VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Në 100 vjetorin e Pavarësisë LORO BORIÇI BIR I DENJË I SHKODRËS DERI NË VDEKJE Nga FRITZ RADOVANI E Premte, 12.28.2012, 07:11am (GMT1)
Në një oborr të vogel shkolle ku mori arsimin e mesem dhe kulturen qytetare shkodrane, dijti me nderthurë mësimin, formimin qytetar me até fizik, per me mbetë Yll i pavdekshem jo vetem per Shkodren e mbarë Shqipninë, por edhe në plejaden e vet të lojtarëve të Europës. Nuk kishte shkodranë që nuk dinte ku asht shtëpia e Boriçve, kur pyetej se ku gjindet. Një nga shtëpijat ma të bukra per nga pamja, e ndodhun në rrugen e Badrave, po edhe e një familjes nga ma të vjetrat e në za të Shkodres, e dallueme në shenjë per nga nderi e burrnija e të Parëve. Një familje e paisun me virtytet ma fisnike të trashigimisë së Shqiptarit të nderuem. Edhe djal' i atij truelli, Loro, deri në diten e vdekjes në Tiranë me 22 Prill 1984, pa mujtë kush me i ndrrue asnjë cilsi, e mbylli jeten me të gjitha tiparet e një Biri të denjë të Rozafës.
Në oborrin e asaj shkolle, Loro binte në sy per naltësinë e trupit, mbi 185
cm., dhe pikrisht aty në atë oborr veshi fanelen sportive, këpucet e futbollit
dhe ishte nder ma të zgjedhunit e djelmënisë së viteve 1936, per me u quejtë "e
ardhmja e Shoqnisë "˜Vllaznija". Një tjeter bashkohës i Tij, Prof. Ernest Helepiani, tregonte vetem fitore...fitore të një klubi shkodranë "Vllaznija", që trandi edhe gurt' e stadiumeve ballkanike me golat e bukur të Loros. Po Ai nuk mbeti vetem mbrenda cakut të kufijve tanë, mbasi shumë shpejt bie në sy të disa specialistëve italianë, të cilët i venë gishtin dhe e marrin në skuadrat ma të njohuna të tyne. Në vitin 1941 42 ka lujtë në Itali me klubin "Lazio", ndersa në 1942 43 me Romen. Kthehet në Shqipni dhe nuk pranon me ndejë jashta Atdheut, ndonse asnjëherë nuk mund të arrihej me u mendue nga askush e ardhmja e Shqipnisë me izolomin e saj hermetik. Në vitin 1945 vazhdon me "Vllazninë" dhe fiton kupen e kampionatit kombtar të futbollit. Në vitin 1946 Shqipnia fiton kupen e kampionatit të shteteve ballkanike në Tiranë, në saje të golave të Loros, ku edhe me një teknikë të veten ban publikun me duertrokitë per fitoren e Kombëtares sonë. Edhe kur ishin mardhanjet në prishje mes dy qeverive tona komuniste, Loro u ndodh në Beograd dhe iu ofrue mundsia e qendrimit atje nga "miqtë" jugosllavë, po Loro refuzoi: "Jam Shqiptar dhe do të los me Kombëtaren Shqiptare, mbasi Ajo më ka ba të njohun si futbollist të tillë..."
E merr klubi "Partizani" në Tiranë dhe mbas vitit 1946 ka qendrue në kryeqytet. Me sjelljen, kulturen dhe edukaten Loro, ban per vete edhe "ata" që e shikonin me synin e tyne prej fanatikësh, tue e konsiderue si nxanës të një "shkolle", të cilen pothuej në asnjë nga biografitë e tij të publikueme edhe sot "nuk tregojnë ku u formue dhe u zbulue ky talent i rrallë?" Megjithate, nuk asht as i pari as i fundit që vazhdon të mbetet nder labirinte "harrese"!
Mbas disa "akrobacive" të njohuna ndaj elementit katolik shkodranë, nga vitet
1960, Loro gjindet në Durrës, Vlonë, me kombëtaren e të "Rinjëve", me
shpresat...derisa kujtohen se asht i domosdoshem prap per me drejtue Kombëtaren
e Shqipnisë. Në vitin 1963, Loro merr "Medalje Argjendi" në lojnat e Ushtrive të Lindjes në Hanoi. Në një nga ndeshjet që trajneri i Kombëtares sonë mbeti në kujtesen europjane, asht ajo me Gjermaninë Perëndimore, me 16 Dhjetor 1967, në Tiranë, perballë trajnerit Helmut Shén, ku me një mjeshtri të madhe Boriçi eleminoi skuadren gjermane nga kampionati Europjan. Në vitet '70 Loro asht trajner i Kombëtares Kineze, ku perveç Kombëtares atje Ai ka ndihmue edhe disa skuadra të tjera futbolli, të cilat kanë shpreh edhe mirnjohjen e tyne.
Në vitin 1943...me daten 14 Tetor, kur shtëpinë tonë e kishte mbulue vaji nga
vdekja e Babës tim,..Motrat e Loros, per me më largue nga tmerri, më moren e
kemi shkue tek dhoma nalt, ku ishin vendosë shumë hurma per me u pjekë. Si
fëmijë aty u "habita"! Në vitet 1983 84 Loro smuret nga një kancer i perftuem siç mendonin mjekët nga pimja e panderpreme e cigares... Ishte në Itali per mjekim. Një ditë mjeku që e kuronte e pyet Loron: "Besoj e keni kuptue diagnozen?" Loro i pergjegjet: "Po, doktor! Ju falnderoj fort per kujdesin dhe mjekimin Tuej...Ma shumë u jam mirnjohës per kurimin Shpirtnor, të cilin nuk do të kisha mundsi me e pasë kurrë në Atdheun tim "ateist", në Shqipni!"
Loro Boriçi asht kenë Bir' i denjë i Shkodres deri diten e fundit të jetës... (Marrë nga ZSh, për ribotim në VOAL, nga Zeqir Lushaj) FRITZ RADOVANI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |