VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KLEMENT TINAJ, FENOMENI SHQIPTAR QË I MAHNITI SKENAT E NJU JORKUT
Nga ERMIRA BABAMUSTA, Ph. D. New York

E Hënë, 08.13.2012, 02:39pm (GMT1)



Klement Tinaj me të vërtetë është "art më vete" me talentin, pasionin, guximin dhe përkushtimin e tij. Aktori Klement Tinaj njihet në SHBA si karateist, producent, regjizor, skenarist dhe shkrimtar. Krijimtaria e tij e larmishme frymëzon jo vetëm ata persona në skenë ku interpreton me një aftësi mbresëlënëse, por edhe ata që janë janë përreth me humorin dhe dashamirësinë e tij të mrekullueshme. Ajo që e bën më të dashur për publikun është karakteri i tij i veçantë dhe tërheqës, gjallëria dhe zgjuarsia e tij e pabesueshme. Emri i tij mbetet i paharruar në cilindo zanat që ai prek, jo vetëm për shqiptarët në Amerikë, por edhe për amerikanët. Një fenomen i rradhë që arrin majat dhe synon të përsosurën në çdo angazhim të tij dhe mbetet krenari për diasporën dhe kombin shqiptar.

 

 

Fillimet në Kelmendin e Malësisë së Madhe

 

Klement Tinaj ka lindur në vitin 1990 në Selcë të Kelmendit. Krijimtaritë e tij dhe aktivizimi në veprimtaritë artistike-kulturore fillojnë në vitet e shkollës fillore të Selcës. Mësuesit e Klementit e kanë njohur talentin e tij krijues dhe vullnetin e veçantë për mësime dhe kulturë. Sportet dhe mësimet e tij artistike kanë paraqitur shumë vlera para popullit Kelmendas.

Me 20 shtator të 2004-ës, Klementi filloi studimet në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja "Shejnaze Juka" në Pijaz, Shkodër. "Që në atë moshë të re, dallohej si një student i zgjuar dhe i zhvilluar në aktivitete. Klementi ishte një nga studentët më të dalluar në klasën e anglishtes dhe të frangjishtes," shprehet babai i tij.

 

"Jam krenar për prejardhjen time shqiptare. Rruga ime e artit gjithmonë do rrëfejë prejardhjen time shqiptare dhe kulturën e vendit tim," shprehet z. Tinaj.

 

 

Arritjet dhe mirënjohjet nga ajka politikane e Nju Jorkut

 

Klementi u largua nga Shqipëria në 2005 për një jetë më të mirë. Ai ishte vetëm 14 vjeç e gjysëm kur erdhi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të studiuar. Mbas dy ditësh në Sh.B.A. filloi kursin 6-mujor të anglishtes në Manhatan, Nju Jork.  Në 2006 filloi studimet në shkollën e mesme "Lincoln High School" në Yonkers, Nju Jork, ku ndoqi studimet në dy degë, biznes dhe aktrim. Në vitin 2007, z. Tinaj doli student i dalluar ndër 10 studentët më të mirë të shkollës.

 

Klement Tinaj arriti të pamundurën duke avancuar në jetën amerikane. Niveli i tij rritet aq sa tërheq vëmendjen e liderëve të Nju Jorkut. Mori diplomën e shkollës së mesme në dy degë, gjë që nuk ishte e lejueshme më parë dhe e paparë në sistemin edukativ amerikan. Në qershor të 2009-ës, Klementi u diplomua në dy degë: teatër "Theatre Arts" dhe biznes "Academy of Finance." Meqenëse ishte i vetmi student që u diplomua me dy diploma, Senatori i Nju Jorkut Andrea Stewart - Cousins e nderoi z. Tinaj me çertifikatë njohje "Certificate of Recognition". Ndërsa kryebashkiaku i asamblesë së Nju Jorkut, Mike Spano e prezentoi z. Tinaj me një çertifikate merite "Certificate of Merit". Andrew J. Spano, ekzekutivi i bashkisë (county executive) i uroi suksese z. Tinaj në rrugën e tij të artit dhe Mark P. Baiocco, nëndrejtori i Lincoln High School (Assistant Principal) i prezentoi z. Tinaj një çertifikatë përsosurie në dramë "Certificate of Excellence in Drama."

