VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

VIKTIMË E VETVETES (OSE: KOT I BIEM GJOKSIT)
-Ose-ose (po e shtoj sot): -Pse na tha Europa per herë të tretë JO?-
Nga ZEQIR LUSHAJ

E Mërkurë, 12.12.2012, 07:47am (GMT1)



- Sa herë i them vetes: -Mos shkruaj kur je i merzitur-


NE...,
Dijmë të bajmë gardh,
Në mes arës e livadhit,
Të shtyhemi me vëllain,
Rreth shtëpisë e stanit.


NE...,
Dijmë të ofendojmë,
Kur duhet buzëqeshja,
Jemi hipokritë,
Na pelqen vetvetja.


NE...,
Fshihemi pas gurit,
Dijmë të të vrasim,
Këngët për trimerinë,
Gjithandej buçasin!


Kush është si NE,
Njëri-tjetrit i thomë,
Thikën mbas shpindës,
Diku..., natën-vonë.


Sot, pijmë gjak gishti,
Të bahem probatim, *
Nesër ta çojmë pikën,
Dhe të vijmë n'varrim.


Ne...,
E nderojmë vrasësin,
E vemë në ball t'oxhakut,
Qëndrimet terroriste,
Na kujtohen mbas vaktit.


Ne...,
Duam lavdi e emër,
Pa ç'ka se barku thatë,
Flasim për At'Dheun,
Hesht Atdheu i ngratë.

Ja pjekim brinjtë e dala,
Dhe gishtat i lëpijmë,
Si tash si përpara,
Bota mirë e dijnë.


Ne...,
Kemi gjetë një çadër,
Që e quajmë-Besa,
Kur ecën pabesia,
Dhe shëmtohet Jeta!
...!


Fjala Lider=e ndyrë,
(Ma e ndyra deri sot),
Marrë hua nga Bota,
S'na bjen, për At'Zot.

N'daç thuej: -i Mençëm,
N'daç thuej: -Hajvan,
Krejt jemi një mostër,
Dalë nga një kazan.

Forca e Prinjësve,
Gjithherë në këtë vend,
Kush ma gjatë se tjetri,
Mundet ta mbajë peng!


NE...,
Ndërrojmë përditë, si...,
(Lëkura e Kamaleonit)
Servil..., ndaj të huajt,
Gjelkokosh ndaj tonit.


NE...,
Viktimë e vetvetes,
Në Ballkan e Europë,
Kot i biem gjoksit,
Një furtunë në gotë.


Nuk ka stan me lepuj,
Na ka mësue Urtia,
...Jep e merr Fakiri,
Shqipëtar, Ditëzia!

Ne...,
Që dalim në pension,
Pa zënë punë me dorë,
Dijmë të duartrokasim,
Prodhojmë Diktatorë.

Sepse, Ti dhe Unë,
Të Dy s'bashku, Ne...,
Jemi Hiçkërkushi,
Shkelim Zot e Fe.


Ne...,
Duam veç-Diktaturë,
Ajo na bjen për shtatit,
Të tjerat janë hajgare,
Dje, sot, mbas tashit.
...!


Droe, më akuzojnë se...:
Fjalë të randa kam thanë!
-Jo, -për Jezu Krisht,
-Jo, -për Dinë e Imanë
Nëse, Dikush zëmrohet,
"Le të zbathet vet...", *
Jeta nëpër shekuj,
Me këtë gjuhë na flet.
./.
*Probatim=burazer=vëlla gishti
*"Kush zemrohet,zbathet vet"-shprehje e vjetër popullore
----------------------

(Vjersha është nxjerr nga libri :"Piedestali", që autori e ka ende në dorëshkrim)
(Për Zëri i Shqiptarëve, nga USA, Dhjetor 2012)


ZEQIR LUSHAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.