VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
'Një përgjigje shumë e thjeshtë' DEMOKRACIA NUK ËSHTË NJË BUNKER PREJ BETONI QË E NDAN UDHËHEQJEN POLITIKE NGA POPULLI Nga ALEKSANDËR ARVIZU E Enjte, 01.31.2013, 08:40am (GMT1)
Kur Sekretarja Klinton iu drejtua parlamentit, ajo iu bëri një kërkesë të qartë
zyrtarëve të zgjedhur në auditor që të sigurojnë që zgjedhjet e ardhshme të
jenë të lira dhe të ndershme, dhe të shihen si të tilla nga bota, në mënyrë që
populli shqiptar të ketë besim në rezultatet dhe në institucionet demoraktike,
dhe të besojë në drejtuesit e tyre. Demokracia nuk është një bunker betoni që
izolon udhëheqjen politike prej popullit. Përkundrazi, zyrtarët e zgjedhur kanë
detyrimin të shërbejnë në mënyrë të përgjegjshme dhe t'i përdorin postet e tyre
të pushtetit që të përfitojnë të gjithë qytetarët. Udhëheqësit duhet të fitojnë
besimin e njerëzve përmes një procesi transparent, të lirë dhe të ndershëm.
Gjithashtu, sjellja e partive politike ndikon drejtpërsëdrejti në besimin e
publikut tek zgjedhjet. Si miqtë më të palëkundur e më të qëndrueshëm të
Shqipërisë përgjatë viteve, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë dhe të
gjitha partive politike që të fokusohen në forcimin e besimit të publikut në
procesin zgjedhor dhe të besimit tek udhëheqësit e tyre.
Më lejoni të përmend një të vërtetë të thjeshtë e të dhimbshme: besimi publik
në procesin zgjedhor është i ulët. Për rrjedhojë, edhe yni është i ulët. Në një
demokraci të fortë, qeveria dhe partitë politike kanë përgjegjësinë quajeni
detyrim të fitojnë besimin e njerëzve. Ata mund ta bëjnë këtë duke
bashkëpunuar brenda institucioneve zgjedhore, duke shmangur në mënyrë të
vetëdijshme dredhitë politike dhe duke hequr dorë prej një gjuhe shkatërruese
dhe provokuese në takimet publike ose në literaturën partiake. Mesazhet që kërcënojnë
persona të tjerë ose nxisin dhunë të cilësdo formë vetëm sa do të gërryejnë
besimin se kandidatët dhe partitë janë të gatshëm të punojnë së bashku.
Legjitimiteti i cilësdo qeverie që do të dalë prej zgjedhjeve të ardhshme do të
varet nga mënyra se si do të sillen partitë gjatë muajve vijues.
Qeveria ka detyrimin solemn të veprojë në mënyrë llogaridhënëse, transparente
dhe të paanshme. Ky është një parim kyç i kritereve të Kopenhagës, i cili
përcakton nëse një vend kualifikohet për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Për më tepër, qeveria duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jopartiake në marrjen
e vendimeve institucionale. Partia qeverisëse ka përgjegjësinë të inkurajojë
besimin duke kërkuar në mënyrë aktive konsensus përmes kompromisit dhe dialogut.
Jo më pak e rëndësishme, opozita duhet të përkushtohet të marrë pjesë në mënyrë
konstruktive në proces, dhe të shmangë kërcënimet për bllokim ose bojkot.
Gjithësecili është përgjegjës për të bashkëpunuar tërësisht me agjencitë e
zbatimit të ligjit dhe të tjera, për të promovuar sigurinë dhe integritetin e
procesit zgjedhor. Kur mendoj mbi fjalimin e Sekretares Klinton, është një pasazh i veçantë që bie në sy. Ajo shpjegoi që njerëzit shpesh e pyesnin se si mundi të punojë me Presidentin Obama pasi kishin luftuar aq fort kundër njëri-tjetrit në fushatën për zgjedhjet presidenciale të 2008-ës. "Është një përgjigje shumë e thjeshtë," tha ajo, "të dy e duam vendin tonë." Dashuria për vendin do të thotë të vësh interesat kombëtare mbi interesat partiake. Do të thotë të bësh gjithçka që është e mundur për ta mbajtur politikën partiake jashtë institucioneve zgjedhore. Dashuria për vendin nënkupton të votuarit lirisht dhe me përgjegjësi. Dashuria për vendin përcillet përmes veprimeve, jo fjalëve, me sytë drejt 100 viteve të ardhshëm të ndërtimit të vendit. Ndërsa 23 qershori po afrohet, iu bëj thirrje shqiptarëve që të nisin një kapitull të ri me këto zgjedhje, të lënë mënjanë interesat vetjake dhe partiake, të këmbëngulin për llogaridhënien e klasës politike. Më shumë se çdo gjë, ju bëj apel që të pranoni përgjegjësinë vetjake që ta bëni këtë të mundur. Pasi vetëm shqiptarët që vënë përpara interesat e Shqipërisë mund ta ndërtojnë shoqërinë e drejtë, demokratike, që do t'i bëjnë brezat e tashëm dhe të ardhshëm shqiptarë ta përligjin krenarinë e tyre. Dhe vetëm këta mund ta bëjnë Shqipërinë vendin që ju doni. ALEKSANDËR ARVIZU
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |