E Enjte, 04.25.2024, 06:31pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
KUR REALITETI ËSHTË MË I BUKUR NGA VETË ËNDËRRA
Unë vizitova për herë të parë Kosovën tonë të lirë
Fotoreportazh nga AJET NURO, Montreal, Kanada

E Premte, 01.18.2013, 08:00am (GMT+1)



 



Pak histori ...

Që t'a kuptojnë ata që do të lexojnë këtë shkrim, ndjenjën e cila më shoqëroi në Kosovë në vizitën time të parë në jetën time, për të më kuptuar, gjithë ata që, me një ndjenjë mburrjeje u thosha « Do vizitoj për herë të parë Kosovën, ngjarje historike për mua », për t'i sqaruar që, mund t'u jem dukur pak i çmendur, po u bëjë një histori të shkurtër të lidhjes sime me Kosovën, histori që sidoqë nuk mund t'i përmbledh dot të gjitha.

Duhet të ketë qenë marsi i vitit 1981 dhe, unë nuk i kisha mbushur të 14-at dhe isha në klasën e tetë kur babai po dëgjonte Radio-Prishtinën, i përkulur tek radioja, u tërhoq pak mbrapa dhe tha : « Plasi dhe në Kosovë ». Nuk e di e as nuk e kam pyetur kurr pse shtoi lidhësen « dhe ». A mos vall kishte plasur gjëkund tjetër, mos vallë mund të plaste në Shqipëri, mos vallë ... Një gjë ishte e sigurt që ne nuk kishim të drejtë të diskutonim jashtë shtëpisë çfarë thoshte Radio-Prishtina dhe as radio të tjera të huaja. At'herë « e vërteta » ishte monopol i Radio-Tiranës. Unë nuk i mbaj mend të gjitha sa tha Radio-Prishtina por mbaj mend që një nga drejtuesit komunist të Prishtinës të ketë thënë : « Vrima e miut 500 grosh », shprehje që babai e komentoi si shprehje që thuhet dhe tek ne. Ajo që më bëri përshtypje është se unë mora vesh për ngjarjet e pranverës së vitit 1981 shumë para se Radio-Tirana dhe televizioni shqiptar t'a bënte të ditur. Që nga ai moment Kosova do të bënte pjesë në mendimet dhe ëndrrat e mia. Ëndërroja që nëse një ditë do të isha mësues i gjuhës shqipe do të doja të shkoja në Kosovë për t'u mësuar fëmijëve të atjeshëm gjuhën tonë të bukur. Nuk mund të them se pse por, ndoshta si adoleshent kujtoja se shqiptarë nën Jugosllavinë nuk kishin mundësi të mësonin gjuhën e nënës që ishte gjuha shqipe. Ndoshta një gjë e tillë ishte pjesërisht e vërtetë. Nuk di të them se kisha informacione për Kosovën pasi në librat shkollor nuk thuhej asnjë gjë për të. Në familje babai n'a e shpjegonte se Kosova ishte pjesë e Shqipërisë ose e asaj që duhet të ishte Shqipëria por Fuqitë e Mëdha vendosën t'ia japin Serbisë ashtu si Çamërinë në Jug që ia lanë Greqisë. Kjo gjë flitej edhe në biseda të lira. Ndërsa zyrtarisht, Shqipëria luftonte për të drejtat e vëllezërve tanë nën Jugosllavinë. Fill pas kësaj, domethënë pas ngjarjeve të pranverës 1981, disa emisione rreth etnografisë që i jepte televizioni shqiptar më bënë të zbuloj qytete si Prizreni apo Peja, qytete që çuditërisht ngjanin me Gjirokastrën tonë, qyteti më karakteristik ku përdorej guri në ndërtim dhe në zbukurime, qytet në Jug të Shqipërisë. Më ka pëlqyer gjithmonë të ndjek lajmet dhe këto jo vetëm nga Shqipëria por nga e gjithë bota. Sidoqoftë, lajmet nga Kosova përbënin interesimin tim më të madh. Dalngadal fillova të njoh edhe më mirë realitetin e shqiptarëve atje, emra artistësh, emra shkrimtarësh dhe ndiqja me një vëmendje të veçantë çdo gjë që ndodhte atje. Ndoshta duhet të jem nacionalist i keq apo i mirë, nuk mund të them gjë por, gjithmonë arsyetoja se përderisa Kosova i është shkëputur Shqipërisë me forcë pse të mos ketë të drejtë të shkëputet nga Jugosllavia dhe të vendos për fatin e vetë. Kur ndodhën ngjarjet e dhjetorit 1990 ndiqja me vëmendje çfarë do thonë vëllezërit tanë nga Kosova që kishin filluar organizimet e tyre politike shumë para se vëllezërit e tyre e këtej kufirit t'a bënin një gjë të tillë. Ishte pikërisht një shqiptar nga Kosova, Rexhep Qosja që do t'i jepte emrin « rilindje demokratike » asaj që po ndodhte në Tiranë, shprehje që shërbeu për të pagëzuar edhe gazetën e parë opozitare në Shqipëri. Pas vitit 1990 filluan edhe kontaktet e para të lira mes dy trungjeve të ndara nga historia, Shqipërisë dhe Kosovës. Mendimi i shqiptarëve të Shqipërisë ndaj vëllezërve të përtej kufirit ishte ndoshta i shkallës superiore aq sa edhe një shqiptar Kosove i thjesht mund të shitej për një biznesmen i ndershëm. Rasti i Hajdin Sejdisë ndoshta mund t'a shpjegoj më mirë një situatë të tillë. Ndërkohë, unë njoha pedagogun e parë nga Prishtina që jepte mësim në Gjirokastër dhe e kishte emrin Esat. Ai ndryshe nga pedagogët e tjerë që i kishte kapur sëmundja e korrupsionit ishte një djalë i drejtë dhe sillej me studentët si t'i kishte shokë, pa u influencuar në marrdhëdhëniet profesor-student. Shumë vite më vonë, të vjenë keq që një pjesë e pedagogëve të Prishtinës kanë mësuar nga ata të Shqipërisë londineze...