 

Përveç artit, z. Tinaj ka arritur sukses edhe në fushën e sportit. Klement Tinaj ka një aftësi të veçantë në aktivitete sportive. Më 15 mars 2008, Klementi fitoi kampionatin e sportit "Tae Kwon Do" (arti i grushtit dhe këmbës). Në fund të vitit 2008 ai mori emrin "kapiten i dalluar" në futboll. Klement Tinaj dhe lojtarët e e skuadrës së tij fituan kampionatin në Jonkers "Yonkers Championship." Në 2009-ën filloi të jape mësim karate në shkollën e karatesë. Klement Tinaj ishte mësuesi më i ri, ku i jepte mësim mbi 300 studentëve në ditë, që ishin nga mosha 4 vjeçare deri në moshën 65 vjecare. Shumica e studentëve ishin policë që vinin për të bërë përgatitje dhe për të mësuar karate.

 

 

Karriera dhe suksesi i aktorit Klement Tinaj

 

Klement Tinaj ishte 16 vjeç e gjysëm kur bëri provën e parë të dëgjimit për shfaqjen me titull "You Can't Take It With You," (Nuk mund ta marrësh me vete) ku luajti rolin kryesor. Z. Tinaj takoi shumë aktorë dhe regjizorë nëpërmjet kësaj shfaqje, ku ai kuptoi që aktrimi ishte një ëndërr për të. Ai u bë një nga aktorët më të njohur të shkollës së tij dhe shpeshherë gazetat e shkollës dhe të qytetetit shkruanin për të. Në shfaqjen teatrale "Room Service," (Shërbim Dhome) prezantohet te publiku amerikan me rolin e kamarjerit.

 

Në 2007- 2008, z. Tinaj fitoi çmimin për dramë "Drama Spotlight Award" si një nga aktorët më të zgjedhur për vitin 2007-2008.  Në fund të vitin 2008 z. Tinaj luajti rolin kryesor në shfaqjen "Lysistrada", për të cilin fitoi Trofe Ari. Filmi që prodhoi z. Tinaj "Charli Chaplin" u zgjodh filmi më humoristik në festivalin e filmit të shkollës së mesme.

 

Viti 2009 ishte viti i fundit për z. Tinaj në "Lincoln High School." Klementi mori pjesë në shfaqjen "Julius Caesar," ku luajti dy role dhe në shfaqjen për fëmijë "Cops For Sale" (Policë për shitje), ku luajti rolin kryesor. Po në 2009-ën z. Tinaj ishte i pari që themeloi klubin shqiptar "Albanian Club" për gjithë studentët shqiptarë, ku shërbeu si president. "Albanian Club" pati sukses dhe tek studentët amerikanë dhe të huaj, të cilët ishin pjesëmarrës të klubit.

 

Z. Tinaj vendosi të studiojë teatër dhe u pranua tek shkolla e lartë "Five Towns College" në Long Island. Prindërit e tij ishin shumë të gëzuar dhe krenarë që djali i tyre ambicioz po vazhdonte shkollën e lartë.  Gjatë semestrit të parë të vitit të parë të shkollës së lartë, z. Tinaj bëri prova dëgjimi për tre shfaqje; "Golden Parashutes", "Macbeth", dhe "The Full Monty". Regjizorët e të tre shfaqjeve u habitën me aktrimin e z. Tinaj. Z. Tinaj priste pa durim përgjigjen nga drejtuesit e shfaqjeve.

