VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BBC E PROPOZON - JU KLIKONI PËR ERMONELA JAHON

E Shtunë, 01.26.2013, 08:48am (GMT1)




Londër - Revista britanike "BBC Music Magazine" ka bërë thirrjen: "Votoni për incizimet më të mira të muzikës klasike të vitit 2012". Në mesin e 21 nominimeve, është edhe DVD-ja e shfaqjes operistike "Il Trittico", në të cilin sopranoja shqiptare Ermonela Jaho ka portretizuar personazhin e Angelicas në pjesën "Sour Angelica".

Përveç kësaj kategorie, në garën e "BBC Music Magazine" përfshihen edhe nominimet për vokal, instrumental, orkestrim, vepër korale e kamertale. Nominimet janë propozuar nga një juri e kritikëve të revistës, të cilët kanë shqyrtuar 250 incizime të realizuara gjatë vitit 2012. "Sour Angelica, roli më sfidues, është realizuar në mënyrë gjeniale nga Ermonela Jaho", është përshkrimi që juria i ka bërë DVD-së "Il Trittico", e që është publikuar në ueb faqen e "BBC Music Magazine".

Si transmeton Ina, Ermonela Jaho gjatë karrierës së saj është ngjitur në teatro prestigjiozë, duke përfshirë "Metropolitan Opera" në New York, "Opera de Marseille", në Paris e shumë të tjera. Gjatë viteve të karrierës së saj ajo është mishëruar me role të shumta.
Ka veshur "petkun" e Anna Bolenas, Violettas, Maria Stuardas e shumë personazheve të tjera.

Në dhjetor të vitit 2011, ajo i ishte bashkuar Filarmonisë Opera e Kosovës në një koncert bamirës, të organizuar nga shoqata "Nënë Tereza" me seli në Gjermani. Në vitin që lamë pas, sopranoja Ermonela Jaho shkëlqeu edhe në operën "Manon", një opera prej 3 orë e 40 minuta, kënduar në gjuhën frënge.

Votimet për të zgjedhur incizimet më të mira të vitit do të pranohen deri më 23 shkurt. Linkun me thirrjen për të votuar në profilin e saj në rrjetin social "Facebook" e ka shpërndarë edhe Jaho.
Votimi mund të bëhet në www.classical-music.com.


Klikoni në
http://www.classical-music.com/awards/2013-vote



www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.