Kur u vendosa në Montreal, Kanada në vitin 1998 kam njohur shumë vëllezër nga Kosova dhe lufta që do të shpërthente një vit më vonë dhe aktivitetet në mbështetje të tyre do më bënin të njihja shumë e shumë syresh. Mes tyre mund të veçoj intelektualin dhe përkthyesin z. Kadri Sherifi si dhe aktivistin Azem Krasniqi. Ndërsa virtualisht kam njohur shumë e shumë prej tyre dhe sigurisht që mund të them pa frikë se ata janë si ne, me të mirat dhe të këqiat e tyre. Kuptohet që kam lidhur miqësi me shumë prej tyre, me ata me të cilët ndajmë të njëjtat mendime. Nuk mund të lë pa përmendur mikun tim Sefedin Krasniqi, kushëri i Heroit Ahmet Krasniqi, ministrit të parë të Mbrojtjes, me të cilin më lidhin vite e vite njohjesh, ndarje gëzimesh dhe hidhërimesh, solidariteti dhe bashkëpunimi. Në vitet në vazhdim, puna me mediat dhe bashkëpunimi më kanë lidhur me dhjetra e dhjetra shqiptarë nga Kosova sa që do të ishte e pamundur t'i përmend të gjithë. Situatën në Kosovë e kam ndjekur kaq afër sa mund të them se edhe atë në Shqipëri nuk e kam ndjekur ashtu. Madje, edhe idhulli im shqiptar në politikë është shqiptar nga Kosova dhe e ka emrin Ibrahim Rugova. Sa keq që ai nuk është më. Vetëm njerëz të mëdhenjë si ai mund të flisnin për rezistencë paqësore në Ballkan në fillim të viteve '90. Kur e shikon sot se ç'farë ndodhi në Ballkan e kupton fare qartë se Kosova nga preja a parë e Milosheviçit, u shndërrua në zgjidhja e fundit dhe unike me ndërhyrjen e NATO-s. Nëse Kosova do të ishte ngritur e para, ajo ndoshta sot nuk do ishte më Kosovë por kasapanë dhe popullsia e mbetur do ishte e shpërndarë nëpër Ballkan dhe në botë.
Fillimi i veprimeve të UÇK-së më ka gjetur në Itali dhe mandej në Kanada nga ku ndiqnim me frikë çfarë ndodhte në Kosovën tonë. Lufta, sidomos fillimi i saj, më kanë bërë të vuaj por vetëm 78 ditë bombardime dhe Kosova pas mëse 90 vjetë robëri, e pa veten pa serbët. Pastaj, akti i madh i pavarësisë. Largimi i serbëve në vitin 1999 ka krijuar një realitet të ri mes shqiptarëve, kufiri mes të cilëve është formal. Për më tepër, ndërtimi i autostradave që lidhin dy shtetet shqiptare, e kanë bërë lëvizjen mes shqiptarëve edhe më të lehtë edhe më të këndëshme... Në këtë lëvizje të dyanëshme, unë nuk kisha mundur të përfshihesha, për arsye që dihen. Por, në pranverë të këtij viti isha betuar se nëse do të udhëtoja sërish në Shqipëri, do udhëtoja patjetër në Kosovë. Dhe, ja pra. Para se t'u përshkruaj udhëtimin tim, dua të falenderoj mikun tim nga Kosova, avokatin e talentuar Isamedin Dedinca i cili erdhi në Tiranë dhe më shoqëroi gjithandej në Kosovë duke u bërë edhe udhërrëfyesi im.