 

"Një natë isha duke bërë përgatitje me grupin e Kelmendit për festivalin kulturor shqiptar kur më ra telefoni dhe mora përgjigjen se isha pranuar tek të treja shfaqet. Kjo më gëzoi pa masë dhe unë i pranova të treja shfaqjet me kënaqësi," tregon z. Tinaj. Në "Golden Parachutes" (Parashutat e arit) luajti rolin "Sugermen", "mashkull që të gjitha femrat e lakmojnë". Në shfaqen tjetër, "Macbeth", z. Tinaj luajti "Lord 2" dhe "Menteith". Kurse në "The Full Mounty" luajti "Teddy".

 

"Edhe ky ishte një rol që femrat nuk e linin rehat karakterin që isha duke luajtur," thotë z. Tinaj.

 

Në vitin e dytë të shkollës  së lartë z. Tinaj hapi klubin "Tae Kwon Do Club" dhe u jepte mësim mbi 20 sudentave të shkollës së lartë. Edhe pse ishte shumë i angazhuar me studime, z. Tinaj bëri sërish prova dëgjimi për një shfaqje për fëmijë, "Aladdin" ku luajti dy role, "Prince" dhe "Drummer". "Ishte me të vërtetë një surprizë për mua, sepse nuk e prisja këtë fat. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme të aktroja për fëmijë të vegjël," shprehet z. Tinaj.

 

Pasi kreu këtë shfaqje, bëri prova dëgjimi për një shfaqe tjetër për fëmijë "Dora" ku iu ofrua të luajë dy role "Drum" dhe "Band". Pa e mbaruar këtë shfaqje bëri prova dëgjimi për shfaqjen "Twelve Angry Men" dhe luajti rolin "Juror 11". Mbas një suksesi të veçantë në teatër z. Tinaj ishte shumë i bindur që ka lindur për këtë zanat.

 

"Karakteret që luaj janë tepër fizikë si në teatër dhe në film. Një javë pasi kisha përfunduar shfaqen takova një koleg nga Koreja, Jaden Hwang i cili e kishte parë shfaqjen dhe i kisha pëlqyer. Mbas pak ditësh më pyeti për të aktruar në një film të tij ku ai ishte producenti. Me gjithë qejf pranova të marr pjesë në këtë film, sepse ishte i llojit "action" dhe unë kam përgatitje dhe eksperiencë nga karateja që e kam ushtruar që në moshë te re," tregon z. Tinaj për Prishtina Press.

 

 

Nga skenat teatrale në ekranin e madh

 

Nëpërmjet talentit të tij të veçantë, aftësisë, ambicies dhe punës së tij të palodhur, z. Tinaj ka arritur të depërtojë në Nju Jork në teatër dhe film. Në verën e vitit 2011, z. Tinaj dha provë e dëgjimit për regjizoren e njohur Barbara Simon për shfaqjen teatrale "Stolen" (E vjedhur) . Z. Tinaj luajti dy role, duke përfshirë edhe rolin kryesor, "Max" edhe "Street Performer". Ky ishte një sukses shumë i madh për karrierën e aktorit. Ky projekt ishte fillimi i një karriere të suksesshme duke bashkëpunuar me regjizorë të famshmëm amerikanë.    

 

"Projekti "˜Stolen' është shfaqja më interesante që kam bërë deri tani. Historia e saj flet për jetën e një aktoreje dhe si ajo mundohet të kapërcejë vështirësitë në fushën e aktrimit. Eksperienca për publikun nga kjo shfaqje të le me një ndjenjë përjetimi të një shfaqeje brenda një shfaqeje tjetër, me nënkuptime tepër të ndërlikuara dhe intelektuale për këtë zhanër," thekson aktori.  

 

Z. Tinaj ka arritur famën e tij në filma dhe në pasionin e tij për të shkruar skenare filmash. Sukseset e tij përfshijnë tre filma ku luajti rolin kryesor: "Good Night and Good Luck" (Natën e mirë dhe fat të mbarë), "My Diseased Love" (Dashuria ime e sëmurë) i cili ishte një film romantik dhe "Have You Ever Thought...?" (A ke menduar ndonjëherë ...?).

