VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ASSOCIATED PRESS RENDITI 10 LAJMET KRYESORE TË VITIT 2012

E Enjte, 12.27.2012, 04:58pm (GMT1)




Ashtu si të tjerët, edhe 2012-a ishte një vit i mbushur me ngjarje të rëndësishme. Përmes një sondazhi me redaktorë dhe drejtues të mediave në SHBA, agjencia e njohur, "Associated Press" ka bërë një renditje të 10 lajmeve kryesore të vitit që po përmbyllim. Nëse deri më 13 dhjetor, zgjedhjet presidenciale në SHBA kishin marrë numrin më të madh të votave si ngjarja kryesore e vitit, masakra në Konektikat, ku u vranë 20 fëmijë 6 dhe 7 vjeç, si dhe gjashtë të rritur, doli në vend të parë.

Menjëherë pas saj, renditet rizgjedhja e Barack Obamës President i SHBA-ve, edhe për një mandat të dytë.

Superstuhia "Sandy" që vrau 125 njerëz në SHBA dhe 70 të tjerë në zonën e detit Karaibe, është votuar si ngjarja e tretë më e ndjekur. Superstuhia ishte fatkeqësia më e madhe natyrore që goditi SHBA-të, pas uraganit Katrina në vitin 2005.

Në vend të katërt, eshte përpjekja e Presidentit Obama për kalimin e reformës në shëndetësi, e pagëzuar me emrin "ObamaCare".
Ngjarjet e dhunshme në Libi, ku në konsullatën e Bengazit u vranë katër shtetas amerikanë, përfshirë ambasadorin Kristofer Stivens, renditen në vend të pestë.

Në të gjashtin vjen skandali i abuzimeve seksuale të zëvendës trajnerit të futbollit, Xherri Sanduski dhe dënimi i tij me 60 vjet burg.
Masat e ndërmarra për shpëtimin e ekonomisë amerikane dhe e ashtuquajtura "Humnerë fiskale", vijnë në vend të shtatë e të tetë.
Sipas "Associated Press", 2012-a ishte një vit historik për komunitetin gay, pas mbështetjes që morën nga Obama në muajin maj. Në zgjedhjet e 6 nëntorit, Mejni, Merilandi dhe Uashingtoni, u kthyen në shtetet e para amerikane që miratuan martesat mes personave të të njëjtit seks.

Ajo që lindi si protestë paqësore për demokratizimin e vendit në mars të vitit 2011, u shndërrua përgjatë 2012-ës në një luftë të pastër civile në Siri. Për këtë, konflikti i përgjakshëm, që u ka marrë jetën më shumë se 40 mijë njerëzve, zë një vend në renditjen e ngjarjeve të rëndësishme të vitit që po lëmë pas.

Në këtë dhjetëshe të parë, nuk arriti të futet për një numër të vogël votash, skandali seksual që çoi në dorëheqjen e shefit të CIA-s, David Petraeus


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.