VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KATËR LIRITË THEMELORE TË NJERËZIMIT
(Pjesë nga fjalimi në Kongresin e SHBA, 1941)
Nga FRANKLIN DELANO ROOSEVELT, Presidenti i 32të i SHBA

E Mërkurë, 07.04.2012, 08:13am (GMT1)




...Nuk ka asgjë misterioze për ndërtimin e një demokracie të fortë dhe të shëndetëshme. Gjërat themelore që priten nga populli sa iu përket sistemeve politike dhe ekonomike janë të thjeshta. Ato janë:

* Mundësi të barabarta për rininë dhe të tjerët.
* Punë për ata që mund të punojnë.
* Siguri për ata që kanë nevojën e saj.
* Fundi i privilegjeve për pakicën.
* Ruajtja e lirive qytetare për të gjithë

* Përfitimi i fruteve nga arritjet shkencore në të mirë të rritjes të standartit të jetesës.

Këto janë sendet themelore që nuk duhet të na ikin kurrë prej qendrës të vemendjes pavarësisht kompleksitetit të pabesueshëm me të cilin ne na rrëmben bota jonë moderne. Fuqia e brendëshme dhe e qendrushme e sistemeve tona politike dhe ekonomike është e varur nga shkalla në të cilën ata i përmbushin këto detyrime...

Për të ardhmen, që ne kërkojmë ta bëjmë të sigurt, ne shikojmë përpara për një botë të bazuar në katër liritë themelore të njerëzimit të cilat janë:

Liria e parë është liria e fjalës dhe shprehjes kudo në botë.

Liria e dytë është liria e besimit për seicilin që ta besojë e adhurojë Zotin në mënyrën e tij në të gjithë botën.

Liria e tretë është sipas vullnetit, dëshirës dhe nevojës e cila, duke u përkthyer në terma botërorë kupton zhvillim ekonomik i cili do t"˜i sigurojë çdo kombi një jetë të shëndetëshme dhe në paqe për të gjithë banorët kudo në botë.

Liria e katërt është liria ose çlirimi nga frika e cila përkthehet në termat botërorë si reduktim në të gjithë botën i armatimeve deri në atë pikë dhe në mënyrë të tillë që asnjë komb të mos jetë në gjendje për të kryer një agresion fizik kundër një vendi tjetër kudo në botë.

Ky nuk është vizioni i një mijëvjeçari të largët. Këto janë themelet e një bote të arritëshme në kohën tonë dhe për gjeneratat tona. Kjo botë është në antitezë të plotë me të ashtuquajturin rendin e ri të tiranisë (jemi në vitin 1941, Presidenti Roosevelt e ka fjalën për Hitlerin dhe aleatët e tij shënim i përkthyeses), të cilin diktatorët kërkojnë ta krijojnë me hedhjen e një bombe.

Rendit të ri të tiranisë ne i kundërvihemi me konceprim më madhështor atë të rendit të mbështetur në moralin. Një shoqëri e mirë është e aftë që të përballet me skemat e dominimit botëror njësoj si dhe revolucionet e huaja pa frikë.

Prej fillimit të historisë të Amerikës, ne kemi qenë të angazhuar drejt ndryshimit përgjatë një revolucioni të vazhdueshëm paqsor -- një revolucion i cili shkon në mënyrë të qendrushme, qetësisht, duke e përshtatur veten me kushtet e ndryshuara dhe ndryshime pa kampe përqendrimi ose gropa me gëlqere të pashuar.

Rendi i ri të cilin ne jemi duke u përpjekur ta ndërtojmë ka në themel bashkëpunimin me vendet e lira, të cilat punojnë së bashku në një shoqëri miqsore dhe të civilizuar.

Ky komb e ka vënë fatin e tij në duart, kokat dhe zemrat e milionave burrave dhe grave të tij të lirë; dhe besimin e tij e ka mbështetur tek liria dhe drejtimi i Zotit. Mbështetja jonë shkon tek të gjithë ata që luftojnë t'i fitojnë e t'i mbrojnë e ruajnë këto të drejta. Forca jonë është uniteti jonë në qëllimin që kemi.

Për ta përmbushur këtë koncept të lartë, s'ka rrugë tjetër, veç fitores.


Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.