VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Evropa e Lirë: Vetëvendosja kundër EULEXit
E Mërkurë, 08.26.2009, 09:05am (GMT1)

 

Policia e Kosovës ka njoftuar se në parkingun qendror të Prishtinës, prapa Pallatit të Rinisë, gjatë një aksioni të Lëvizjes Vetëvendosje, janë dëmtuar 28 vetura të EULEX-it. Me këtë rast thuhet të jenë arrestuar 21 persona.


Rreth 28 vetura të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë janë dëmtuar gjatë një aksioni të Lëvizjes Vetëvendosje, që është ndërmarrë sot në Prishtinë.

Veturat e misionit për siguri dhe sundim të ligjit, EULEX, ishin të parkuara prapa Pallatit të Rinisë në qendër të Prishtinës, kur, sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 11:00, dhjetëra veta, që parashihet të kenë qenë anëtarë të "Vetëvendosjes", i kishin dëmtuar ato duke i rrokullisur apo duke i goditur me gjësende të forta.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale për Prishtinë, Agron Borovci, tha se policia ka arrestuar 21 veta të përfshirë në këto sulme ndaj automjeteve të EULEX-it, të cilët besohet se i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje.

"Sot, rreth orës 11:00, policia ka marrë informacione se në parkingun prapa Pallatit të Rinisë, disa pjesëtarë të "˜Vetëvendosjes' kanë filluar dëmtimin e veturave të EULEX-it. Menjëherë pas, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për dëmtimin e 28 veturave, prej tyre 22 kanë qenë të rrotulluara".

"Me këtë rast, policia ka shoqëruar për në stacionin policor 21 pjesëtarë të "˜Vetëvendosjes' dhe ndaj tyre është iniciuar procedura hetimore për rastin e dëmtimit të pronës", tha Borovci.

Ndërkohë, misioni i EULEX-it ka reaguar përmes një komunikate me shkrim, duke dënuar rëndë dëmtimin e makinave të EULEX-it.

...shkaktimi i dëmit kriminal nuk i çon përpara interesat apo argumentet e cilitdo prej protestuesve të tillë.


"Një numër individësh u arrestua nga Policia e Kosovës. EULEX-i e vlerëson përgjigjen e shpejtë dhe efikase të Policisë së Kosovës. EULEX-i mbështet idenë e protestave paqësore si një element i rëndësishëm në cilëndo shoqëri demokratike, por shkaktimi i dëmit kriminal nuk i çon përpara interesat apo argumentet e cilitdo prej protestuesve të tillë", thuhet në këtë reagim.

Veprimet e sotme të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dënuar edhe institucionet e Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se secili në Kosovë e ka të drejtën e reagimit dhe veprimit normal, por zhvillimet e sotme, sipas tij, janë të papranueshme.

"Secili ka të drejtë ta thotë fjalën e vet. Për ne është me rëndësi që institucionet e vendit do ta thonë fjalën e vet dhe e kanë tepër të qartë. Ne do të bashkëpunojmë shumë thellë me EULEX-in".

"Është mision për të mirën e Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve të saj dhe bashkëpunimi nënkupton edhe veprime të kujdesshme, të përbashkëta, që janë në realizim të një projekti të zhvillimit të Kosovës. Prandaj, për ne është thirrje kryesore që çdo gjë që kalon në një situatë tjetër të ngritjes së tensioneve apo formave tjera, natyrisht se është e papranueshme", tha presidenti Sejdiu.

Ndërkaq, njëri nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, pohoi se qëllimi i këtij aksioni ndërlidhet me vetë misionin e EULEX-it, i cili, sipas tij, është vendosur në Kosovë me lejen e Beogradit, ndërkaq, së fundi, po përgatit thellimin e bashkëpunimit ndër-policor me Serbinë me nënshkrimin e një marrëveshjeje, e cila për Kosovën është e papranueshme.

Prishtinë, 25 gusht 2009.

"Ne shprehëm pakënaqësinë tonë me proceset aktuale politike, në të cilat është i përfshirë EULEX-i dhe të cilat po i udhëheq. Këto procese kanë të bëjnë me thellimin e bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, duke e përjashtuar shtetin e Kosovës. Pra, po flas për protokollin policor ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, i cili është paralajmëruar se do të nënshkruhet", u shpreh Konjufca.

Në një komunikatë të "Vetëvendosjes" akuzohen edhe presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi si dy figura, siç thuhet, të nënshtruara politike, për interesa individuale.

Ndryshe, edhe sot, presidenti Fatmir Sejdiu ka përsëritur se Kosova është kundër nënshkrimit të protokollit ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit, duke i anashkaluar institucionet e Kosovës.

Sejdiu tha se gjithmonë ka vend për bisedime, por forma e deritashme e prezantuar e këtij protokolli pa pjesëmarrjen e kosovarëve mbetet e papranueshme për Prishtinën zyrtare. REL
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.