Presidenti amerikan Barack Obama iu kërkoi amerikanëve gjatë fushatës zgjedhore
një mandat tjetër, siç tha për të "përfunduar e atë që kemi filluar" në vitin
2008.
"Kemi shkuar shumë larg për t'u kthyer prapa tash. Ne kemi shumë punë për të
zbatuar reformën e kujdesit shëndetësor. Ne kemi shumë punë për të krijuar
vende të mira pune. Ne kemi për të punësuar shumë mësues. Kemi për të ndërtuar
shumë shkolla. Ekziston shumë energji për t'u gjeneruar në vend. Ka edhe shumë
trupa që duhet të kthehen në vend... Kjo është arsyeja pse jam duke kandiduar
për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës", është shprehur Obama.
Në mbrëmjen e kaluar, ai fitoi mandatin e dytë sipas parashikimeve të rrjeteve
televizive. Sot, fillon puna e tij.
Nuk është çudi, që agjenda e brendshme e Obamës për katër vjetët e ardhshëm nuk
do të duket shumë më ndryshe nga agjenda në mandatin e tij të parë.
Ekonomia tani mund të shkojë ngadalë drejt përmirësimit, në vend të
përkeqësimit, dhe numër më i madh i amerikanëve janë duke gjetur punë. Por,
çështjet ekonomike do të mbeten shqetësimi më urgjent i presidentit të SHBA-së.
Obama i tha së fundi rrjetit kabllor të lajmeve, MSNBC se nëse rizgjidhet,
prioriteti i tij i parë i tij do të jetë shtyrja e miratimit të një plani për
reduktimin e borxhit, për të shkurtuar shpenzimet dhe për të rritur
taksat për amerikanët më të pasur.
Obama ka paraqitur iniciativat për rritjen ekonomike, përmes rritjes së
prodhimit dhe energjisë, duke investuar në infrastrukturë, dhe duke inkurajuar
bizneset, që të punësojnë më shumë punëtorë.
Por, disa punë kanë mbetur të papërfunduar gjatë mandatit të tij të parë e të
cilat kërkojnë vëmendje.
Administrata e tij ka ende punë për ta zbatuar planin e reformës bankare, dhe
mbetet ende shumë punë për legjislacionin e reformës shëndetësore, të njohur
ndryshe si "Obamacare", e cila është planifikuar të hyjë në fuqi, duke filluar
nga viti 2014.
Vëzhguesit presin që Obama të merret edhe me reformën e imigracionit. Disa ditë
para zgjedhjeve, Obama i tha një gazetari:
"A duhet ta fitojë një mandat të dytë... Një arsye e madhe është se kandidati
republikan dhe Partia Republikane e kanë tjetërsuar në mënyrë të shpejtë grupin
demografik që po rritet më së shpejti në vend - komunitetin latin".
Judd Legum, kryeredaktor i ThinkProgress, një uebfaqe lajmesh liberale, thotë
se Obama gjithashtu ka gjasa që t'i kthehet çështjes së ndryshimeve klimatike,
për të cilën nuk u bë asgjë në mandatin e tij të parë, kryesisht për shkak të
shqetësimeve se rregullimi do të përkeqësonte ekonominë edhe ashtu në gjendje
të keqe.
"Unë mendoj se moti ekstrem që patëm në Shtetet e Bashkuara në veçanti,
uragani Sandy, që sapo goditi Bregun Lindor - do të tërheqë vëmendjen
sërish ndaj ndryshimeve klimatike dhe unë mendoj se ka shpresa se Obama do të
ndërmarrë disa prej këtyre iniciativave", u shpreh Legum.
Agjenda e politikës së jashtme në mandatin e dytë të presidentit, duket se në
masë të madhe do të ndërtohet, mbi bazë të asaj që është bërë deri tash. Lufta
në Afganistan duhet të pushojë deri në vitin 2014, parashikimet se sanksionet e
ashpra ndaj Iranit do të japin fryte, dhe përfshirja e fundit e SHBA-së edhe
ushtarakisht edhe ekonomikisht në rajonin e Azi-Paqësorit.
Republikanët kanë tërhequr vërejtjen para zgjedhjeve se një mandat i dytë për
Obamën, që tashmë është i çliruar nga presioni i rizgjedhjes, do ta trimërojë
atë që ta ndjekë agjendën personale të tij.
Christopher Preble, nënkryetar për studimet e mbrojtjes dhe të politikës së
jashtme në Institutin CATO, thotë se ky është një supozim i gabuar.
