E Mërkurë, 04.24.2024, 05:26am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
ARIU RUS DHE SANTA KLAUSI FINLANDEZ
Nga SHABAN MURATI

E Martë, 07.03.2012, 11:13am (GMT+1)



Ariu rus dhe Santa Klausi finlandezNëse dëshironi të dini një kalibër matjeje të karakterit dhe të përmbajtjes së një politike të jashtme apo të një diplomacie, mjafton të shihni se si një shtet sillet ndaj vendeve nordike, të cilat janë etaloni i standardit të shtetit demokratik dhe i të drejtave të njeriut, i civilizimit në jetën e brendshme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndaj fushata e re e shantazhit dhe e kërcënimeve, që ka nisur papritur Rusia ndaj Finlandës, është pak për të thënë që ka lënë me gojë hapur shtetarë e diplomatë, e madje edhe ata analistë, të cilët janë të prirur ta trajtojnë me indulgjencë Rusinë në veprimet e saj agresive në arenën ndërkombëtare. Të kërcënosh Finlandën dhe shtetet nordike është kapërcimi i linjës së kuqe të sjelljes diplomatike të një shteti, ku as Rusia, as diplomacia ruse dhe as filorusët në Europën Lindore apo në Ballkan, nuk kanë me çfarë të mbrohen më. Në fakt nuk mund të quhet fushatë, por formulim i një politike shtetërore dhe zyrtare, përderisa vetë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në 22 qershor, kërcënoi Finlandën që të mos synojë të bëhet anëtare e NATO-s se do të humbë sovranitetin e saj, dhe vazhdoi me skenarët hipotetikë, tipikisht sovjetikë, se nëse Finlanda bëhet anëtare e NATO-s dhe nëse NATO do të vendosë të dislokojë elemente të sistemit të saj antiraketë në territorin finlandez, Rusia do të ndërmarrë masa ndëshkuese. Dhe që arroganca imperiale e carit të ri të Kremlinit të servirej sa më krudo, presidenti rus i bëri këto deklarata para shtypit, menjëherë sapo doli nga takimi me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, në Sant Petersburg.
Vladimir Putin në fakt sanksionoi apo zyrtarizoi politikën e re të protektorit, që ka adoptuar Kremlini ndaj Finlandës dhe vendeve nordike, dhe të cilën e shpalosi po me arrogancë dhe pa asnjë etiketë diplomatike apo mirësjelljeje edhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, gjenerali Nikolaj Makarov, i ftuar në një konferencë shkencore në kryeqytetin finlandez në fillim të qershorit. Në mes të Helsinkit gjenerali mysafir rus, jo vetëm i kërkoi Finlandës që të mos i shkojë ndërmend të bëhet anëtare e NATO-s, por shkoi në absurditetin duke thënë se bashkëpunimi i Finlandës dhe i vendeve nordike në fushën e mbrojtjes me NATO-n, konsiderohet nga Moska si një kërcënim për Rusinë.
Zhvillimi i papritur, - që presidenti i ri rus, në serinë e tretë të mandatit të tij presidencial, vendosi të çelë një kapitull të ri shantazhi dhe kërcënimi ndaj një shteti model paqësor dhe neutral si Finlanda, - nuk mund të mos shtyjë të kërkosh motivet dhe domethënien e një kursi të tillë jonormal shtetëror dhe diplomatik. Kjo duhet parë si një përpjekje e Rusisë për t'i dërguar mesazhin e ri shtetit, popullit dhe qeverisë së Finlandës, se Rusia i konsideron tani shtetet fqinje sikur i përkasin sferës së saj të influencës. Sipas këtij mesazhi putinian, Finlanda duhet të marrë mendimin dhe miratimin e Moskës për çështjet e saj të interesit kombëtar, të strategjisë së saj kombëtare dhe të politikës së jashtme. Me të drejtë shteti finlandez reagoi dhe ministri i Mbrojtjes i Finlandës, Karl Haglund, deklaroi në 29 qershor se Finlanda nuk do të marrë urdhra nga Rusia për strategjinë e vet të mbrojtjes. Ministri i Jashtëm veteran Erki Tuomioja, udhëzoi që në fillim të qershorit të ndërmerreshin përçapje diplomatike dhe t'i kërkoheshin Moskës sqarime për deklaratat e gjeneralit Makarov, të cilat shefi i diplomacisë finlandeze i përkufizoi si një jehonë e Luftës së Ftohtë.
Me qëndrimin e ri të Rusisë ndaj Finlandës kemi një shkallëzim të rrezikshëm agresiv të doktrinës ruse të politikës së jashtme. Duket si një ringjallje e doktrinës famëkeqe të "sovranitetit të kufizuar", që adoptoi Kremlini në kohën e Leonid Brezhnjevit, pas pushtimit të Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1968. Nëse deri tani Moska i ishte përmbajtur në politikën e saj të jashtme doktrinës të së drejtës së sferës së influencës së Rusisë në gjithë hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik, pra në të gjitha shtetet që u krijuan pas shembjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, tani kalohet në një ambicie dhe pretendim më të avancuar. Tani pretendimi i Moskës shtrihet edhe në drejtim të shteteve fqinje të Rusisë, të cilat nuk kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, por të cilat, sipas pikëpamjeve që i shprehu pa doreza shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, gjenerali Makarov, në Helsinki, konsiderohen nga Kremlini si pjesë e sferës së influencës ruse. Finlanda nuk ka qenë pjesë e Bashkimit komunist Sovjetik, por një shtet fqinj i tij, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore u sulmua ushtarakisht nga Moska dhe të cilit iu pushtuan territore të shumta, një pjesë e mirë e të cilave janë edhe sot e kësaj dite në zotërim rus. Finlanda nuk ka qenë as ish-republikë e Bashkimit Sovjetik dhe as anëtare e Traktatit ushtarak të Varshavës, të sunduar nga Moska. Finlanda ka qenë dhe është thjesht dhe vetëm një shtet fqinj me një Rusi, që ka ambicie globale të sundojë shtetet dhe popujt e tjerë, dhe që i jep vetes të drejtën e pretendimit për të të diktuar kursin strategjik të interesave kombëtare finlandeze.
Në drejtim të rajonit nordik të Europës, që konsiderohet më i qeti dhe më i stabilizuari i kontinentit, shohim të lëshohen valë të një politike, e cila mund të prodhojë tensione dhe konflikte në një formë apo tjetër në të ardhmen, sidomos po të kemi parasysh se gjeneratori i tensioneve atje po bëhet Rusia. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse arriti deri sa atje, sa t'u kërkojë qeverisë dhe ushtrisë finlandeze të mos zhvillojnë më as stërvitje ushtarake në tokën finlandeze, një absurditet i cili flet se sa larg po shkojnë me mentalitetin dhe megalomaninë e tyre caristo-sovjetike udhëheqësit e sotëm të Rusisë.
Qëndrimi ri agresiv i Rusisë ndaj Finlandës hap dyshime dhe pikëpyetje të mëdha se si do të ecë politika dhe strategjia e Rusisë ndaj gjithë shteteve fqinje të saj, mes të cilave një pjesë e mirë janë shtete anëtare të NATO-s. Duke u përpjekur t'u imponojë shteteve fqinje influencën e saj, Moska e vendos veten në një kuotë të re konflikti të ashpër interesash me Aleancën Atllantike dhe me të gjitha shtetet anëtare të saj.
Ajo, që e bën akoma më të errët këtë impostim të ri agresiv të Rusisë ndaj Finlandës dhe ndaj shteteve nordike, është fakti se as Finlanda dhe as Suedia nuk e kanë shtruar çështjen e anëtarësimit të tyre në Aleancën Atllantike dhe anëtarësimi, një e drejtë sovrane e qeverive dhe e popujve nordikë, nuk është në rendin e ditës së politikës finlandeze apo suedeze. Por Moska, me mentalitetin e Luftës së Ftohtë ndërton dhe sajon skenarë, ku e gjithë bota dhe shtetet, qofshin dhe ato klasike neutrale dhe paqedashëse si Finlanda dhe Suedia, shihen me sindromën komunisto-sovjetike të armikut, që kërcënon interesat e Rusisë, nëse nuk është e varur nga Rusia..
Me një qëndrim të tillë ndaj Finlandës, mendojmë se Rusia manifeston kompleksin e frustracionit të një shteti, i cili ka pushtuar me dhunë dhe mban padrejtësisht territore të shtetit fqinj. Është një kompleks arrogance, që përgjithësisht e kanë ato shtete, të cilat kanë territore të shteteve fqinje në hartat e tyre. E vërteta historike është se Karelia është territor historik dhe etnik finlandez, pavarësisht se ndodhet tani brenda kufijve të Rusisë dhe pavarësisht se Helsinki, me gjakftohtësinë dhe largpamësinë tipike nordike, ka deklaruar se nuk ka rivendikime territoriale. E vërteta historike nuk retushohet dhe kjo është kaq e vërtetë, sa që presidenti i parë i Rusisë postkomuniste, Boris Jelcin, në atmosferën e viteve të para të demokracisë, pat deklaruar se është gati të nisë bisedimet për kthimin e Karelias popullit finlandez dhe madje pat përcaktuar edhe një çmim prej 15 miliardë dollarësh, si shpërblim për këtë kthim. Me ikjen e presidentit Jelcin nga Kremlini dhe me ardhjen e pasuesit të tij Putin, iku dhe ky premtim presidencial, dhe presidenti i ri ambicioz i Rusisë, i cili e ka cilësuar shembjen e Bashkimit Sovjetik si katastrofën më të madhe gjeopolitike, shpalosi ëndrrën e ringjalljes së Bashkimit Sovjetik. Vladimir Putini e nisi këtë ëndërr imperiale me pushtimin me forcë të pjesëve të territorit gjeorgjian me agresionin rus të gushtit 2008-të dhe tani në mandatin e tij të tretë po nxitohet të hyjë në tunele të reja gjeopolitike, duke pretenduar për shtrirjen e sferës së influencës edhe në shtetet fqinje jo ish-sovjetikë.