 

Tani në 2012-ën, z. Tinaj është i angazhuar në filmin "Bad Fate" (Fat i keq), ku luan rolin kryesor. Në korrik të 2012-ës, z. Tinaj dha provën e dëgjimit për një shfaqje tjetër, "Extra Special" (Tepër Speciale) ku u pranua. Z. Tinaj luan rolin "Julius". Kjo shfaqet do të jepet në Long Island më 23 shtator 2012.

 

Teatrot dhe skenat e Nju Jorkut e njohin z. Tinaj si talent të shumëanshëm, aktor, regjizor dhe skenarist. Prezantimi i talentit të tij është përjetuar në qindra skena, si dhe në ato më të njohura si: Qendra e Arteve në Long Island (Dix Hills Performing Arts Cener), Skena e Shekspirit në Kënetikët (Shakespeare on Sound), Roseland Ballroom në Nju Jork City, Lihmon College Theater dhe në Teatrin e famshëm të Long Island,  "MCAP Theatre".

 

 

Krijimtaria dhe bota e regjizorit, Klement Tinaj

 

Karriera e tij si regjizor fillon me vetë iniciativën e Klementit si skenarist i zoti. Mbas eksperiencës së suksesshme në shumë filma dhe shfaqje teatrale, z. Tinaj synoi të shkruajë një skenar dhe të prodhojë vetë një film të zhanrit aksion. Projekti quhet "The Attacker" (Sulmuesi). Pasi shkroi skenarin dhe konceptin e filmit në 2010, z. Tinaj e dërgoi skenarin tek profesori dhe udhëzuesi i tij, Patrick Shand.

 

"Kur profesor Shand lexoi skenarin, më tha 'ky është skenar që duhet të bëhet film. Më tako nesër në zyrë dhe flasim më gjatë'. Pasi u takuam, profesori më këshilloi të nis punimet në këtë film. Kur mbarova filmin, ia shfaqja profesorit dhe ai më tha 'do të të ndihmoj deri në fund të realizosh ëndrrën tënde". Fjalët e profesorit më ikurajuan shumë, sepse vlerësoi punën dhe ëndrrën time që e kam arritur," tregon Klementi gjatë intervistës.

 

Filmi "The Attacker" u xhirua në Nju Jork, prodhuar dhe drejtuar nga Klement Tinaj, me kinematografi nga Phillip Russell. Aktorët që morën pjesë janë: Tatiana Coy, Jeff Hwang, Joe Adamczyk, Joe Piazza, James Russell, Tom Serabian, Anna Klindtworth, Melissa Vegas, Freddy Fernandez dhe Danni Christian. Filmi karakterizon një epikë të artit marcial, me ndërthurje humoristike luajtur bukur nga karakateret revoltuese të filmit. "Jack" i portretizuar nga Klementi bie në dashuri me "Rose" luajtur nga Tatiana Coy, ish e dashura e një gangsteri famëkeq në Long Island. Personazhi xheloz i Klementit ballafaqohet me bandën duke ushtruar strategji marciale dhe vë në kurth armiqtë e tij.

 

Filmi u shfaq për publikun amerikan më 4 shtator 2011 në bashkëpunim me studio Measureless Media Productions, Mind!Control Entertainment dhe KlimbTree Productions. "Projekti im më i preferuar ka qenë të shkruaj skenarin dhe të drejtoj filmin tim "˜The Attacker". Ishte kënaqësi e madhe kjo përvojë si aktor, skenarist dhe regjizor. Filmi u xhirua në Bronks dhe Long Island dhe ka patur përkrahje të madhe nga publiku. Filmi u shfaq për herë të parë në shkollën e lartë, tek teatri kryesor me 500 pjesmarrës. Kjo ishte e befasueshme për mua dhe vlerësim i madh për punën time. Filmi u shfaq përsëri në Grassy Knoll, ku ishte një sukses i mrekullueshëm," rrëfen regjizori Tinaj.