Tirana dhe Prishtina në një fund tetori
 
E shtuna e 27 tetorit 2012 ishte një ditë shiu në Tiranë, një shi vjeshte që nuk të linte mundësinë të lëvizje i lirë në Tiranën që, edhe pa shiun është e vështirë të përshkohet me makinë. Ndonëse ditë shiu, mundohem t'i përmbahem planit të përgatitur qysh më parë që do të thotë nisje rreth orës dy nga Tirana me qëllim që t'a kalojmë me ditë kufirin shqiptaro-shqiptar në Morinë. Por, shiu e ngadalësoi udhëtimin. Rruga gjer në Fushë-Krujë ishte rrugë e rëndomtë. Dhe pikërisht aty fillonte një nga autostradat. Por autostradën që të çonte në Kosovë e morëm pak më pas. Autostrada e re ishte një vepër arti dhe shiu nuk ia prishte bukurinë. Ajo ishte një rrugë me kthesa, besnike e maleve tona. Male të larta që kanë ushqyer legjenda, këngë dhe tima. Diku në majë të një shkëmbi një kishë, diku më tej një kullë. Re që u janë ngjitur maleve si shallë dhe më tej tuneli i Thirrës një vepër arti më vete... Tuneli ishte jo pak por 6 kilometra, dhe ndjesia e känaqësisë së udhëtimit në të, përzihet me krenarinë historike se pikërisht një vepër si kjo ishte ndërtuar në Austri rreth dy shekuj më parë nga një prej pionerëve të tuneleve europianë siç ishte i famshmi Karl Gega. Nuk mund të rrish indiferent ndaj asaj çfarë sheh përgjatë rrugës drejtë Kosovës që edhe ajo nga ana e saj përbënë paradoksin shqiptar, bukuri natyre dhe varfëri jo natyrore. Pse? Përgjigja mund të jetë një psherëtim. Udhërrëfyesi im më plotëson rrugën me lloj lloj informacioni, qyfyresh dhe historirash pasi ai e bënë shpesh këtë rrugë.

Aty në kufirin Shqiptaro-shqiptar...
 
Nga larg n'a lajmërohet herë mbas here Morina dhe i takon asaj të jetë kufiri mes dy shteteve shqiptare. Dy shtetet shqiptare është një nocion relativisht i ri që ndoshta nuk do të plaket kurr. E megjithatë, ky është realiteti i kësaj dite të këtij fund-tetori të vitit të 100-vjetorit të Pavarësisë. Ndonëse ne jemi duke dalë nga Shqipëria, rojet shqiptare n'a ndalojnë për ndonjë pyetje të çastit. Më shpjegojnë se këta bëjnë ndonjë pyetje ndërsa në kthim pala tjetër nuk të ndalojnë fare... Kontrollin, pa probleme, n'a e ushtron pala shqiptare e Kosovës. Ai është momenti im. Ishte momenti i aq ëndërruar, të kaloja në tokën e Kosovës, tokë që më kishte hidhëruar e gëzuar, më kish bërë krenar e trim dhe që më kish munguar në arsenalin tim të gjatë të udhëtimeve. Sa kaluam doganën ndala të fiksoj këtë moment në një foto. Një foto për t'i shprehur të gjitha ato ndjenja që bashkohen aty tek kalon kufirin e shtetit më të ri të Europës, shtet që ndryshe nga çdo shtet tjetër të Europës unë e ndiej timin. Pastaj monotonia e autostradës që vazhdon drejtë Prishtinës. Veçse autostrada në pjesën pas kufirit ka më pak kthesa. Dhe jo larg nga kufiri është i famshmi Prizren. Them i famshëm sepse në ndërgjgjen tonë kombëtare, Prizreni është i lidhur me Lidhjen e Prizrenit, lidhje që e zgjoi dhe i dha gjallëri çështjes sonë kombëtare.

