VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Prolongimi i marrëdhënieve me Kosovën
E Shtunë, 08.29.2009, 01:31pm (GMT1)

Ekspertët thonë se nuk ekzistojnë arsye juridike për prolongimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, por një gjë e tillë ndodh për shkak të tentimit për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike me Serbinë.

Ekspertët thonë se prolongimi i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën edhe më tej mbetet temë e nxehtë e debateve politike midis partive politike shqiptare dhe maqedonase.

Presidentët e Maqedonisë dhe Kosovës, Gjorgje Ivanov dhe Fatmir Sejdiu, para një muaji, në një takim në Ohër, u dakorduan se nuk ekzistojnë tema që e pengojnë procesin e marrëdhënieve të mira midis dy vendeve dhe presin qe marrëdhëniet diplomatike të vendosen sa më shpejt.

Ish-ministri i jashtëm i Maqedonisë, Lubomir Fërçkovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ekzistojnë shkaqe juridike për prolongimin e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, por, sipas tij, ekzistojnë shkaqe politike.

"Gjatë vizitës së fundit të një ekipi të Qeverisë së Maqedonisë në Beograd, kërkuan para dhe investime nga Serbia, por me kusht që zhvillojnë marrëdhëniet me Kosovën, t'i lënë ashtu siç janë. Ky është momenti politik, i cili duhet të analizohet se pse vallë kjo Qeveri e bën këtë, ndërsa me siguri se më këtë prolongim Qeveria pret balancim në demarkacionin e kufirit", thotë Fërçkovski.

Analisti politik, Albert Musliu, thotë se Maqedonia gjatë këtij viti ka bërë dy incidente diplomatike me Kosovën. Musliu thekson se Qeveria e Maqedonisë bën gabim të madh, pasi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën e ndërlidh me vendosjen e marrëdhënieve me Serbinë.

"Marrëdhëniet diplomatike me Kosovën kanë influencë direkte në marrëdhëniet e brendshme ndëretnike. Marrëdhëniet diplomatike me Serbinë mund të kenë influencë në ekonomi, ne imazhin ndërkombëtar të Maqedonisë, por nuk mund të kenë ndikim në marrëdhëniet e brendshme ndëretnike".

"Dy incidentet që ndodhën me Kosovën, pra me presidentin Sejdiu, ndikuan menjëherë në skenën e brendshme politike dhe kishim tensionim të madh të marrëdhënieve politike, por edhe atyre ndëretnike", thotë Musliu, duke shtuar se shqiptarët janë të ndjeshëm rreth çështjeve të lidhura me Kosovën, prandaj diplomacia maqedonase duhet më seriozisht të sillet ndaj kësaj çështjeje.

"Influenca e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën mund të jetë e madhe ngase shqiptarët kanë lidhje shumë të mëdha me Kosovën, ashtu që mendoj se është koha e fundit që marrëdhëniet diplomatike me Kosovën të përsosen", shprehet Musliu.

Presidenca e Maqedonisë ka kërkuar që vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën të ndodhë vetëm pas përfundimit të përcaktimit të vijës kufitare mes dy vendeve.

Maqedonia ka njohur shtetin e Kosovës që tetor të vitit të kaluar, mirëpo ende nuk janë vendosur marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.