundur kurrsesi, që të ish atë çast aty.

Nuk po ia ndaja sytë. Më në fund ai ktheu vështrimin nga unë. Nuk munda t'ia lexoja shprehjen që mund t'i kish marrë fytyra pasi ai u ndesh me shikimin tim. Si i bezdisur ktheu me vërtik kokën nga xhamat e barit të hotelit, andej nga po sodiste më parë.

Kërkova kamarjerin që të paguaja dhe të mund të shkoja në një vend më afër njeriut që

po e njihja. Ndërsa po paguaja, shkëputa sytë prej tij dhe kur ndava llogaritë me kamarjerin, vura re se ai nuk ishte më aty. Kish rrëmbyer xhaketën dhe ishte larguar.

- Ku shkoi ai?!

- Cilli? Kamarjeri plak më pa me habi.

- Njeriu që qe ulur aty, pak më parë?

- Nuk e pashë, zotni. Unë nuk shërbej nga ajo anë dhe nuk i kushtoj vëmendje. Mund

të ketë dalë. Po afron mëngjesi.

U ngrita dhe u drejtova nga dera. Kur kalova pranë tavolinës, ku pat qenë ulur ai, pashë

se sipërfaqja e saj ishte e pastër dhe pa asnjë mbetje përsipër. Pa asnjë shenjë jete. Edhe karriget dukeshin sikur nuk ishin lëvizur.

Shpejtova hapat dhe iu afrova rojes te porta e hotelit.

- Mos patë të dalë jashtë një ...mikun tim? e pyeta. Dhe ndërsa roja nuk përgjigjej

unë vazhdova: Me një kostum gri, me jelek... kravatë...? Dorën e majtë futur në xhep dhe flokët i mban të krehur lart...? Pa vijë...?

Roja mblodhi supet. Mezi kish pritur që unë të mbaroja.

- Askush nuk ka kalue këndej, zotni! Shif se mbase ka lëvizë tutje... Te ashensori m'u

ba se pashë do njerëz.

Ktheva kokën andej. Para ashensorit nuk ndodhej më askush.

- Të ketë shkuar në dhomën e tij, thua?

- Nuk di, tha roja. Ka shkue në dhomë... A në terracë, beqim...

- Dalin njerëzit në këtë orë në terracë?!

- Ou! Plot! Të rinj dhe të reja, që nuk kanë gjumë. Turistë. Nuk u mjafton dita dhe

dalin e ngopen tue pa Kosovën natën. Kosovën e lirë. Netët kosovare, pa patrulla serbe! Ai, miku yt, a e don Kosovën?

- Fort! i thashë me ashk. Dhe e përforcova: Jashtzakonisht, shumë!

- Aty do ta gjesh! më tha i sigurtë prishtinasi.

Te ashensori shkova gati me vrap. Zemra më rrihte fort. Kanatat u hapën dhe unë u futa

brënda. Shtypa pulsantin e terracës dhe ashensori më mori lart. Zemra po më shkallmonte kraharorin dhe lotët më rridhnin çurg teksa ngjita të nëntë katet.

Kabina ndaloi dhe unë e kalova dhomëzën e vogël me ngut për të dalë në kurrizin e

hotelit.

Ajri i freskët më ra në fytyrë. Nuk kishte shumë njerëz, por njeriu që ndiqja unë do të

gjendej pa tjetër atje. Ylli i Mëngjesit shkëlqente dhe jepte dritë. Pashë çifte të dashuruarish, mbështetur në parvazin e gjërë të terracës. Të rinjtë putheshin dhe çuçurisnin me zë të ulët.

Më në fund e pashë atë që kërkoja. Ishte diku në skaj, prapa një oxhaku që mbinte nga sheshi i terracës. Vendosa t'i afrohesha, por rrahjet e zemrës më bënë të mos nxitohesha. Ndeza një cigare dhe duke e thithur luhatesha t'i afrohesha me riskun që ai të më zhdukej përsëri, apo ta sodisja, vetëm ta sodisja nga larg?

Po gdhihej 27 qershori... Në një natë të tillë, në Meratë e Bilishtit... një skuadër ekzekutimi shënjoi një njeri që ish i marrosur, vërtet i marrosur nga një dashuri që tani miliona njerëzve u duket e demoduar.

- Zotëri, a mund ta ndez?

Një djalë i ri kish lënë vajzën mbështetur në skaj të terracës dhe me cigaren në buzë

afroi fytyrën tek unë. Pasi e ndezi dhe ai cigaren e tij, me mirësjellje më pyeti disi i habitur:

- Ju ka ndodhur gjë? Keni nevojë për ndihmë? Ju po lotoni.

- Asgjë, ia ktheva. Faleminderit.

Nxora një fije letër të butë nga zarfi plastik që mbaja në xhep dhe fshiva sytë. Nuk

guxoja të shikoja andej nga ana e oxhakut, që dukej si i mbirë prej sheshit të terracës. Hej, dreq! Sapo unë shkëmbeja fjalë me një të gjallë, imazhi i të vdekurit më ikte. Vetëm unë e shihja atë. Sa netë pata kaluar duke menduar për të. Vite me radhë. Në Tiranë, në Korçë, në Zëmblak, rrugëve të Devollit, në Gjermani, Nju Jork, Uaterbëri... Sa herë kisha nxjerë dhe kisha lexuar kopjen e testamentit të tij, atë të vendimit të Gjykatës Ushtarake të Korçës që dashurinë për atdheun e dënonte me pushkatim!...

