12.08.2012
Anketat në Shtetet e Bashkuara flasin për një garë të fortë mes presidentit
demokrat Barak Obama dhe kundërshtarit të tij republikan, ish-guvernatorit të
shtetit Masaçusets Mitt Romney. Anketat gjithashtu tregojnë se votuesit kanë
prirjen për të pëlqyer presidentin si person më shumë se kundërshtarin e tij,
por i japin një epërsi të lehtë zotit Romney përsa i përket ekonomisë, e cila
është çështja më e rëndësishme e fushatës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës
Jim Malone njofton nga Uashingtoni.
Anketa e fundit e organizuar nga Gallup i jep Presidentit Obama një epërsi të
ngushtë 47 me 46 për qind ndaj kandidatit republikan Mitt Romney, rreth 90 ditë
para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Ka pasur luhatje të vogël në
krahasim me anketat e organizuara nga Gallup në prill, dhe analistët thonë se
ky mund të jetë një sinjal se gara presidenciale do të jetë e ngushtë deri në
ditën e zgjedhjeve. Peter Brown
punon për Institutin e Sondazheve në Universitetin Quinnipiac.
"Zoti Obama duket se ka një epërsi të vogël në rrafshin kombëtar dhe në shumë
shtete që mendohet se do të vendosin fituesin e zgjedhjeve. Por kjo nuk është
një epërsi e madhe".
Zoti Brown thotë se gara për Shtëpinë e Bardhë do të intensifikohet menjëherë
pasi Mitt Romney të zgjedhë kandidadit e tij për nënpresident dhe pas
konventave të dy partive që do të mbahen në javën e fundit të gushtit dhe javën
e parë të shtatorit.
"Do të ketë disa ngjarje që vërtetë do të përcaktojnë këto zgjedhje zgjedhja
e kandidatit për nënpresident nga ana e zotit Romney, kuvendet e partisë
Republikane dhe asaj Demokrate, dhe se si kandidatët do ta paraqesin veten para
elektoratit. Dhe pastaj, natyrisht, debatet do të bëjnë kurorëzimin e
fushatës".
Do të ketë tre debate presidenciale që do të mbahen në tetor dhe një debat mes
dy kandidatëve për nënpresident.
Analisti politik Tom DeFrank i gazetës New York Daily News thotë se Mitt Romney
do të përpiqet të përdorë kuvendin e Partisë Republikane për të riparaqitur
veten para votuesve amerikanë. Zoti DeFrank ishte i ftuar në programin
e Zërit të Amerikës "Issues in the News".
"Unë mendoj se Romney do të ketë një ngritje në anketat e opinionit publik pas
njoftimit të kandidatit të tij për nënpresident dhe pas fjalimit tij në
kuvendin e Partisë Republikane ku zyrtarisht do të marrë emërimin e partisë. Mendoj se pas kuvendit Romney do të krijojë një epërsi
disa pikëshe".
Zoti DeFrank gjithashtu vuri në dukje se anketat tregojnë se shumica e votuesve
kanë vendosur tashmë se cilin kandidat do ta mbështesin. Një grup relativisht i
vogël i votuesve të pavendosur do të jetë në shënjestër të fushatave të
kandidatëve në përpjekje për t'i bindur përpara 6 nëntorit.
"Në fund të fundit për mua Presidenti Obama nuk ka bindur shumicën e popullit
amerikan se ai meriton të rizgjidhet. As ish-guvernatori Mitt Romney nuk e ka
bindur shumicën e popullit amerikan se ai është njeriu i duhur për postin e
presidentit".
Të dyja fushatat presidenciale dhe grupet aleate të tyre për mbledhjen e
fondeve, të njohura si super PACS, ose komitete politike të veprimit, kanë
shpenzuar dhjetra miliona dollarë për prodhimin dhe transmetimin e reklamave
politike gjatë javëve të fundit në përpjekje për të ndikuar te votuesit e
pavendosur. Dhe ekspertët thonë se kjo do të vazhdojë deri në ditën e
zgjedhjeve në nëntor.