 

Projekti i dytë që Klementi po realizon si regjizor quhet "Bad Fate" (2012-13), (Fat i keq). Filmi trillon një histori intrigante të një familjeje shqiptare që imigron në Amerikë për të shijuar një jetë më të mirë. "Nuk mund të flas shumë për filmin meqë është në punim e sipër. Filmi është në bashkëpunim me studion Mind!Control Entertainment dhe kameramanin dhe ekipin e Gabriel Alexis Decoute. Marrin pjesë aktorë të talentuar si Anthony Doqaj, Loris Tanazi, Joe Adamczyk, Joe Piazza, Kreshnik Smajlaj, Jeff Hwaang dhe Joseph Mussorfiti," thotë regjizor Tinaj.

 

 

Frymëzimi nga vendlindja në muzikë

 

Edhe fushën e muzikës talenti Klement Tinaj nuk e ka lënë pa e prekur. Njerëzit habiten dhe mendojnë se egzistojnë dy "Klement Tinaj" njëri aktor dhe tjetri muzikant. Por në fakt ekziston  vetëm një "Klement Tinaj" me "aftësi jashtëtokësore". Klementi u bë sensacion interneti me videoklipin "Pa Mua". Me muzikë dhe përkrahje nga emrat gjigandë të folkorit shqiptar, Alfred Popaj dhe Kreshnik Smajlaj, Klementi për herë të parë provoi të këndojë në 2012-ën. Teksti i këngës "Pa Mua" është këngë romantike e zhanrit folk shkruar nga Klementi, me producent Luigj Tinaj. Videoklipi i këngës është realizuar nga Mind!Control Entertainment (http://www.youtube.com/watch?v=17uGbYlWUJo&feature=player_embedded).

 

"Muzika është punë kënaqësie për mua. Ka qenë një inkurajim nga babai në veçanti dhe shoqëria. Por mbi të gjitha, malli për vendlindjen, dashuria për atdheun dhe kulturën shqiptare më kanë shtyrë në këtë drejtim. Falenderoj familjen time të dashur dhe fansat e mi për përkrahjen pa masë që gjithmonë më shtyjnë të eci përpara. Nëpërmjet muzikës nxjerr mallin që kam për jetën dhe shoqërinë që kam lënë pas në atdhe. Muzika ime është për ata. Jemi një popull dhe është e rëndësishme të mbajmë kulturën dhe traditën tonë shqiptare," thekson i talentuari z. Tinaj.  

 

Surpriza për publikun është projekti i videoklipit të dytë me titull "Leila, Leila". Me muzikë nga Jeff Hwang, producent ekzekutiv Luigj Tinaj dhe tekst shkruar ng Klement Tinaj, videoklipi pritet të dalë më 20 gusht 2012.

 

"Kënga e re "˜Leila, Leila' është një këngë dashurie, me stil amerikan. Xhirimet po bëhen në dy vende, në Long Island dhe Jersey Shore. Edhe pse jam shumë i zënë me projektet e aktrimit, madje ka net që i kaloj edhe pa gjumë, gjithmonë jap 100% në projektet e mia. Qëllimi dhe pasioni im kryesor mbetet aktrimi. Zemrën e kam në skenë dhe teatër, ku ndjehem vetja ime. Muzika është një shprehje e identitetit tim shqiptar për publikun amerikan dhe krenaria ime për prejardhjen shqiptare. Botën e shikoj si një skenë, ku duhet të luajmë çdo ditë. Jeta nuk ka telekomandë, duhet të lëvizim ne vetë për të realizuar diçka," thekson z. Tinaj.

 

Talenti i Klement Tinaj nuk ndal këtu. Nëse Klement Tinaj e përqendron vëmendjen në një pasion, ai arrin ta realizojë dhe të shkëlqejë. Në të ardhmen e afërt, ai planifikon të ndajë me publikun shqiptar disa surpriza të tjera të bukura. Edhe nëse Lojrat Olimpike do të ishin synimi i Klement Tinaj, ai nuk do të ishte kthyer në Shqipëri pa trofe ari.
ERMIRA BABAMUSTA


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.