Prizreni
 
Ndonëse ishim në kufijtë mes ditës dhe natës, muzgu nuk n'a pengonte të shijonim hiret e një qyteti të veçantë si Prizreni. Sigurisht, zbrita nga makina për të përfituar e marr me vete disa shkrepje nga Prizreni ku dalloje lehtësishtë minare xhamijash dhe ndërtime të tjera karakteristike. Një urë guri binte në sy, urë e shoqëruar në sfond nga ndërtesa karakteristike që ndoshta veç në Prizren i gjen. Të shkosh në Prizren dhe të mos përfitosh nga qebapët e famshëm është si të mos kesh qenë. Dhe, udhërrëfyesi im zgjodhi qebaptoren « Hyska » për të n'a treguar këtë karakteristike të kuzhinës prizrenase. Aty jo vetëm kam shijuar ushqime të veçanta dhe të shijshme ku në sy binte qebapi. Në menu kishte dhe dhallë që ne që jemi rritur në Jug n'a ka shoqëruar shumë në të përditëshmen tonë por që nuk e gjenë nëpër shumë restorante. Por ajo që binte në sy ishte një shërbim jo vetëm profesional por edhe vllazëror. Madje një nga drejtuesit e lokalit (ndoshta pronari i lokalit), Shefkiu, erdhi vetë dhe më propozoi disa prodhime të veçanta që ndonëse do të doja t'i provoja, ngaqë hëngrëm shumë, nuk munda. Bëhej fjalë për turshi karakteristike, speca të mbushur me salcë kosi, që në sy ishin të shkëlqyer por që thash nuk munda t'i provoja dhe kjo më ngeli peng. Sidoqoftë pjata kryesore ishte e mbushur me qebap, dhe disa lloj salçiçesh si dhe një bukë e shijshme e bërë në lokal. Nuk mungonin sallatrat e ndryshme dhe siç thash një gjë që nuk e gjenë në restorante të tjera, të paktën në Shqipërinë e sotme zyrtare, një gotë dhallë. Aty hahej mirë por në respekt të shumicës së klientëve të saj të besimit myslimanë, aty nuk shërbeheshin pije alkolike. E gjendur në qendër të Prizrenit, lokali vizitohej nga VIP-a shqiptarë. « Këtu, ishte para dy ditësh Saliu », më tha pronari, jo pa mburrje për vizitën e kryeministrit shqiptar. Lëmë lokalin dhe kalojmë në një rrugë që në krah kishte një hamam të madh, shenjë e kulturës orientale që sundon në këtë qytet. Madje më thanë se rruga ku po kalonim ka qenë e shtuar me kocka. Shenjë e dhunës, luftrave, përplasjeve të kohrave kur perandoria orientale përpiqej të zgjerohej në Europë? Ndoshta, kalimi natën në rrugë të tillë mund të të zgjoj imagjinatën.


Pas një cop rruge, i rihyjmë autostradës që të çon në Prishtinë, kryeqyteti i famshëm i Kosovës. Them i famshëm pasi emri i Prishtinës ndoshta më është ngulitur herët, ku nga lajmet e ku nga dëgjimi i Radio-Prishtinës. Dhe kuptohet si kryeqendra e Kosovës, emri i saj është më i lakuari jo vetëm në gjuhën tonë por në të gjitha gjuhët e botës. Para se të mbërrinim në Prishtinë, ishte një copër rrugë e re, autostradë pra, që pritej të përurohej me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Prishtina
 
Nga disa fotografi të marra natën e të postuara në mediat sociale kisha krijuar përshtypjen se Prishtina është më mirë ta shikosh natën. Edhe pa ia kërkuar, miku im udhërrëfyes më tha se do kalojmë nga një rrugë nga ku duket Prishtina shumë bukur. Dhe vërtetë, pamjet nga Prishtina natën ishin të shkëlqyera. Fatkeqësisht aparati im, nuk mund t'i fiksonte ato pamje (ose i zoti i tij nuk ishte në gjendje...). Pastaj disa vizita në rrugët kryesore. Prishtina, ndryshe nga Tirana, nuk ka një qendër ose një vend ku të mblidhen të gjitha rrugët si Sheshi Skënderbej në Tiranë për shembull. Prishtina ka shumë pika tërheqëse që secila do vizitë më vehte. Dy ishin objektivat e mia, para se të nisesha për në Kosovë : një vizitë në Katedralenë e Nënë Terezës dhe një vizitë aty ku prehet lideri më i madh i shqiptarëve në kohët moderne, Ibrahim Rugova. Sigurisht, e nesërmja ishte dita që do t'a merrte përsipër realizimin e këtyre objektivave.

Prishtina e mbrëmjeve


Zakonishtë konkluzionet bëhen në fund por nuk mund të rri pa thënë se Prishtina më pëlqeu. Ajo ishte tërheqëse dhe e gjallë si në mbrëmje dhe gjatë ditës. Pak pasi mbrritëm dhe u rehatuam në Prishtinë, të gjithë bashkë, mikëpritësit me miq të tyre dhe unë që ftova nga ana ime mikun tim të vjetër dhe një aktivist i bashkësisë shqiptare këtu në Montreal Albi Nushi, shkuam në një kafene në qendër të Prishtinës. Ishte një kafene dhe unë nuk para i pëlqej kafenetë por nëse do të kisha mundësi të isha në një ambient si ai që kaluam aty në Prishtinë, sigurisht që do të ndërroja mendje. Aty më sygjeruan të provoj birrën « Peja » që më pëlqeu shumë. Pasi kaluam disa orë me biseda të këndëshme, me birra në një ambient mbushur muzikë por edhe biseda me zë të lartë si mes shqiptarëve, (preshevarë, prishtinas, gjakovarë e tepelenas...) koha për gjumë dhe për t'u përgatitur për të nesërmen...

Prishtina, ky qytet i gjallë
 
Prishtinës nuk mund t'i gjej ndonjë epitet veç asaj që m'u duk një qytet i gjallë. Këtë përshtypje t'a jepnin njerëzit që dukeshin të qeshur, miqësor por edhe rrugët, lokalet, fasadat e ndërtesave ku rrallë mund të gjeje ndonjë shenjë që të tregonte se aty kishte patur luftë jo më larg se 11 vjetë të shkuara. Një shenjë që tregonte ikjen e serbëve ishte një kishë që ata donin të ndërtonin jo larg nga biblioteka e Prishtinës, tregonte kapitullimin e tyre historik dhe ishte në një farë mënyre trofeu i fitores së shqiptarëve. Duke filluar vizitat në qytet, ndalimi i parë është tek monumenti kushtuar atij që shqiptoi fjalën « Zjarr! » në atë marsin e 1999, fjalë që ishte shpëtimi për shqiptarët e Kosovës që as e kanë harruar as nuk e harrojnë këtë akt të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Bill Klinton. Por, duhet të kem rënë në dashuri me këtë qytet sepse ç'do rrugë e tij më dukej e bukur e pastër, e rregullt. Ndaj kur i shikon fotot që kam bërë në Prishtinë nuk mund të zgjedhësh e të thuash që kjo pozë është më e bukur se tjetra. Sigurisht, Prishtina ka dhe kulme si tashmë vendi i njohur si « New Born » shkrimi në beton që përjetëson shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, monumenti i Nënë Terezës, Monumenti i Skënderbeut, ndërtesat qeveritare dhe Katedralja e Nënë Terezës. Pas një vizite të shkurtër në qytet, një vizitë në zyrat e mikut tim avokat z. Isamedin Dedinca më japin kënaqësinë të njoh ambientin ku zhvillon aktivitetin e tij një nga profesionistët më të mirë jurist në Prishtinë. Pastaj i vjenë radha një nga vizitave që unë e prisja me padurim, vizita tek varri i personalitetit më të madh politik të të gjitha hapsirave shqiptare në kohët moderne, Ibrahim Rugova. Europa Lindore nxori shumë lider pas përmbysjes së komunizmit, hapsirat shqiptare gjithashtu. Por asnjë lider nuk pati vizionin, largpamësinë dhe urtinë e Ibrahim Rugovës. Miku im, Isamedini që më shoqëron në këtë vizitë më shpreh atë anë të thjeshtësisë së Dr. Rugovës. « Rugova, më thotë ai, nuk fliste shumë. Ai gjithmonë fliste pak dhe thoshte të njëjtat gjëra dhe njerëzit e kuptonin dhe e donin ». Varri i liderit historik gjendej në një kodër të qetë. Ndoshta aty normalisht duhet të kishte roje por në momentin që shkova unë nuk kishte këmbë njeriu. Duke bërë homazhe tek varri i tij nuk mund të mos sjellësh në mendje atë çfarë Rugova bëri për Kosovën. Shumëkush mund t'a ketë harruar sot rezistencën paqësore për të cilën u shqua Ibrahim Rugova. Por, nuk duhet harruar kurr se ajo politikë tërhoqi vëmendjen e kancelerive perëndimore më shumë se ç'do luftë tjetër e hapur në territorin e Ish-Jugosllavisë.

Kosova dhe banorët e saj duket se nuk e kanë harruar atë çfarë Ibrahim Rugova bëri për Kosovën dhe çështjen kombëtare në përgjithësi. Një portret i madh i tij në një faqe muri të një ndërtese shumëkatëse tregon lidhjen e tij me qytetarët e tij të dashur.

Katedralja « Nënë Tereza »

Thonë se edhe në themel të nismës për ngritjen e një Katedrale në qendër të Prishtinës ishte pikërisht presidenti Rugova. Dhe simboli i Katedrales « Nënë Tereza » i kalon kufijtë e fesë katolike. Ajo është simboli i historisë sonë të hershme, i mesjetës sonë dhe simbol i së sotmes sonë moderne. Katedralja e « Nënë Terezës » reflekton gjithashtu atë dritë që rraca jonë shqiptare i ka dhënë botës në simbolin e Nënë Terezës. Një vizitë në Katedralen e famëshme do të ishte plotësim i planit tim të shkurtër në Prishtinë. Vizitën në Katedrale e zhvillova në mbrëmjen e 28 tetorit që ishte e dielë. Ndonëse e dielë, që është ditë liturgjish dhe shërbesash fetare, isha me fat të takoja Don Lush Gjergjin që është një nga njohësit më të mirë të figurës së Nënë Terezës duke qenë edhe autori i dhjetra botimeve kushtuar nobelistes shqiptare, në shqip dhe në dhjetra gjuhë të tjera. Ndonëse një takim i paparashikuar Don Gjergji n'a kushtoi disa çaste duke shprehur kënaqësinë të takonte dikë që vinte nga larg, nga Montreali i Kanadasë. Miku im Gjergj Nikolla, i cili jeton në Toronto, më kishte dhuruar librin « Lule për Nënën » të Don Lush Gjergjit. Duke qenë në Prishtinë, përfitova të shtoja në biblotekën time dhe një libër tjetër po nga ky autor, me titull « Nëna e dashurisë ».

Mikpritje shqiptare

Kur mikut tim Zejadin Dedinca i kishte ardhur nëna për vizitë në Kanada, shkova dhe e takova dhe tek ajo gjenë vend shprehja e përdorur në Jug që thotë « Është Xhiko që bënë Çelo ». Tek një nënë fisnike si ajo shikon edukimin e fëmijëve të saj, njëri prej të cikëve, Isamedini më shoqëroi gjatë gjithë vizitës në Kosovë. « Do më takosh nënën më tha Zejadini » para nisjes nga Kanada. Por, si mund të shkoja në Prishtinë dhe mos të takoja atë zonjë. Nuk po shkruaj më shumë se pritja që më bëri kjo nënë e mrë, ishte mikritje shqiptare.

Fushë-Kosovë

Fushë-Kosova është një komunë në periferi të Prishtinës por që nuk kishte asnjë gjë mangët nga Prishtina. Dhe të gëzonte fakti të shikoje aty komplekse tregëtare, qendra shërbimesh, pika karburanti të shoqëruara me restorante e dyqane të tjera dhe kafene të bukura. Ndonëse binte shi në datën 28 tetor, një pizza në një qendër tregëtare, në një ambient ku mbizotëronte xhami, të jepte kënaqësinë të ndiheshe në Europë. Larg asaj që mund të mendohet për ndikime orientale në Kosovë. Unë nuk pash ndonjë gjurmë të tillë. Falë teknologjisë, internetit pa tel (wi-fi) një nga kontaktet e mi në Prishtinë më kontaktoi pasi përditësova statusin facebook dhe kështu shtova dhe një takim në axhendën time të ngjeshur.

Takim me një njeri dhe intelektual të rrallë
 
Qysh para nisjes nga Kanadaja kisha kontaktuar shumë persona që do të doja t'i takoja gjatë vizitës sime në Kosovë dhe një prej tyre ishte Prof. Dr. Riza Sadiku. Madje nga nxitimi, i kisha nisur profesorit datën 30 në vend të së dielës 28. Por, falë teknologjisë u lidhëm me njëri-tjetrin. Kështu, të hënën në datën 29 tetor u takuam diku pranë rrugës së UÇK, pranë qendrës së Prishtinës. Profesor Sadiku ishte po ai që kisha njohur nga vepra e tij, fisnik, i pasionuar pas historikut të diasporës, nacionalizmit shqiptar dhe i pasionuar pas punës së tij në Muzeun e Kosovës. Koha në këtë takim me Prof. Sadikun dhe Milaimin (Dedinca) që më shoqëroi atë të hënë kaloi pa u vënë re. Mikpritësi nga Prishtina, ndoshta duke e ditur që unë vij nga Jugu, më propozoi për të pirë raki dhe jo raki dosido, por raki ftoi. Sa do të doja të rrinim aty rreth asaj gote rakie ftoi orë e orë të tëra ... por në mbrëmje duhet të isha në Tiranë. Për të përfituar nga qëndrimi në Prishtinë, profesor Riza Sadiku më propozoi të vizitoja muzeun e Kosovës dhe mund të them se ishte një përvojë më vetë. Së pari, i shoqëruar nga profesori, mësova shumë rreth Prishtinës, historisë së para luftës e asaj të pas luftës, si dhe shumë fakte të historisë së lashtë të sjella në muzeun e Kosovës. Së dyti do mësonim shumë nga njëri-tjetri, sidomos unë do mësoja shumë nga profesori i nderuar, për personazhe të rëndësishme të diasporës. Në një moment ai më foli për një veprimtar të diasporës shqiptare në Australi dhe për përpjekjet e tij për të takuar Nënë Terezën dhe momentin e një habie të jashtëzakonshme të shkaktuar tek Nënë Tereza kur ai i foli asaj shqip. Profesor Riza Sadiku është një i pasionuar i dokumentimit të veprimtarisë së diasporës dhe shumë personazheve të saj që nëse lihen në hije, ata do të ngelen ashtu të mbuluar nga harresa.

Rrugës për në muze, kaluam pranë një monumenti të periudhës jugosllavo-titiste dhe profesori më shpjegoi simbolin që ishte sllogani titist, bashkim vllazërim. Monumentin kishin tentuar t'a hidhnin në erë por pa mundur t'a rrëzonin. Sidoqoftë, monumenti edhe i plagosur, qëndronte në këmbë për të dëshmuar një periudhë jo të paktë të ish shtetit shumë kombësh sllavë, ku shqiptarët ishin bijët e njerkës dhe të përçarët e shtetit federal. Edhe një autonomi që ua dhanë, ishte thjesht blerja e qetësisë nga ana e Titos dhe klikës komuniste.

Muzeu i Kosovës, ndodhej në një ndërtesë prestigjioze por kuptohet që megjithë punën e specialistëve që punojnë aty, ai është një institucion buxhetor dhe dukej varfëria. Mbi të gjitha dukej edhe burokratizmi në trajtimin e çështjes së kulturës dhe të vjen keq tek dëgjon historira si odiseja e ekspozitës « Amerika për Kosovën » një ekspozitë që u vlerësua lart nga klasa politike në Prishtinë, Tiranë dhe në Washington por që kur mori rrugën për në Shtetet e Bashkuara, u derdhën parà për udhëtimin dhe rezervimet e sallave por që, kurr nuk e pa dritën e diellit dhe që përfundimisht ajo u kthye nga ishte nisur. Një « xhiro » e tillë shifrohet në mijëra dollarë të hedhur poshtë... (lexoni ketu per me teper)
 

Profesor Riza Sadiku më kishte përgatitur një dhuratë, librin monografik « Hafëz Jusuf Azemi » që bënë të njohur tek publiku shqiptar bëmat e këtij patrioti të shquar që jo të gjithë e njohin. Por, profesor Sadiku është një prodhues i pashoq monografish, punimesh, artikujsh dhe librash. Dhe duke qenë për vizitë në zyrën e tij, mua më bëri përshtypje një libër që do të ishte mirë që ç'do shqiptar t'a kishte në biblotekën e vetë, libri « Mërgata Shqiptaro-Amerikane për Kosovën » ku autori përmbledh bilancin e një pune të paimagjinueshme të mërgatës shqiptaro-amerikane në dobi të çështjes kombëtare, konkretisht asaj të Kosovës. Nga ana tjetër, dhe kjo është një meritë e veçantë e këtij libri, autori n'a paraqit edhe atë ndihmesë që shqiptarët e Amerikës i kanë sjellë vetë Amerikës duke n'a treguar kështu se dashuria e shqiptarëve dhe amerikanëve nuk është një dashuri e njëanëshme por një dashuri e ndërsjelltë. E pra, profesori nuk kishte shumë kopje të librit por nuk ngurroi të m'a jepte një kopje. E falenderova dhe e falenderoj edhe njëherë për këtë libër me shumë vlera për mua dhe që ndoshta ndonjë ditë do të mundemi t'a bëjmë edhe më të njohur në mesin e diasporës shqiptare.

Një ngjarje e veçantë ...
 
Duke vizituar sallat e Muzeut të Kosovës që fliste për historinë e kësaj toke të lashtë me atë të objekteve arkeologjike të gjetura në tokën e saj, një çift i ri më afrohet dhe më pyesin nëse punoja aty.
U thash jo dhe i pyeta se si mund t'i ndihmoja.
Ishin një çift i ri, të sapo martuar që jetonin në Suedi. Ndodheshin me pushime në Kosovë. Kishin gjetur tek shtëpia e tyre objekte arkeologjike që ata i gjykonin me rëndësi për t'ia dhuruar Muzeut të Kosovë. Duke biseduar me ta dhe me prof. Riza Sadikun, ngjitemi në zyrën e këtij të fundit. Sigurisht, duke pritur një nga kolegët e prof. Sadikut, specialist që do vlerësonte objektet e gjetura, u bëra foto objekteve dhe çiftit të ri. Specialisti erdhi dhe nuk mund të rrija pa i bërë pytjen : Janë ,e rëndësi këto objekte? Po, m'u përgjigj ai pa hezim. E pra përgëzime Artan dhe Besarta Statovci që morën mundimin për të çuar në Muzeun e Kosovës objekte me rëndësi për kulturat e zhvilluara në trojet tona.

Kosova politike
 
Gjatë qëndrimit në Kosovë nuk mund të rrija pa diskutuar politikë por edhe ata me të cilët pata rastin të flas nuk e evitonin këtë subjekt. Nuk mund të linim pa folur për të mirat që i solli Kosovës administrimi nga të huajt menjëherë pas luftës pasi ata kishin eksperiencën e shtetformimit dhe ndhmuan Kosovën në krijimin e intitucioneve. Në rrugët e Kosovës shihje rrallë makina të KFOR-it apo EULEX-it dhe ati dukeshin si objekte muzeu dhe diçka që i përkiste të kaluarës. Sidoqoftë, Kosova e sotme, fatkeqësisht, ndonëse nuk ka dhunën politike të pasluftës që aq shumë e goditi forcën kryesore politike të kohës LDK-në, ka një plagë për të cilën qytetarët e saj shqetësohen, siç është korrupsioni dhe mungesa e profesionalizmit në disa segmente të qeverisjes. « Pronarë të keq » do të më shprehej njëri nga miqët e mi kur ra fjala për pushtetarët që janë bërë të pasur nga pushteti politik që ata kanë sot. Togfjalëshi tjetër ishte « injorantët e pasur »... Sidoqoftë nëpër rrugët e Prishtinës, shihje parrulla të aktivistëve të Lëvizjes Vetvendosje. Ndonëse nuk kisha ndonjë dëshirë apo plan të takoja ndonjë politikanë të Kosovës, e vetmja dëshirë që mund të bënte përjashtim do të ishte një takim me Albin Kurtin, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. Do të doja të bisedoja me të dhe t'i bëja disa pyetje që më lindin duke parë veprimtarinë e tij dhe të grupimit politik që ai përfaqëson. Por as koha dhe as vendi nuk e lejonin një gjë të tillë. Nëse do kisha menduar seriozisht një gjë të tillë, duhet të isha përgatitur.
 
Prishtina e fund-tetorit

Duke shëtitur aty në Prishtinë, duke kërkuar suvënire, duke ngrënë në një byrektore aty në qendër, rash në dashuri me Prishtinën tonë. Bëra foto sa munda dhe dijeni se nuk jam fotografi më i mirë në botë, por Prishtina nuk kishte nevojë të ishe ndonjë forograf i madh. Ishte një qytet i bukur dhe siç e thash më sipër, një qytet i gjallë. Aty nga ora 4 mbasdite pasi brodha e mblodha suvënirët pa të cilët nuk mund të ikja nga Prishtina, u kujtuam se nuk kishim ngrënë. At'herë Milaimi (Dedinca) dhe poeti preshevar Salim Memishi, që më shoqëronin atë mbasdite, më propozuan të hynim në një byrektore. Kam frikë nga restorante të tillë sepse më duket sikur do më servirin gjëra të ndenjura por kur dola nga ai restorant kam dëshirë t'i rikthehem një ditë dhe pse të mos shënojmë edhe se nuk ishte i shtrenjtë. Duke qenë se Joseph kishte ditëlindjen atë ditë, ku më mirë se Prishtina për t'i bërë një dhuratë. Një kostum kombëtar do të ishte edhe një kujtim i mirë edhe për atë edhe për mua.
 
Kujtime që do ngelen për shumë e shumë kohë

At'herë kur mbrëmja po trokiste në Prishtinë, n'a u desh të marim rrugën e kthimit për në Tiranë. Ndonëse një shi i rrëmbyer dhe fshirset e xhamave punonin pa pushim për të larguar shiun nga xhamat, në mendjen time kanë ngelur momente që fshirsja kohë nuk mund t'i largoj dot nga kujtesa. Kjo ngase Kosova në sytë e mi, ishte edhe më e bukur se çdo t'a ëdërroja.

Ajet Nuro
anuro@albemigrant.com
Montreal, Kanada, nëntor-dhjetor 2012
Rishikuar në Janar 2013

AJET NURO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
UASHINGTON - DITA E INAUGURIMIT TË PRESIDENTIT SHTON SHITJEN E DHUARATAVEDyqanet e dhuratave në Uashington janë gati për inaugurimin e dytë më të madh në histori (01.18.2013)
JUSUF BUXHOVI - SERBIA ËSHTË 'KRIJUAR' NGA SHQIPTARË (Intervistë) (01.17.2013)
Në 31 vjetorin e rëniesDISA ÇASTE ME HEROIN JUSUF GËRVALLA NË PEJËNga HAFIZ GAGICA (01.17.2013)
FORCA SERBE SHTESË PËRGJATË KUFIRIT ME KOSOVËN (01.17.2013)
'Zëri i Amerikës' - Parakalim në mbështetje të Luginës së PreshevësSTUDENTËT E UNIVERSITETIT TË PRISHTINËS U BËNË THIRRJE TIRANËS DHE PRISHTINËS QË TË MBËSHTESIN SHQIPTARËT NË LUGINËN E PRESHEVËS (01.17.2013)
DISKRIMINIMI I FEMRËS NË ART DHE BOTËN AKADEMIKE, DISKRIMINIMI INTELEKTUALNga Prof. Asc. INA KOSTURI (01.17.2013)
ARMATA KOMBËTARE SHQIPTARE - NJERËZIT ME MASKA NUK JANË AKSH E VËRTETËReagim në shkrimin me titull” Do të hyjmë në luftë me Serbinë” të publikuar në gazetën “Zëri” e dt. 14.01.2013 (01.17.2013)
HEROI KOMBTAR GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU (1405 – 1468) (01.16.2013)
NË NJU JORK U ZHVILLUA PELEGRINAZHI I 37VJETORIT TË VDEKJES SË GJENERAL ABAZ KUPITNga BEQIR SINA, New York (01.16.2013)
EURODEPUTETI KRISTIANSOCIAL BERND POSSELT - KOSOVA NUK DO TË JETË KURRË MË SERBE (01.16.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]