VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TENTUESI PËR ATENTAT KUNDËR PRESIDENTIT IBRAHIM RUGOVA VIZITOHET NGA EULEXi

E Shtunë, 01.19.2013, 08:39am (GMT1)




Prishtinë - Agim Hoti, i vetëquajtur tentim-atentator i të ndjerit president Ibrahim Rugova, është marrë të enjten dhe dy javë më parë në pyetje nga hetuesit e prokurorisë së EULEX-it, në qelinë e tij të burgut në "Dubravë", raporton Gazeta JNK.

Hoti vuan dënimin e tij në qendrën më të njohur korrektuese të vendit për një atentat tjetër. Ai së bashku me Mentor Qelën, më 28 shkurt 2007, kishin provuar të vrisnin Anton Berishën, ish-shefin e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART).

Po ashtu, ai më 12 prill 2007, së bashku me Driton Spahiun kishte sulmuar sërish veturën e ish-kreut të ART-së me një granatë dore dhe me dy minahedhës. Për këto veprime, më 20 nëntor 2009, Hoti ishte dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë me 16 vjet, Qela me 20, ndërsa Spahiu me 15 vjet e gjashtë muaj. Vendimi, me disa zbritje të vogla, ishte vërtetuar nga Gjykata Supreme e Kosovës më 24 gusht 2011.

Mirëpo, Agim Hoti kishte deklaruar në media se ai është edhe autor i dy tentim-atentateve ndaj ish-presidentit Ibrahim Rugova, në vitin 2004-2005, në konvojin e veturave që e shoqëronte drejt Zyrës së Presidentit dhe tjetra në rezidencën e tij.

Që të dy sulmet ndaj ish-presidentit, Hoti thoshte se i kishte kryer me urdhër të Xhavit Halitit, aktualisht deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, Artan Nimanit, profesor në UP, si dhe Agron Haradinajt, i cili punon në PTK.

Të apostrofuarit nga Hoti patën mohuar akuzat e drejtuara atyre, duke i cilësuar ato deklarime shpifje dhe budallallëk.

Përmes telefonit, të enjten Hoti i tha GJK që brenda vitit 2013 ai është marrë dy herë në pyetje nga hetuesit e EULEX-it.

"Dje (e enjte) dhe dy javë më parë, EULEX-i ka qenë në burg dhe më kanë intervistuar. Ata janë interesuar për atentatin ndaj ish-presidentit Rugova, por edhe për atentatin ndaj ish-kreut të ART-së, Anton Berisha", thotë Hoti.

Mirëpo, zyrtarja për informim publik nga EULEX-i, Bardha Azari nuk ka mohuar e as pohuar nëse ka filluar hetimi për rastin e tentim-atentatit ndaj ish presidentit Rugova.

"Nuk mund të konfirmojë apo mohojë nëse hetimi është në vazhdim e sipër ose nëse një person specifik është intervistuar", thotë Azari.

Ndryshe nga EULEX-i, ushtruesja e detyrës në Qendrën Korrektuese të Dubravës, Zyrafete Imeraj thotë se hetuesit e prokurorisë së EULEX-it me leje janë takuar me të burgosurin Agim Hoti.

"Dje (enjte ) në Burgun e Dubravës kanë qenë hetuesit e prokurorisë së EULEX-it, të cilët kanë ardhur me leje të prokurorisë. Ata janë takuar me të burgosurin Agim Hoti, ndërsa më parë jam takuar edhe unë personalisht me këta hetues", thotë Imeraj.


www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.