VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Policia dhe EULEXi vazhdojnë t'i pengojnë shqiptarët në rindërtimin e shtëpive në veri
E Shtunë, 08.29.2009, 01:44pm (GMT1)

 

 

 

Banorët shqiptarë të lagjes Kroi i Vitakut po qëndrojnë para policisë në pritje të vendimit për lejimin e punës në rindërtimin e shtëpive të tyre, ndërkohë që Dragan Spasojeviq, i ashtuquajturi drejtor i urbanizmit në pjesën veriore të Mitrovicës, thotë se pa arritjen e një marrëveshje nuk do të mund të rifillojnë ndërtimet, derisa Rasim Veseli drejtori i shërbimeve publike ne KK të Mitrovicës thotë se për rindërtimin e shtëpive të djegura nuk nevojitet lej ndërtimi.

 

Përkundër deklaratave të Qeverisë dhe pritjeve të banorëve që të arrihet një marrëveshje për vazhdimin e punimeve për rindërtimin e shtëpive në lagjen veriore "Kroi i Vitakut", edhe sot kordonët e policisë së EULEX-it dhe policët e Stacionit policor në veri, vazhdojnë ta pengojnë procesin e rindërtimit të shtëpive dhe kthimit të shqiptarëve në shtëpitë e tyre.

Agim Vitaku, banor i kësaj lagje shprehet i vendosur që të vazhdojë punët në rindërtimin e shtëpisë së tij dhe sot kishte marrë me vet edhe tapitë mbi 200 vjeçare të pronave të veta.

Dragan Spasojeviq, i ashtuquajturi drejtor i urbanizmit në pjesën veriore të Mitrovicës thotë se pa arritjen e një marrëveshje të përbashkët nuk do të mund të rifillojnë ndërtimet në këtë pjesë të Mitrovicës.

"Ne kemi kërkuar që me marrëveshje të përbashkët të përgatiten dokumentet e nevojshme, të cilat nevojiten për rindërtimin e shtëpisë. Nëse pjesa jugore është e gatshme për dialog kjo çështje do të përfundojë shumë shpejt", i ka deklaruar reporterit të RTK-së, Spasojeviq.

Ndërkaq drejtori i shërbimeve publike ne komunën e Mitrovicës, Rasim Veseli, thotë se punimet do të fillojnë sapo të tërhiqet kordoni i policisë.

Sipas Veselit kjo do të ndodhë së shpejti ndërkaq për rindërtimin e shtëpive të djegura gjatë luftës nuk nevojitet lej ndërtimi.

"Shtëpitë që janë të djegura gjatë luftës, nuk parashihet të ketë leje ndërtimi, andaj nuk nevojitet leje.
Territori i Kosovës është i pandarë. Qeveria e Kosovës ka pushtetin në gjithë territorin e saj. Komuna e Mitrovicës ka vullnetin e plotë që të ndihmojë qe të gjithë banorët të kthehen në shtëpitë e tyre. Për shtëpitë e djegura gjatë luftës nuk ka pasë nevojë për leje ndërtimi, nuk ka pasë nevojë për leje as në fshatin Frashër, ku janë ndërtuar mbi 100 shtëpi të sotme dhe nuk ka nevojë as për këto", ka theksuar Veseli

Deri në një vendim tjetër të policisë, po vazhdon të mbajë kordonin më mes shqiptarëve dhe serbëve në atë lagje, banorët shqiptarë duhet të presin që të shkojnë në pronat e tyre.


12:36 Në pritje të vendimit për vazhdimin, apo jo të punimeve në pronat e Vitakëve

As sot, deri në kohën e shkrimit të këtij raporti, nuk po lejohet vazhdimi i punimeve në pronat e Vitakëve, Reporterët e RTK-së raportojnë sot për situatat më të qetë, ndërkohë që po vazhdon prezenca e forcave të shtuara të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, të cilat kanë vendosur kordonë në rrugë, ndërsa hetohet edhe prezenca e forcave të KFOR-it. Përgjegjësit e komunës së Mitrovicës thonë se janë në pritje të një zgjidhjeje nga instancat më të larta të Republikës së Kosovës

