VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Korsia tjetër e rrugës Durrës-Kukës e gatshme në fund të shtatorit E Martë, 08.18.2009, 03:28pm (GMT1) Korsia tjetër e tunelit, Rrëshen-Kalimash në rrugën e re Durrës-Kukës, pritet të jetë gati për automjetet në fund të muajit shtator, sipas afateve të përcaktuara në kontratë. Ekspertë të Ministrisë së Transporteve, njoftojnë se punimet në korsinë veriore të tunelit janë duke u zhvilluar me intensitet. Kompania Bechtel-Enka, që është duke u marrë me kryerjen e punimeve, po vazhdon me shpimin e malit, por njëkohësisht edhe me veshjen e tunelit me shtresat e nevojshme te betonit. Tuneli rreth 6 kilometra i gjatë me dy hyrje-dalje të veçanta, ka qenë vepra më e vështirë inxhinierike e rrugës dhe tashmë është drejt përfundimit të plotë. Rruga e re është shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sepse shumë turistë që vizitojnë vendin janë nga Kosova osë Maqedonia. Kështu që, në verën e këtij viti, qindra mijëra pushues nga Kosova e kanë patur shumë më të lehtë për të ardhur në plazhet e Durrësit. Fluksi i madh i turistëve në kohën e verës, por dhe zgjerimi i tregtisë me Kosovën, falë Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, e bën mjaft atraktiv këtë segment të ri rrugor. Autostrada e re, e konsideruar si një vepër gjigante, kalon në Durrës-Vorë-Fushë Krujë-Milot-Rrëshen-Reps-Thirrë-Kalimash-Kukës-Morinë. Gjatësia totale e kësaj autostrade llogaritet 170 km, ndërsa gjatësia e re e rrugës për t'u ndërtuar rezultoi 111 km. Rruga e re Milot-Rubik-Rrëshen-Reps-Thirrë-Kalimash-Kukës-Morinë, jo vetëm që shkurton në mënyrë të ndjeshme distancat e transportit në krahasim me rrugët ekzistuese, por e lidh edhe më shumë infrastrukturën rrugore me Korridorët Paneuropianë. Rruga e re krijon kushtet për një lëvizje me shpejtësi 80-100 km/orë, duke realizuar lidhjen e Morinit në kufi me Kosovën, me Durrësin, për vetëm 2 orë e 30 minuta. Rritja e dendësisë së lëvizjes dhe perspektiva që ka jo vetëm lidhja e kësaj treve, por edhe e një rajoni më të gjerë në perspektivën e afërt deri në takimin me Korridorin Paneuropian nr.10 në Nish dhe më tej në Rumani, Bullgari e gjetkë, e bën këtë arterie mjaft me perspektivë për Kosovën, Shqipërinë dhe vetë rajonin. Tuneli aktiv mbyllet për dy netë për shkak të punimeve Tuneli aktiv i autostradës së re Morinë-Durrës mbyllet për dy ditë gjatë natës, për shkak të veshjes me shtresë betoni të rreth 300 metrave që ndodhen në tunelin tashmë funksional. Lajmin e ka dhënë Ministria e Transportit, sipas të cilës, njoftohen të gjithë përdoruesit e autostradës Rrëshen-Kalimash se, Tuneli i Thirrës në këtë autostradë do të jetë i mbyllur për trafikun nga ora 23:00 e ditës së martë, deri në orën 7:00 të ditës së enjte. Ky kufizim i përkohshëm kryhet si rezultat i punimeve elektromekanike dhe përforcuese në galerinë jugore, të cilat për arsye teknike dhe sigurie nuk mund të zhvillohen në prezencë trafiku. "Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin të gjithë përdoruesve të kësaj autostrade në Shqipëri dhe Kosovë dhë njëkohësisht i falenderojmë për mirëkuptimin", u shpreh me anë të një njoftimi zyrtar Ministria e Transportit. Autostrada e re ka nisur të funksionojë që nga data 25 qershor i këtij viti dhe që prej kësaj dite, Tirana me Prishtinën janë vetëm tre orë distancë larg. Ndërkohë, rruga që lidh Portin e Durrësit me Morinën, në kufi me Kosovën, përshkohej nga dy drejtime rrugësh ekzistuese, asnjera prej të cilave nuk i përgjigjej kërkesave për një rrugë që do të lidhte dy rajonet në fjalë, nevojave të trafikut dhe të lëvizjes mallra/pasagjerëve. Dy muaj nga hapja e Durrës-Kukës Të përshkruash rrugën nga Tirana në pikën doganore të Morinës për 2 orë e 30 minuta tashmë nuk është më ndonjë gjë e re. Por ajo që ia vlen të veçosh është se udhëtimi është vërtet i këndshëm. Surprizën e parë ta ofron tabela e vendosur tek pikëtakimi i autostradës Tiranë-Shkodër me atë Milot-Morinë. Prej këtu për të shkuar në Kukës ndryshe nga se ndodhte më parë që të zinte tmerri, tani janë për t'u përshkruar vetëm 100 kilometra. Rruga ende nuk e ka marrë trajtën e saj përfundimtare. Deri në afërsi të Rrëshenit në shumë kilometra vazhon kalimi në rrugën e vjetër. Por kjo do të jetë një çështje muajsh. Pas Rrëshenit në segmentin e punuar nga Bechtel-Enka edhe pse operohet me një krah të rrugës, mundësia për të ecur shpejt është më e madhe se kudo tjetër në Shqipëri. Falë shpejtësisë së lartë me të cilën është projektuar rruga, befasohesh kur e sheh veten para tuneli të Thirrës. Edhe pse i papërfunduar, brendësia e tij është një bukuri më vete. Në të dy anët e tunelit edhe nga Kalimashi duke qenë se punohet me regjim të kufizuar trafiku, rregullat janë strikte. Fluksi i hyrje-daljeve në Morinë është dhjetëfishuar www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |