VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Policia do të bëjë vlerësimet e veprimit të pjesëtarëve të saj te Kroi i Vitakut


E Shtunë, 08.29.2009, 01:34pm (GMT1)

 

 

      Arbër Beka

 

Zhvillimet e fundit në lagjen "Kroi i Vitakut" në veri të Mitrovicës ka shtyrë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës të bëjë vlerësimet për veprimet e zyrtarëve të saj të ndërmarra në zhvillimet e fundit në lagjen "Kroi i Vitakut". Zëdhënësi Arbër Beka tha se policia do të ruajë zinxhirin komandues, dhe, në qoftë se vërehen devijime të mundshme do të merren masa.

 

Policia e Kosovës së bashku me mekanizmat ndërkombëtarë, siç është EULEX-i dhe KFOR-i, janë në gjendje gatishmërie që në Kosovë të garantojë sundimin e rendit dhe ligjit.

Zyrtari për informim, Arbër Beka, tha se Policia e Kosovës po kryen detyrat e saj të përcaktuara me ligj që të mos ketë incidente, të lënduar dhe sa më pak kriminalitet. Ndërsa, duke folur për respektim urdhrash në veri, ai tha se ekziston vetëm një zinxhir komandues.

"Është një zinxhir unik komandues, ashtu siç është e paraparë në Ligjin për Policinë. Në |Drejtorinë e përgjithshme të Policisë është duke u bërë një vlerësim sa i përket veprimeve policore në veri të Mitrovicës, që janë ndërmarrë. Në rast se rezultatet e këtij vlerësimi tregojnë se ka pasur ndonjë devijim, sa i përket zinxhirit komandues, atëherë do të formohet një ekip i veçantë hetimor ose rasti do t'i përcillet tek Inspektorati Policor i Kosovës", ka deklaruar zëdhënësi Beka.

Beka nuk përjashtoi mundësinë që rreth zhvillimeve të fundit në Mitrovicë të ketë edhe të arrestuar.

"Nuk do të thotë se nuk do të ketë arrestime ditëve në vijim. Është iniciuar rasti në stacionin policor për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe hetuesit tanimë janë duke kryer punën e vet", ka sqaruar Beka.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Arbër Beka, këto komente i bëri gjatë takimit të rregullt javor me gazetarë.

Zhvillimet e ditëve të fundit tek Kroi i Vitakut kanë ngritur pikëpyetje rreth funksionimit të zinxhirit komandues të policisë dhe respektimit të Komandës qendrore të Policisë nga ana e policëve serbë në pjesën veriore. RTK
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.