E kotë ta ktheja kokën andej. Nuk do ta gjeja. Aq më tepër që po frynte flladi i mëngjesit të Prishtinës.

Prapëseprapë nuk e mposhta dot ngasjen. Dhe e ktheva kokën: nuk ishte!

Zbrita përsëri në bar. Kërkova një raki tjetër që më erdhi sakaq përpara. E piva me një të sprapsur të kokës.

Nuk ishte hera e parë që më ndodhte një shajni e tillë. Më pat ndodhur edhe një herë tjetër, në vitin 1995, në një teatër të San Franciscos, tek jepte shfaqje Royal Orchestra e Londrës. Ishte një violinist aty që më dukej sikur shihja veten time siç e shoh ndonjëherë në ndonjë nga ato filmimet që na bëjnë fëmijët, shokët ose kameramenët. Ai atje më ngjante mua tmerrësisht shumë! I njëjti ballë, të njëjtat vetulla. Kur priste radhën e hyrjes së violinës së tij, njësoj si unë e prekte nganjëherë hundën me kurrizin e dorës. Unë nuk e hoqa fare më mendjen nga pjesët orkestrale dhe nuk trokisja duart si të tjerët. Ndiqja veten time dhe më dukej e habitshme, se si një njeri si unë, mund t'i bjerë violinës?! Vendosa ta kontrolloja me imtësi flet-volanten dhe emrat e orkestrës dhe do të shkoja në atë hotel ku i kishin strehuar, do të trokisja në portë... Dhe ai do të rrotullonte çelësin do të ma hapte derën dhe me buzëqeshje do të më thosh: "më gjete?"

Unë e dija pandehmën që qarkullon, atë që në tërë botën njerëzit janë dy e nga dy. Ajo thotë se ekzistojnë dy njerëz, si dy pika uji, krejt të ngjashëm me njëri tjetrin, por ata nuk takohen kurrë. E pra ata kanë lindur në një ditë dhe vetvetiu kanë të njëjtën moshë...

Kur atë mbrëmje orkestra përfundoi koncertin, instrumentistët përshëndetën si grup dhe u hoqën me qetësi në thellësirat e prapaskenës. Unë dola nga teatri dhe dalëngadalë u kthjellova. E pranova që kisha patur një shajni e natyrisht hoqa dorë nga vajtja në hotelin ku mund të na kishin vënë ne, violinistëve. Isha si i shokuar. Ishim me të njëjtën lartësi shtati e në të njëjtën moshë!

Kurse ky njeriu që kisha parë në bar-kafe dhe përmbi terracë, po të qe ai që mendoja unë, atë ditë duhej të ishte afro nëntëdhjetë vjeç! E nuk duhet të ndodhte që njëri të qe pushkatuar dhe i dyti të jetonte edhe gjysmë shekulli më shumë.

Kamarjeri plak ishte ende aty. Po më shikonte me trishtim, shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë.

- Të vdekurit, nuk plaken, apo jo? i kërkova mendje. Le të kalojnë vitet, me dhjetra,

me qindra... Apo jo?

- Nuk plaken, aspak. ma ktheu ai. Ata ruejnë pamjen ma të bukur që ti u ke pa

ndonjiherë.

Kamarjeri i thinjur tërhoqi një karrige dhe u ul pranë meje.

- A vijnë të vdekurit hera-herës pranë nesh? pyeta përsëri mendueshëm unë.

Tjetri rrudhi ballin para se të më përgjigjej.

- Vijnë, kur ikin nga kjo botë të pa nginjur... Kur e kanë lanë këtë botë me një lamsh të

pazgjidhun... Sidomos, kur kanë vdekë pa mbushun nji andërr të madhe... Pastaj, Ylli i Mëngjesit u jep shenj' dhe ata ngjiten përsëri aty, n'amëshim.

Dhe me drojën se po më lëndonte, më pyeti. E kish zbërthyer besnikërisht gjendjen time dhe më pyeti:

- Ai ... qe i ardhuri?

- Po.

- Kush e solli, lamshi? Apo andrra?

- Andrra.

Plaku u ngrit.

Më lumturove, tha dhe u largua.

(Marre nga libri "JO GJITHË TË VDEKURIT PREHEN NË PAQË" i autorit Pellumb Kulla)

PËLLUMB KULLA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DY FJALË NGA AUTORJANga ELIDA BUÇPAPAJ (06.30.2012)
POEZI E FRYMËZIMEVE NEOIMAZHISTE, E TUNDIMEVE SIMBOLISTE DHE E REBELIMEVE TRONDITËSE SUREALEPër librin poetik "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT" të ELIDA BUÇPAPAJTNga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.30.2012)
BAMIR TOPI: KOSOVA ËSHTË NJË DHE E PANDASHME (06.29.2012)
MBROJTJE DHE PENGESË-Gjeografi… nga vendlindja-Nga ZEQIR LUSHAJ (06.29.2012)
"New York Times": TREGU I ZI I ORGANEVE NJË FENOMEN I RI NË SERBI (06.29.2012)
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT" (06.29.2012)
DEPUTETËT E KOSOVËS JANË RRAHUR ME NJËRI TJETRIN NË MJEDISET E KUVENDIT - KDI REAGON (06.28.2012)
VIDOVDANI DHE POLITIKA MITOMANE E SERBISË (06.28.2012)
VIDOVDANI I INCIDENTEVE ME 32 POLICË TË PLAGOSUR (06.28.2012)
PËRPLASJE TË POLICISË SË KOSOVËS ME SERBËT NË MERDARE (06.28.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart�]