Familjaret e shtëpive të djegura dhe të rrënuara gjatë luftës, dhe punë-kryerësit në lagjen Kroi i Vitakut, e cila gjendet në pjesën veriore të Mitrovicës, as sot nuk u lejuan të punojnë nga pjesëtarë e Policisë së Kosovës - Stacioni Veri, Policët serbë, të këtij stacioni, kanë vendosur kordonë në rrugë si edhe ata të njësitit special të EULEX-it, të cilët sot janë në prezencë më të madhe, ndërsa hetohet edhe prezenca e forcave të KFOR-it. Në anën tjetër, para shtëpive të Vitakëve, ku është dashur të punojnë shqiptarët, edhe sot në heshtje po qëndron numër i vogël i serbëve duke vëzhguar rrjedhën e situatës. Me gjithë insistimin e familjarëve shqiptarë që po qëndrojnë para kordonëve dhe gatishmërinë e punë-kryerësve për të shkuar dhe për të punuar në pastrimin e gërmadhave të shtëpive, ata nuk po lejohen, me arsyetimin se kjo do të mund të shkaktonte trazira midis shqiptarëve dhe serbëve dhe se në nivelet e institucioneve më të larta t ë Kosovës është duke u biseduar për gjetjen e zgjidhjes, dhe, derisa kjo të ndodhë ata nuk do të mund të kenë qasje dhe as të punojnë atje. Këtë e ka konfirmuar sot edhe drejtori i drejtorisë komunale për infrastrukturë dhe ndërtim në Mitrovicë, Rasim Veseli, duke theksuar se edhe përgjegjësit e komunës janë në pritje të një zgjidhjeje nga instancat më të larta të Republikës së Kosovës.


09:16 As sot nuk janë duke u zhvilluar punime te pronat e Vitakëve në veri të Mitrovicës

As sot nuk po zhvillohen punimet në pronat e Vitakëve, por një gjë të tillë nuk janë duke e bërë as serbët të cilët gjatë ditës së djeshme kishin vazhduar punimet e tyre në lokacionin me shumicë shqiptare pa ndonjë problem. Reporterët e RTK-së raportojnë sot për situatat më të qetë, ndërkohë që po vazhdon prezenca e forcave të shtuara të sigurisë. Rruga drejt shtëpive të Vitakëve është e bllokuar dhe nga forcat speciale policore po kontrollohet çdo hyrje-dalje për në atë lagje.

Ndryshe, dje (e enjte) strukturat vendore e ndërkombëtare të sigurisë kanë kërkuar, pas takimit të djeshëm nga Policia e Kosovës, stacioni veri, që në bazë të rrethanave, të marrë vendimin për të lejuar ose jo punëtorët shqiptarë për rindërtimin e shtëpive te Kroi i Vitakëve. Zëdhënësi i UNMIK-ut Rasell Giki ka thënë për "Evropën e lirë" se UNMIK-u përkrah qytetarët, por, sipas tij, ndërtimi duhet të bëhet në bazë të rregullave dhe në një ambient të sigurt. Ky është vendimi i takimit të djeshëm (e enjte) mbajtur në Mitrovicë, i cili lë dilemë të hapur nëse shqiptarët sot do të mund të rifillojnë punimet në shtëpitë e tyre. Ndryshe, dje paradite, Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it, nuk kanë lejuar vazhdimin e punës për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut, në pjesën veriore të Mitrovicës. Agim Vitaku banor i kësaj lagjeje thotë se "policia nuk i ka lënë të shkojnë në shtëpitë tyre". "Ne përditë do të vijmë..po mundohemi me u kthy në pronat tona. E Ekstremistë serbë janë të paguar me bo probleme..,policia duhet ti pengojë ata, e jo neve. Policia e veriut p punon në favor të popullatës së vet..,janë fol fjalë të mëdha nga liderët", ka deklaruar Agim Vitaku. Besim Hoti zëdhënës i Policisë në Mitrovicë, tha të enjten se gjendja e sigurisë është e qetë, pasi që punimet në pjesën shqiptare të lagjes kroi i Vitakut nuk po zhvillohen sot. "Situata a e sigurisë nuk ka ndryshim është nën kontroll, marrë parasysh faktin se nuk po zhvillohen punimet", ka deklaruar Hoti. 28 gusht 2009
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.