Këto erëra të acarta të politikës ruse drejt vendeve nordike, në një pjesët nga më të zhvilluarat ekonomikisht dhe shoqërisht, dhe ndër më paqësoret e më të civilizuarat e kontinentit europian, nuk mund dhe nuk duhet të kundrohet sikur po ndodh përtej hapësirave. Ato sugjerojnë alarmet të mbahen ndezur, siç kërkojnë edhe një mbështetje të fortë për Finlandën dhe shtetet e tjera nordike nga të gjitha shtetet europiane, që e kanë të shtrenjtë demokracinë, lirinë dhe vlerat e civilizimit perëndimor.
Kemi një politikë të re nordike të Rusisë, por kemi edhe një politikë të re globale ruse, e cila mund të krijojë dhe insinuojë precedentë edhe për rajone të tjera. Kur Rusia e bën këtë me shtete neutrale dhe paqedashës klasikë si Finlanda, Suedia, etj. ajo mund të ndërmarrë më të pamendueshmen me rajone si Ballkani. Nesër mund t'i teket Putinit apo ndonjë cari tjetër rus të shpallë pretendimin e sferës së influencës për shtetet, që kanë qenë anëtarë të Traktatit të Varshavës, si Shqipëria, apo për shtete, ku ka pasur baza ushtarake ruse, si Shqipëria. Ndaj politika, qeveria dhe shteti shqiptar duhet të mendohen katër herë, kur ftohen të ndërmarrin atë hap sa të rrezikshëm, aq edhe idiot shtetëror, si Traktati i Miqësisë dhe i Bashkëpunimit me Rusinë, për të cilin diplomacia ruse po bën presione të paimagjinueshme mbi Tiranën për ta nënshkruar.
Mënyra se si Rusia po sillet ndaj Finlandës dhe shteteve të tjera nordike, është një sinjal se presidenca e tretë e Vladimir Putinit do të jetë edhe më agresive, edhe më arrogante se dy të parat dhe mund të priten më shumë tensione të reja në kontinentin e vjetër, me vlerat dhe ekzistencën e të cilit Rusia recidiviste e pansllavizmit e ka shumë të vështirë, në mos të pamundur, që të bashkëjetojë. Në këtë përfundim të hidhur të çojnë hakërrimat e ariut rus kundër Santa Klausit finlandez.
SHABAN MURATI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
"Christian Science Monitor": PESË MËSIMET NGA KOSOVANga HASHIM THAÇI, kryeministër i Kosovës (07.03.2012)
GJAKMARRJA KA PERËNDUAR ME KOHË E ME VAKTNga ÇAPAJEV GJOKUTAJ (07.02.2012)
JO GJITHË TË VDEKURIT PREHEN NË PAQËNga PËLLUMB KULLA (07.01.2012)
DY FJALË NGA AUTORJANga ELIDA BUÇPAPAJ (06.30.2012)
POEZI E FRYMËZIMEVE NEOIMAZHISTE, E TUNDIMEVE SIMBOLISTE DHE E REBELIMEVE TRONDITËSE SUREALEPër librin poetik "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT" të ELIDA BUÇPAPAJTNga SKËNDER BUÇPAPAJ (06.30.2012)
BAMIR TOPI: KOSOVA ËSHTË NJË DHE E PANDASHME (06.29.2012)
MBROJTJE DHE PENGESË-Gjeografi… nga vendlindja-Nga ZEQIR LUSHAJ (06.29.2012)
"New York Times": TREGU I ZI I ORGANEVE NJË FENOMEN I RI NË SERBI (06.29.2012)
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT" (06.29.2012)
DEPUTETËT E KOSOVËS JANË RRAHUR ME NJËRI TJETRIN NË MJEDISET E KUVENDIT - KDI REAGON (06.28.2012)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]