VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

PETRO ZHEJI BOTON LIBRIN E RADHËS STUDIMOR

E Hënë, 12.10.2012, 09:04am (GMT1)



Javët e fundit, ka dalë në qarkullim një tjetër vepër e Petro Zhejit me titull "Libri i Aforizmave"

Në vazhdim të librave të tjerë studimorë mbi lashtësinë e gjuhës shqipe dhe të rrënjëve të gjuhës në përgjithësi, studiuesi Petro Zheji ka botuar së fundi, "Librin e Aforizmave".

Vepra merret me problemet e linguistikës dhe jo vetëm, por edhe ato të filozofisë moderne. Një karakteristikë e veçantë dhe e rëndësishme e këtij studimi është ideja se fjalët tek e fundit, referojnë tek një simbol dhe jo tek një koncept, siç mendonin gjuhëtarët më me zë, gjer edhe të kohës sonë (Lacan, Saussure etj.).

Shqipja është krahasuar sistematikisht, gjer më sot, me gjuhë relativisht të reja, sikurse Greqishtja, Sllavishtja, Latinishtja etj. dhe asnjëherë me gjuhët e lashta e të stërlashta sikundër, ndër të tjera, me Sanskritishten, e cila është vështruar si nëna e të gjitha gjuhëve europiane.

Ky libër sqaron shumë çështje lidhur me marrëdhëniet e thella të Shqipes me gjuhë të vjetra e të reja dhe afirmon stërlashtësinë zanafillore të Shqipes. Dhe e bën këtë pa rënë në grackën e konjukturave të ndryshme politiko-linguistike që kaq shumë kanë falsifikuar gjithçka në Linguistikë dhe kryesisht rolin themelor të shqipes, por duke i vënë veshin, më tepër se çdo gjëje tjetër, implikimeve të saj të thella e të rëndësishme në vizionin mistik e filozofik të universit.

Aforizmat, për të cilat bëhet fjalë në këtë libër, janë të një natyre të veçantë. Material i tyre parësor janë ato që Autori quan "çiftet ekuivokale" të fjalëve (si p. sh. "Shka fshihet veç fshihet" apo edhe "Ma parë shlymja, mandej shlumja"). Të nxjerra nga vetë Ajuha, apo më saktësisht nga fenomeni i kudogjendur i polisemantizmit, aforizmat vëzhgohen më pas me lentet e "algoritmit simbolik", të cilin autori e përshkruan si një artikulim logjik të mendimit mistik e mitik mbizotërues në vetë origjinën e gjuhës.
Ideja qendrore e librit është që fjalët referojnë tek e mbramja tek një simbol dhe jo tek një koncept.... E pra që procesi i etimiologjizmit nuk mund të vështrohet si i përfunduar para se fjala të përcillet tek simboli që ajo, fjala, në mënyrë "të pavetëdijshme", përshkruan...

Duke luajtur rolin e "ndërmjetësuesit" mes fjalës dhe simbolit, shqipja mundëson kështu, ndër të tjera, përftimin e një "informacioni" të gjithanshëm filozofik e shkencor të fjetur për shekuj e mijëvjeçarë me radhë në gjuhë. Sipas përfundimeve të mbërritura nga ky studim, urtia e gjuhës dhe logjika e saj simbolike bëjnë të mundura e të justifikueshme një sërë kalimesh interdisiplinare. Aforizmat shërbejnë në këtë mënyrë si një "trampolinë" për t'u hedhur në fusha e dimensione të ndryshme të dijes dhe realitetit.

Ky studim i Petro Zhejit ka vlera të shumëfishta, jo vetëm gjuhësore, por edhe filozofike, teologjike, shkencore etj.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.