VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ELIZA DUSHKU ZBARKON ME 'DEAR ALBANIA' NË TIRANË (Reportazh dhe fotogaleri)

E Shtunë, 10.06.2012, 09:09am (GMT1)



Në një atmosferë të veçantë festive si pjesë e aktiviteteve kulturore "Tirana Art Day", e organizuar nga Bashkia e Tiranës është zhvilluar ceremonia e shfaqjes së premierës të dokumentarit të realizuar nga aktorja me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, "Dear Albania". Personalitete të shquara në vend të pranishëm në premierë si, Kryeministri, Sali Berisha, ministra, përfaqësues të trupit diplomatik, të medias, e personalitete të artit, kulturës etj, kanë shkelur mbi tapetin e kuq, ku dhe kanë pozuar krah aktores Dushku.
Ky dokumentar i cili promovon Shqipërinë është xhiruar në qytete të ndryshme, duke nisur me kryeqytetin, për të vijuar me Beratin, Korçën, Vlorën, Sarandën, Tetovën, Prishtinën, Tropojën, Ulqinin e Shkodrën. Vlerat historike e natyrore, kuzhina, zakonet dhe traditat e shqiptarëve sillen në këtë dokumentar, përmes vizitave që Eliza Dushku zhvillon në qytetet shqiptare. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e ka konsideruar këtë dokumentar, një kontribut të madh për promovimin e Shqipërisë.

Jam e lumtur që ndodhëm këtu mes jush, thotë Dushku, për të shfaqur projektin tim të madh për rrënjët e mia shqiptare. Madje, ajo premtoi se në filmin tjetër do të flasë shqip.

Dokumentari është një bashkëprodhim mes saj dhe fotografit me famë botërore Fadil Berisha. Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe aktori Blerin Destani. Në fokus janë pamjet e mrekullueshme ku ka udhëtuar Aktorja dushku dhe pikërisht 15 qytete kryesore të Shqipërisë në kërkim të rrënjëve të saj ku dalin në pah bukuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë turistike. Aktorja startin e udhëtimit të saj e nis nga Kalaja e Krujës, por një vend të rëndësishëm zë kryeqyeteti shqiptar, Tirana duke rrugëtuar në Berat, Korçë, Berat, Shkodër dhe pa harruar bukurit e bregdetit, të cilat i quan të mrekullueshme. E gjithë kjo kombinohet me shijen e zakoneve shqiptare dhe me muzikë që flet veç shqip në sfond.
E pranishme ishte edhe modelja shqiptare, e cila jeton ne Amerike, Anxhela Martini, e cila tha se u ndje mjaft mirë në shijimin e mrekullive shqiptare që Eliza ofroj për të pranishmit.
Të pranishmit në ceremonin e shfaqjes së dokumentarit me gotat e shampanjës në duar uruan Dushkun për realizimin e filmit. Nga ana e saj Dushku premtoi se projektet me Shqipërinë do vazhdojnë edhe në të ardhmen, pasi tashmë ajo është e lidhur ngushtë me vendin e saj të origjinës me të shtrenjtën Shqipëri.





www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.