VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NË KUJTIM TË XHAFER VOKSHIT - KËTIJ SHPIRTI TË MADH LUFTËTAR

E Mërkurë, 12.26.2012, 10:30am (GMT1)



Voal-online -  Mbrëmjen e 23 dhjetorit 2012 në Durrës, në shtëpinë e tij, u nda nga jeta Xhafer Vokshi,  i fundmi pjesëmarrës i gjallë i Kosovës  në Konferencën historike të Bujanit (1943-44). Lajmin e jepte, nëpërmjet një kumtese, Kryesia e Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Kosovës.

Xhafer Vokshi i mbajti me dinjitet deri në fund të jetës emrin e njërës prej familjeve të mëdha më të shquara të Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Xhafer Vokshi ishte djali i Ali Vokshit, nipit të Sulejman Vokshit, ish-komandantit të Ushtrisë Kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) dhe vëllai i Asim Vokshit, ish-luftëtar i brigadave internacionale të Spanjës Republikane të viteve1936-1939, të dy Heronj të Popullit. Ai ishte gjithashtu vëlla i Sabrije (Bije Vokshit) Vokshit, pjesëmarrëse dhe veprimtare e shquar e Luftës Nacionalçlirimare të Kosovës dhe të Shqipërisë.

I lindur në Gjakovë në vitin 1924, shumë herët, Xhaferi, bashkë me familjen emigroi në Shqipëri, prej nga u kthye në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova u bashkua me Shtetin Shqiptar të okupuar nga Italia fashiste. I rritur dhe i ushqyer me ndjenja patriotike në një familje patriotike  revolucionare pranë vëllait më të madh, Asimit, Xhaferi, që kur ishte në shkollë të mesme në Shqipëri, iu bashkua Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Xhafer Vokshi ishte edhe njëri nga pjesëmarrësit më të rinj të Konferencës Themeluese të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit më 31 dhjetor 1943 e 1 e 2 janar 1944, në të cilën u miratua njëzërit Rezoluta historike e Bujanit, me të cilën Kosovës i njihej në mënyrë decidive e drejta e vetëvendosjes deri në shkëputje nga ish-Jugosllavia dhe bashkimi me Shqipërinë. 

Ky fakt dhe përkushtimi i tij ndaj së drejtës së mohuar të Kosovës nga regjimet në Tiranë e Beograd, do të ishin deri në fund të jetës mallkim për Xhafer Vokshin dhe familjen e tij, të përndjekur gjatë gjithë diktaturës, të dënuar me internime të rënda dhe të gjatër. Atij nuk iu lejua e drejta e ushtrimit të profesionit të gazetarit dhe nuk iu lejua kurrë e drejta e botimit.

Do të ishte përkrahës i flaktë i proceseve që ndodhën në Shqipëri pas Luftës së Ftohtë dhe i proceseve të çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës të kryesuara nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe Ushtria Çlirimtare të Kosovës.

Mik i ngushtë e i përhershëm i poetit Vehbi Skënderi që nga rinia e hershme, Xhafer Vokshi do të vizitonte Kosovën e çliruar. Pikërisht të kësaj kohe janë tri nga fotografitë që i kemi kujtim nga Xhafer Vokshi. Në fotografinë nga qyteti i Prizrenit, Xhafer Vokshi ka një kushtim për djalin tonë të madh që mban emrin e këtij qyteti simbol, kryeqytetit të Shqipërisë natyrore.

Në kushtimin e tij Xhafer Vokshi shkruante: Djalit të mirë që mban emrin e Prizrenit historik, për kujtim nga Xhafer Vokshi. Tetor 1999.

Qoftë i përjetshëm kujtimi i Xhafer Vokshit, këtij luftëtari të madh e të paepur për liri kombëtare, drejtësi e dinjitet njerëzor të shqiptarëve!



Djalit të mirë që mban emrin e  Prizrenit historik, për kujtim nga Xhefer Vokshi, tetor 1999


Në foto: Xhafer Vokshi në mes të miqve të tij Zekerija Cana, Mark Krasniqi, Idriz Ajeti, Bujar Hoxha, Gjergj Deda
SKËNDER BUÇPAPAJ


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.