"Myslimanët në botë janë të bashkuar në besimin në Zot dhe profetin
Muhamed, por ekzistojnë dallime të mëdha lidhur me shumë aspekte të tjera të
besimit - përfshirë rëndësinë e fesë në jetë, praktikat e pranueshme për
Islamin dhe përkushtimin e besimtarëve në zbatimin e rregullave fetare",
vë në pah raporti i fundit i Forumit mbi Religjionin dhe Jetën publike të
organizatës The Pew Research Center.
Në kuadër të më shumë se 38 mijë intervistave në mbi 80 gjuhë në ndryshme të
zhvilluara në 39 shtete, hyn edhe Kosova.
Raporti vë në pah qëndrimet e të intervistuarve ndaj parimeve fetare, formave
të tjera të besimit, interpretimit të Kur'anit, kritereve që e përcaktojnë të
qenit mysliman, sekteve të ndryshme myslimane dhe ndaj përkushtimit fetar.
Për dallim nga vendet si Afrika, Azia Juglindore dhe Azia Lindore ku feja
konsiderohet të ketë një rol "shumë të rëndësishëm" në jetën e qytetarëve, "
feja luan një rol më pak të rëndësishëm për disa myslimanë - veçanërisht në
shtetet që kanë dalë së fundi nga komunizmi".
Në të dhënat për vendet e rajonit, Kosova prin me 44 për qind kur bëhet fjalë
për rëndësinë që ka feja në jetën e qytetarëve. Se feja zë vend të rëndësishëm
në jetën e tyre janë deklaruar 36 për qind të boshnjakëve të intervistuar,
ndërsa 15 për qind e qytetarëve në Shqipëri kanë thënë se feja zë vend qendror
në jetën e tyre.
Dallimet e ngjashme ndërmjet këtyre vendeve dalin në pah edhe kur bëhet fjalë
për interpretimin e rregullave islame.
Forumi i The Pew Research Center pyeti myslimanët e intervistuar se a ka vetëm
një apo më shumë interpretime të fesë islame dhe teknikave për praktikimin e
saj.
Raporti vë në pah se 52 për qind të kosovarëve të intervistuar besojnë se ka
vetëm një formë të intepretimit, përderisa 21 për qind mendojnë se ka më shumë.
Për 41 për qind të myslimanëve të Shqipërisë thuhet se ekziston një interpretim
i vetëm i Islamit, ndërsa 23 për qind të tyre e thonë të kundërtën.
Pak më ndryshe janë perceptimet në Bosnjë mbi çështjen e shtruar: 75 për qind
prej tyre thonë se nuk ka interpretime të shumëanshmë të Islamit, ndërkaq 18
për qind shprehen në mbështetje të shumëllojshmërisë në interpretimin e fesë
islame.
Çështje tjetër që analizohet në raportin e The Pew Research Center është dhe
përkushtimi në zbatimin e ritualeve fetare si falja e namazit, shkuarja në
xhami, dhënia e zekatit dhe agjërimi gjatë muajit Ramazan.
Kosovarët sërish prijnë në mesin e vendeve të rajonit kur bëhet fjalë për
faljen e namazit: 43 për qind e kosovarëve thonë se falen disa herë gjatë
ditës; këtë e pohojnë 7 për qind e shqiptarëve dhe 19 për qind e boshnjakëve.
Kur bëhet fjalë për shkuarjen në xhami, boshjakët sipas raportit, janë
vizitorët më të shpeshtë të xhamive në rajon me 30 për qind, pasuar nga
myslimanët e Kosovës me 22 për qind dhe ata të Shqipërisë me 5 për qind.
Shqiptarët radhiten të fundit edhe kur bëhet fjalë për agjërimin gjatë muajit
Ramazan me 44 për qind të tyre që thonë se e praktikojnë këtë rregull të
Islamit.
Myslimanët e Kosovës, ndërkaq, janë për një për qind më të përkushtuar se sa
boshnjakët, 75 për qind prej të cilëve thonë se agjërojnë gjatë muajit Ramazan.
Analizat mbi të cilat është bazuar raporti "Myslimanët në botë: Uniteti dhe
diversiteti" i Forumit mbi Religjionin dhe Jetën publike të organizatës The Pew
Research Center thuhet se janë kryer përgjatë disa viteve.
Vendeve, në të cilat janë intervistuar qytetarët përgjatë viteve të kaluara, u
janë shtuar në studimin e vitit 2011-2012 edhe 24 shtete të tjera, shumica e
popullatës së të cilave është myslimane.
Nga 1485 kosovarët e intervistuar 1266 kanë thënë se janë myslimanë.
Raporti i plotë http://www.pewforum.org/the-worlds-muslims.aspx