Presidentët në mandatin e tyre të dytë, kujdesen për trashëgiminë e tyre, thotë
ai, dhe duan të lënë detyrën si figura popullore. Dhe përtej kësaj, ekzistojnë
gjithmonë pasojat politike për partinë politike të presidentit:
"Nëse një president duhet të bëjë diçka në politikën e jashtme, që është tepër
ndryshe, nga ajo që dëshiron publiku, ai rrezikon ta dëmtojë rëndë partinë e
tij, dhe mendoj se ata kujdesen për këtë gjë. Ne në fakt e pamë deri në një
masë të caktuar këtë në mandatin e dytë të Bushit, kur Presidenti Bush u përpoq
të bëjë disa ndryshime në politikën e jashtme, por në çështjen kritike të
Irakut kundër së cilës ishte kthyer me vendosmëri publiku në vitin 2005-2006,
vendimi i tij për të zgjeruar luftën në kundërshtim me ndjenjat e publikut,
mendoj se e dëmtoi Partinë Republikane në vitin 2006 dhe 2008", u shpreh
Preble.
Në çështje të mëdha, Preble thotë se pret që Obama të vazhdojë politikat e
njëjta që i ka ndjekur në katër vjetët e fundit.
Ai thekson se nga pikëpamja e Shtëpisë së Bardhë, sanksionet ndaj Iranit janë
duke dhënë efektin e tyre, ato kanë gjymtuar sektorin bankar të vendit, kanë
dëmtuar industrinë e naftës, dhe e kanë pllakosur monedhën e vendit.
"Të gjitha këto gjëra do të marrin ca kohë, por ato duket se do të kenë efekt,
së paku në gjendjen e ekonomisë iraniane. Kështu që unë mendoj se ai ka të
ngjarë të vazhdojë këtë rrugë edhe për një kohë të gjatë", u shpreh Preble.
Preble nuk pajtohet me spekulimet në disa qarqe se në mandatin e dytë Obama do
të ndjehet më i lirë për të ndërmarrë një linjë të ashpër ndaj Izraelit dhe t'i
bëjë presion shtetit hebraik për të bërë koncesione në çështjen
izraelito-palestineze. Në fakt, ai nuk e sheh këtë çështje si një prioritet për
Obamën:
"Sa herë që Shtetet e Bashkuara bëjnë presion ndaj qeverisë izraelite për të
ndaluar zgjerimin e vendbanimeve në territoret palestineze, kanë dështuar. Unë
sinqerisht do të befasohesha, nëse ai investon një pjesë të kapitalit politik
atje, duke marrë parasysh të gjitha çështjet e tjera në tryezë", u shpreh
Preble.
Në çështjen e Sirisë, ku lufta e përgjakshme mes qeverisë dhe luftëtarëve
kundër regjimit po stërzgjatet, Obama ka marrë një qasje kryesisht të butë,
përveç se po ndihmon në organizimin e fraksioneve kryengritëse dhe
kryeson thirrjet ndërkombëtare që presidenti Bashar al-Asad të japë dorëheqje.
Preble thotë nuk ka gjasa që të ndryshojë kjo rrugë, duke marrë parasysh se
opinioni publik amerikan është kundër një operacioni tjetër ushtarak të
SHBA-së.
Rivendosja e raporteve me Moskën, që u kumtua shumë në fillim të mandati të
tij, ka çuar në bashkëpunimin mbi çështjet, si Iranin dhe Afganistanin, por
presidenti Vladimir Putin tani është në pushtet dhe po tregon atë që shumë e
shohin si përbuzje të hapur për Shtetet e Bashkuara.
Preble tha se ai ndjen se Obama "nuk ka krijuar një lidhje të vërtetë me
presidentin Putin", por ai nuk parashikon ndryshime të mëdha në
marrëdhëniet SHBA-Rusi, dhe në fakt nuk e përjashton bashkëpunimin rus për
Sirinë, dhe madje edhe për Kinën.
Dhe së fundi, mbi Kinën: Obama ka folur ashpër gjatë fushatës rreth politikave
tregtare të Pekinit - duke i quajtur ato të padrejta dhe madje edhe të
paligjshme - dhe u zotua se do të ndërmarrë masa. Ai tashmë ka mbikëqyrur
ndryshimet në Departamentin e Mbrojtjes që do ta rrisin praninë suhtarake në
rajonin e Azi-Paqësorit dhe do të shërbejë si një kundërpeshë ndaj ambicieve
ushtarake të Kinës në atë pjesë të botës.
Preble thotë se në rajonin e Azi-Paqësorit, ai pret që Obama të forcojë lidhjet
e SHBA-së me aleatët tradicionale si Japoninë, Korenë e Jugut dhe Australinë,
por edhe për të arritur deri te vendet që kanë treguar interes në lidhjet më të
ngushta me SHBA-në, si Vietnami, Indonezia dhe Filipinet.