VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
ISA BOLETINI - MOHIKANI I FUNDIT Bazuar në ditarin Ben Kendim të AUBREY HERBERTIT E Shtunë, 11.10.2012, 08:32am (GMT1)
Mu në fillim të janarit të vitit 1909 Aubrey Herbert shkoi në Mitrovicë.
Mendonte ta takonte Isa Beun i cili një herë kishte qenë i përkëdheluri i
Yldizit nga ku merrte një rrogë të majme por tashti ia kishte kthyer pushkën
edhe sulltanit. Në Mitrovicë njerëzit i thanë mysafirit anglez se Isa Beu, me dorë
të vet, i kishte vrarë 20 veta, të gjithë të rangut të oficerëve të lartë.
Prijepolje: e premte, 23 gusht 1912
Aubrey Herberti kishte mbërri në Prijepolje nga një udhëtim i lodhshëm nga
Sarajeva. Ishte ndalur ta kalonte natën në këtë vend ku fillonin të
lajmëroheshin banorët që në kokë kishin plisa. Pas mëngjesit, ende pa e kapur
vapa vendin, një xhandar i quajtur Ramadan, së bashku me disa ushtarë, erdhi
për ta përcjell mysafirin e lartë anglez nga Prijepolja për në Sjenicë. Diku në mes të rrugës kolona kaloi rrëzë një shpati ku prashitnin dhe këndonin disa vajza serbe. Pas disa minutave, kur kolona u ndal për pushim nën hije të disa lisave dhe rrëzë një përrocke, edhe Ramadani ia krisi një kënge. Ai e këndoi një këngë konvencionale e cila rrallë shndërrohet në baladë. Sipas lirikës, një nënë ankohej për shkak se djali i tij ishte martuar me një nuse e cila nuk e kishte në qejf punën. Këngën e shoqëroi një rigë e shiut dhe gurgullima e ujit të përrockës.
"Si është puna me Isa Boletinin?", pyeti Herberti, sa për ta prishur monotoninë
që krijoi pauza pas këngës së"dhembshme". "Aaah, i ka vra 100 veta" - thanë
disa ushtarë gati një zëri. Këtë e vërtetoi me lëvizje koke edhe Ramadan
xhandari i cili nuk ishte i sigurt nëse anglezit i pëlqeu kënga. Mitrovicë: e hënë, 26 gusht 1912
Rrethina e Mitrovicës Herbertit i dukej e ngjashme ne atë të Italisë Veriore.
Kodrat i dukeshin si ato në Toskani me dallim qe këto të Mitrovicës bënin një
hije gati ngjyrë vjollce. Në mesditë Herberti shkoi në zyrën telegrafike për të
dërguar një telegram në Londër. Telegrafisti u tregua tejet i pasjellshëm dhe e
përzuri anglezin nga zyra duke u arsyetuar se askush në zyrë nuk dinte
frëngjisht. Me të njëjtën mënyrë ia ktheu edhe anglezi. Pastaj, Herberti shkoi
ta vizitonte kajmekamin, Halit Beun, për të cilin shkroi se ishte njeri i aftë
dhe me shprehi pune të një shërbyesi civil anglez. Derisa po bënin muhabet, në
zyrë hyri telegrafisti i cli kur pa se anglezi ishte mysafir shumë i nderuar i
kajmekamit, e lëshuan këmbët. Duke u munduar të arsyetohej, sillej si një
fëmijë i mjerë para kajmekamit. "Nuk ia kam thënë këtij ato fjalë të këqija"
dhe bëri me dorë në drejtim të Herbertit. Pastaj, vazhdoi të thoshte së fjalët
i ishin dedikuar dikujt që priste në radhë pas Herbertit.
Kur Herberti doli nga zyra e Halit Beut, në rrugë e takoi konsullin rus.
Konsulli e ftoi të luante brixh. Herberti e refuzoi me arsyetim se nuk kishte
luajtur asnjë here dhe nuk i dinte rregullat.
Derisa Herberti po pinte kafe me kajmekamin, në zyre hyri telegrafisti me lajme
të reja. "Kanë ndodhur vrasje të rënda sot në Pejë" tha telegrafisti dhe
vazhdoi të raportonte për detajet para kajmekamit. Priteshin më shumë vrasje
por jo para Bajramit se deri atëherë shqiptarët i kishin dhënë besë pushtetit
otoman.
Situata po komplikohej në Pejë, i cili qytet iu kujtua Herbertit pasi që e
kishte vizituar para disa viteve. Guvernatori otoman atëherë pati shtruar
zijafet për Herbertin. Aty ishte edhe Sejfedin Beu, një shqiptar i rëndësishëm
i qytetit por i ri nga mosha. Kjo ishte arsyeja që Herbert e kishte pyetur nëse
ai kishte pa luftë ndonjë herë. "Natyrisht që kam pa luftë. Njëzet e katër vjeç
jam unë" ishte përgjigjur me shpejtësi dhe krenari Sejfedin Beu. Pastaj
Herberti e pyeti beun shqiptar se kur ishte hera fundit që ai kishte qenë i
përfshirë në luftë? Sejfedin Beu ishte përgjigjur:"Kur e përzumë ekselencën e
tij nga Peja" dhe bëri me dorë nga guvernatori.
