VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Roli i aleatëve në Luftën e Dytë Botërore - Debate historike
E Mërkurë, 09.02.2009, 07:23am (GMT1)

 Lufta II Botërore shkaktoi rreth 100 milionë viktima

 

 

Libri i historianit anglez Norman Dejvis "Katastrofa e Madhe -Evropa në luftë", që trajton në mënyrë kritike politikën e aleatëve perëndimorë përballë diktatorit sovjetik, Stalin, ka ngjallur debate mes historianëve.

 

Kur Hitleri shpalli më 1 shtator 1939, duke bërtitur në Operën Kroll të Berlinit fillimin e Luftës së Dytë Botërore, askujt nuk i vajti mendja, se me këtë ai do të niste luftën më brutale dhe me pasoja më të rënda për njerëzimin. Në thuajse gjashtë vitet e ardhshme deri në kapitullimin e Gjermanisë më 8 maj 1945, kontinenti midis Sicilisë dhe Shpicbergenit (Spitzbergen), midis Atlantikut dhe Uralit u shkretua. Rreth 100 milionë vetë u bënë viktima të Luftës së Dytë Botërore: ata u masakruan, humbën jetën në fushat e betejës, vdiqën nga uria, mbetën jetimë, pa strehë, u cënuan dhe deportuan.

Përmasat e tmerrit bëjnë që edhe 70 vjet më vonë, historianët të përpiqen të gjejnë shpjegime, të bëjnë inkuadrime të ngjarjeve dhe të diskutojnë pasojat për kujtesën kolektive. Historiani anglez Norman Dejvis përcjell në librin e tij të ri "Katastrofa e Madhe - Evropa në Luftë" gjendjen e studimeve dhe i rivlerëson ato. Interesi i tij është harmonizimi i kujtesës vetjake për luftën me atë të palëve të tjera evropiane në luftë. Një proces, i cili ka bërë që t'u tërhiqet vëmendja edhe historianëve gjermanë. Për historianin Rolf Diter Myler (Müller) nga Zyra e Kërkimeve Shkencore Ushtarake këtu kemi të bëjmë me një proces, i cili nuk është arritur akoma:

"Një ndërgjegje e përbashkët evropiane, kjo është diçka që ka lindur shumë ngadalë, diçka që në fillim më tepër funksionon në plan bilateral, si në pajtimin gjermano-francez ose si në përpjekjet e viteve '80 për një pajtim me popujt e Bashkimit Sovjetik."

 

 Chirchill, Truman dhe Stalini në Konferencën e Pocdamit 17.7. - 2.8.1944

 

 

Dejvis synon me refleksionet e tij një kujtesë evropiane, sepse një kujtesë e tillë kolektive nuk është vetëm një hambar dijesh, por edhe një busull për sjelljen në të ardhmen.

Në këtë kujtesë kolektive është konservuar, që Vehrmahti gjerman kaloi në 22 qershor 1941 kufirin e Bashkimit Sovjetik dhe nisi me këtë luftën kundër Bashkimit Sovjetik. Peshën kryesore, me rreth 27 milionë të vdekur "u desh ta mbanin rusët".

Pas hapjes së Bllokut Lindor në vitin 1990, shumë evropiano-perëndimorë mësuan se popujt e Lindjes të liruar nga Perandoria sovjetike e shihnin veten jo vetëm si viktima të Hitlerit, por edhe si viktima të Stalinit: "Lufta nga këndvështrimi i shteteve fqinjë evropiano-lindore - aleatëve të sotëm dhe miqve të BE ka një fytyrë pak tjetër, nga ajo që kemi ne vetë para syve dhe që e transportojmë në librat tonë të shkollës," - shpjegon historiani Myler dhe shton se ky fakt ka pasoja në diskutimin e shifrave të viktimave, "... sepse në këta 27 milionë janë përfshirë edhe ata qytetarë, për shembull nga shtetet baltike, të cilët janë deportuar nga stalinizmi ose janë masakruar."

 

 

  Monumenti për çifutët e shfarosur, Berlin

 

 

Norman Dejvis përmend në librin e tij shumë shembuj krimesh lufte, shkaktarët e të cilëve mund të gjenden në të gjitha palët e luftës. Për të nuk ka një "ekuidistancë të së keqes", por shkelje të dyanshme kundër asaj, që mund të përmblidhet nën konceptin e humanizmit. Krahas holokaustit dhe dëbimit të shumë miliona vetëve, ndarja e Gjermanisë dhe copëtimi i kontinentit janë rezultati më i prekshëm i Luftës së Dytë Botërore. Për historianin Dejvis, përgjegjëse për këtë është politika e aleatëve perëndimorë gjatë luftës përballë Stalinit.

Rolf Diter Myler sheh në këtë tragjikën e mirëfilltë të pasluftës: "Duhet thënë qartë, se ishte Stalini që futi më 1939 këtë të menduar në sfera influence dhe e ruajti këtë përfytyrim të zonave të ndikimit, të cilën aleatët e pranuan që nga situata e luftës, që Stalini prenë që siguroi papritur më 1939/1940, në zonën e ndikimit të lënë atij nga Hitleri- këtë shtyrje të kufijve drejt Perëndimit, nënshtrimin e popujve të prekur- ta mbajë. Këtu konsiston tragjikja e polakëve dhe e shteteve baltike."

Edhe 70 vjet pas fillimit të saj Lufta e Dytë Botërore dhe para së gjithash pasojat e saj për Evropën ofrojnë shkas të mjaftueshëm për kujtesën vetjake, për të verifikuar dijet dhe për të zgjeruar këndvështrimin e të tjerëve. DW
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.