VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

MARK GJONAJ, BURRI QË BËRI HISTORI...
Fotoreportazh nga KEZE KOZETA ZYLO

E Martë, 01.15.2013, 10:41am (GMT1)

Me krenari të ligjshme dhe plot emocion u mblodhën shqiptarët e Nju Jorkut për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të z.Mark Gjonaj i cili fitoi vendin në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut. Z.Douglas E.McKeon gjykatës dhe drejtor i zyrës së Betimit për shtetin e Nju Jorkut e udhëhoqi ceremoninë e inagurimit.

Salla ishte e mbushur plot e përplot nga qindra e qindra shqiptarë, amerikanë dhe nga komunitete të tjera që votuan bindshëm për Mark Gjonaj. Në këtë ceremoni përshëndetën personalitete të shquara në fushën e politikës si Senatori veteran Chuck Schumer, Kongresmeni Eliot Engel, senatori Jeff Klein, Ruben Diaz Jr.Elito, Christine Quinn, James Vacca, etj.. Ndërsa nga shteti shqiptar përshëndeti Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Gilbert Galanxhi i cili lexoi dhe përshëndetjen e kryeminstrit z.Sali Berisha. Nga shteti i Kosovës përshëndeti ambasadori z.Akan Ismaili.

Në emër të stafit të punës që kanë ndihmuar në fushatë të z.Mark Gjonaj ka përshëndetur drejtori ekzekutiv z. Vuksan "Sony" Vataj. Fjala e tij u ndërpre disa herë nga duartrokitjet. Znj.Artenida Gjeli, drejtoresha e marrëdhënieve me publikun e cila u mirëprit nga salla përshëndeti në gjuhën shqipe në nderim të origjinës së z.Mark Gjonaj i cili vjen nga një familje shëmbullore emigrantësh nga Reci i Ulqinit dhe arritën të edukojnë fëmijë plot kulturë dhe mirësi. Midis të tjerash znj.Gjeli tha se z.Gjonaj krijoi besimin në të gjithë votuesit, pasi panë tek ai njeriun me vizion dhe që do t'i përfaqësojë denjësisht në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut.

Mark Gjonaj i dha Kombit shqiptar dhuratën më të bukur pasi emri i Shqipërisë do të dëgjohet dhe më me respekt dhe dashuri nga shumë politikanë amerikanë. Z.Gjonaj është shqiptari i parë në gjithë historinë tonë që ngjitet në postin e lartë të politikës amerikane.

Gjate ceremonisë e cila zgjati për tri orë rresht u fol gjatë për Shqipërinë nga senatorët dhe përfaqësuesit e politikës amerikane. Në sfond midis flamurit amerikan, shtetit të Nju Jorkut, Kuvendit dhe Policisë ndrinte dhe Flamuri Shqiptar. Krahas hymnit amerikan u këndua dhe ai shqiptar nga artistja e mirënjohur Merita Halili shoqëruar në fizarmonikë nga Raif Hyseni. Skuadra e Policisë së Nju Jorkut egzekutoi më parë marshin e policisë.

Lutjen dhe bekimin e ka dhënë i përndershmi, kryefamullitari i Kishës "Zonja e Shkodrës" Dom Pjeter Popaj.

Me shumë emocion është pritur fjala e nënës fisnike së z.Mark Gjonaj, Roza Gjonaj, e cila në përshëndetjen e saj ndërmjet të tjerash tha: Më falni në skenë kurrë s'kam dalë, E ju mirë se keni ardh/ ...Baba, nana e familja po të urojnë, ruaje fort ti emnin tonë/ E ke marre kët detyrë të randë, Zoti ty djalë të prifte mbarë/ Nje dit mrrish në shtëpi të Bardhë!...

Ka vazhduar me motrën e Markut, e cila duke e uruar me një dashuri të veçantë vëllain e saj tha se: Duke filluar nga sot Marku nuk është vetëm vëllai im, por ai është edhe juaji.

Në fund ceremonia u finalizua me betimin e z.Gjonaj.

Udhëheqësi i ceremonisë ftoi në skenë familjen e Markut, bashkëshorten Robertën me dy djemtë Jozefin dhe Nicholas. Z.Gjonaj me dorën e majtë tek Bibla që e mbanin dy djemtë e tij përsëriste fjalët e Gjykatësit Douglas E. McKeon njëherazi drejtori i Zyrës së Betimit: Zot më ndihmo mua!...

Të gjithë por veçanërisht pjesëmarrësit shqiptarë u larguan nga kjo ceremoni me plot krenari dhe dashuri pasi dëgjuan nga përfaqësues të lartë të politikës amerikane vlerësimin maksimal për z.Mark Gjonaj, dhe në respekt të tij u fol gjatë dhe për Shqipërinë. Sa më shumë shqiptarë do të ketë aq dhe më mirë Amerika do te jetë tha Senatori veteran Chuck Shumer.

Kur burra të tillë ja zbardhin faqen Kombit, medoemos bëjnë Histori.

Mark Gjonaj hyri në Historinë Shqiptare si i pari shqiptar në politikën amerikane që do të na perfaqësojë denjësisht në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut.

Së shpejti TV Alba Life do të sjellë pranë jush kronikën nga ceremonia e inagurimit të betimit të z.Mark Gjonaj të zhvilluar në Shkollën "Christopher Columbus" në Bronx.

Bronx, New York

13 Janar, 2013

 

KEZE KOZETA ZYLO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.