Në ato qaste guvernatori turk, të cilit nuk i kishte pëlqyer aspak ajo që
kishte thënë Sejfedin Beu, kishte ndërhyrë me hidhërim duke thënë:" Mungesa e
mirësjelljes nuk është e nevojshme".
Megjithatë, Sejfedin Beu tashti nuk i kishte punët mirë pasi që ai nuk e kishte
organizuar Pejën dhe nuk kishte marrë pjesë në kryengritjen e fundit edhepse
populli i kishte thyer magazinat dhe i kishte rrëmbyer armët. Prijësit
shqiptarë, përfshirë edhe Isa Bej Boletinin, nuk e shihnin me sy të mirë këtë
gjest të Sejfedin Beut. Ndoshta kjo ishte arsyeja që ai tashti gjatë ditëve të
gushtit, ose për shkak të patriotizmit ose për shkak që dëshironte t'i
rregullonte punët me prijësit e kryengritjes, kishte shkuar me njerëzit e tij
për të luftuar në kufi me Malin e Zi.
Në vapën e pasdites Herberti u takua me konsullin rus dhe atë austro-hungarez
të cilët u sollën mirë me vizitorin anglez por jo me njëri tjetrin. Pas dite
shkoi te punëtoria e Nexhip Bej Dragës. Vëllezërit Draga e njoftuan me situatën
aktuale dhe kërkesat e reja që kishin parashtruar shqiptarët para Portës.
Herberti në darkë ishte te austriakët. Në mes të darkës i erdhi një porosi
misterioze. Kasneci i tha në vesh se Isa Bej Boletini po e priste në një vend
të caktuar. Ky ishte momenti për
të cilin Aubrey Herberti kishte pritur me vite. Isa dhe Herberti
kishin komunikuar disa herë me letra e telegrame por nuk ishin takuar asnjë
herë.
Biseda filloi me paraqitjen e qëndrimeve politike që kishin shqiptarët. Isa
Boletini nuk i përkrahte xhon turqit. Për momentin, duke u bazuar në rrethanat
ekzistuese, ai ende e dëshironte një Shqipëri nën sulltanin por të mbrojtur nga
vetë shqiptarët për të cilën gjë kërkonte armatim nga Porta. Si strateg
ushtarak që ishte e kishte të qartë se serbët së bashku me malazezët do të
depërtonin në trojet shqiptare nëse mungonte armatimi, organizimi dhe përkrahja
e nga Porta.
Me kërkesë të Isa Beut, Herberti e shpjegoi arsyen që Londra ende ishte në
favor të ruajtjes së tërësisë territoriale të Perandorisë Otomane. Ai tha se
anglezët më me dëshirë do ta shihnin Portën duke e sunduar Ballkanin se sa
Austro-Hungarinë apo ndonjë fuqi tjetër. Me fjalë tjera, Londra nuk e
dëshironte shkatërrimin e Perandorisë Otomane pasi që një gjë e tillë
shkaktonte çrregullimin e tregut së bashku me gjeostrategjinë britanike.
Gjatë qëndrimit mysafir në shtëpinë e Herbertëve ndodhte që Isa Beu të mbetej
vetëm me zonjën e shtëpisë, Mary Herbertin. Asnjëri nuk ia dinin gjuhën njëri
tjetrit dhe kjo gjë krijonte situata të anekdotave. Përdorimi i gjesteve shpesh
ishte i komunikim i kotë. Ndodhte që telefoni të cingëronte shpesh në zyrën e
Herbertit në Parlamentin Britanik. Mery e thërriste burrin për përkthim,
sqarime e interpretime. "Kështu më tha Isa Beu. Çka do të thotë kjo?" - pyeste
burrin znj. Herbert. Merrte përgjigje dhe shpesh plasnin të qeshurat.
Zonja Herbert i rrinte gati Isa Beut me kafe. Me dhjetëra herë në ditë ajo
hynte e dilte nga salloni grandioz i mysafirëve me takëm bakri të kafes turke.
Sa herë që hynte e dilte ajo, Isa Beu ngritej në këmbë për ta nderuar dhe
falënderuar zonjën për muhabetin që po ia bënte. Duke e mbajtur qelibarin e
sermit në dorë të majtë Isa Beu përkulej para zonjës duke bërë një gjysmë hark
me dorën e djathtë e duke e vendosur atë ne krahun e zemrës. Në ato momente
edhe zonja Herbert ia kthente respektin. Ajo e lëshonte me kujdes tabakun mbi
tavolinë dhe tërhiqej dy hapa dhe pastaj përkulej duke e lëvizur dorën e
djathtë gati përtokë, majtas e djathtas, dhe me dorën e majtë gjysmë të
ngritur, mu ashtu siç përshëndesin anglezët mbretëreshën e tyre apo anëtarët e
familjes mbretërore. Kjo ceremoni e përshëndetjes përsëritej shumë shpesh. Mary
Herbert dhe Isa Boletini gati tërë ditën e kalonin duke i bërë temena njëri
tjetrit. DAUT DAUTI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |