VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KONFIRMOHET TËRHEQJA E ALBRIGHT CAPITAL MENAGEMENT NGA BLERJA E PTKsë

E Premte, 12.28.2012, 08:09am (GMT1)




Prishtinë - "Albright Capital Menagement", një ndër katër kompanitë e parakualifikuara për blerjen e PTK-së, ka konfirmuar se është tërhequr që në muajin tetor nga gara për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.

Firma "Albright Capital Menagment", e kryesuar nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, konfirmoi të enjten se është tërhequr nga gara për blerjen e aksioneve të kësaj ndërmarrje publike kosovare.

ACM, ku ka aksione "Albright Stone Bridge Group", një kompani tjetër e themeluar nga ish-sekretarja Albright, ishte parakualifikuar nga Qeveria e Kosovës për të marrë pjesë në tenderin për privatizimin e PTK-së.

Blerja e aksioneve të PTK-së nga Albright Capital Menagment do të ishte rast shqyrtimi për Komisioni Kosovar të Konkurrencës, pasi që kishte rrezik potencial për krijim monopoli

Nelson Oliveira, drejtor dhe këshilltar i përgjithshëm i "Albright Capital Management", konfirmoi për gazetën Jeta në Kosovë se tërheqja nga tenderi në Kosovë është bërë në tetor të këtij viti.

"Ne rregullisht bëjmë vlerësimin e transaksioneve në tërë botën dhe duhet të vendosim në mes të shumë mundësive interesante, bazuar në burimet dhe kapitalin tonë, të cilat nuk janë të pakufizuara", tha ai.

"Në tetor, ne vendosëm të ndjekim disa mundësi të tjera që ne besojmë se ofrojnë më shumë mundësi suksesi për investitorët tonë", shtoi Oliveira.

Sipas tij, ACM që nga viti 2007, kur ka nisur të punojë, nga 100 mundësi transaksionesh ka investuar në vetëm 13 prej tyre.

Lëvizja "Vetëvendosje" iu ka dërguar një letër të hapur të gjitha ndërmarrjeve konkurrente për blerjen e shumicës së aksioneve të Telekomit të Kosovës, duke cekur se do të përpiqen me të gjitha mjetet të pengojnë shitjen e kësaj ndërmarrje më profitabile në vendin tonë.   


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.