Në Ditën e të Drejtave të Njeriut, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur
(KQPZH) thotë se edhe këtë vit "mijëra familje kosovare vazhdojnë të mbeten në
ankth, duke mos ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, të
zhdukur pikërisht si pasojë e shkeljes flagrante të të drejtave të njeriut".
Mëtutje, ky komision, me anë të një njoftimi për media, shpjegon se "nga numri
fillestar prej 6,024 personave të evidentuar si të zhdukur, që nga paslufta, ky
numër sot është 1,762. Pavarësisht faktit se më shumë se gjysma e këtyre
rasteve tashmë janë zgjidhur, numri prej 1,762 personave ende të zhdukur,
vazhdon të përbëjë një shqetësim serioz si për familjet e tyre, ashtu edhe për
institucionet e Republikës së Kosovës".
Në këtë ditë, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjegjësisht Qeveria e
Republikës së Kosovës, "iu bënë thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare
që të përdorin autoritetin e tyre karshi Beogradit zyrtar që të japë
informacione dhe t'i hapë rrugë zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështje të
ndjeshme dhe të dhimbshme".
Mëtutje, KQPZH thotë se mbarë bota shënon Ditën e të Drejtave të Njeriut, si
përkujtim për të gjitha institucionet, shoqëritë dhe individët, se cenimi i të
drejtave të njeriut vazhdon të mbetet një shqetësim serioz për të gjitha
shoqëritë moderne.