VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ROZI DOSTI - HASAN DOSTI NË AMERIKË NDIQEJ NGA SIGURIMI KOMUNIST I ENVER HOXHËS
Nga FATOS VELIU

E Premte, 02.01.2013, 09:43am (GMT1)




Zonja Rozi, në fund të intervistës së kaluar folëm për situatën që i krijohej vjehrrit tuaj Hasan Dosti kur mendonte kthimin në atdhe apo faktin që aty jetonin fëmijët e tij, për të cilët nuk kishte asnjë lloj informacioni. Pra ju thatë se ai i kishte humbur shpresat për një kthim të shpejtë në vendin e tij?
Ju shpjegova se ne asnjëherë nuk mendonim se Shqipëria do të ishte e lirë në atë kohë. Por këtë të ardhme ai e lidhte vetëm me luftën e madhe dhe të mundimshme. Dhe vërtet fati i madh i jetës i rezervoi atij një fund shumë të bekuar, pasi arriti të jetonte dhe të shikonte atë për të cilën kishte ëndërruar dhe luftuar një jetë të tërë, duke sakrifikuar deri dhe familjen. Ai arriti të jetonte deri në lirinë e atdheut të tij, që nuk e hoqi nga goja dhe mendja në asnjë çast të jetës. Arriti të jetonte atë çast të papërsëritshëm kur nga Tirana i ra zilja e telefonit të shtëpisë në një mesnatë të papritur të '90-ës, për t'i dhënë lajmin e ekzaltues se në Shqipëri kishte rënë komunizmi barbar. Ndërsa në lidhje me problemin e fëmijve që jetonin në Shqipëri dhe që nuk ksihet as një iformacion prej tyre unë jua shpjegova me një përgjigje që ai iu përgjigj një herë disa miqve të vet të cilët i thanë: - Si ka mundësi që je në mërgim dhe familjen e ke lënë në Shqipëri. Ai iu përgjigj: - Unë nuk kam vetëm shtatë fëmijë, por aq sa është gjithë popullsia e Shqipërisë. Ai i shikonte gjërat në një mënyrë shumë historike dhe filozofike, ndaj arriti të bënte sakrificën më të madhe njerëzore që të mund të jetonte përjetësisht larg fëmijëve.
Se cili është ai që do të donte ta linte pas karrierën, punën dhe familjen?

A ka pasur Hasan Dosti probleme nga njerëzit e Enver Hoxhës, meqë ishte shumë aktiv për përmbysjen e regjimit?
Këto kanë qenë të shpeshta, aq sa ishin bërë si normale si të themi. Mbaj mend mirë që shpesh kur kthehej në shtëpi, fliste për këto lloj presionesh apo kërcënimesh nga njerëz të ndryshëm që e takonin posaçërisht, por që pas përfundimit të bisedës, nuk të linin kurrfarë dyshimi se ishin të Sigurimit komunist të Tiranës.

Si shprehej konkretisht?
Mbaj mend se ai thoshte se 'më kanë bërë presion. Më kanë takuar, më kanë kërcënuar për fëmijët e mi dhe për gjithçka tjetër'. Por e vërteta është se ai rezistonte me kurajë përballë këtyre presioneve, të cilat duhet theksuar se ishin shumë serioze, aq sa preknin dhe rrezikonin jetën e fëmijëve të tij, që kishte në Shqipëri, pasi ai ishte një person që besonte tek ajo për të cilën luftonte, pra besonte fort për një Shqipëri të lirë.

Çfarë mbani mend ndonjë gjë më konkrete në lidhje me këtë çështje?
Zoti Dosti i shikonte gjërat në këndvështrim historik. Ai e kuptonte shumë mirë se çfarë po ndodhte rreth tij, për shkak të veprimtarisë politike që ishte angazhuar dhe sigurisht e merrte si një fakt jetësor në atë kohë atë që i ndodhte në lidhje me kërcënimet e paskrupullta dhe normal që ishte i shqetësuar vazhdimisht për fëmijët e tij.

Ishte brenga e tij e madhe jetesa larg fëmijëve, të cilët nuk mundi t'i shikonte kurrë?
Brenga për fëmijët te Hasan Dosti ishte e madhe dhe ai jetonte çdo çast me mendimin tek ata. Ne ua festonim çdo vit ditëlindjen të shtatë fëmijëve të zotit Dosti gjatë gjithë jetës së tij. Çdo vit në ditën që një fëmijë i tij sigurisht i ndodhur në Shqipëri, kishte ditëlindjen veç përgatitjes që bënim për t'ia festuar me seriozitet dhe dashuri, Zoti Dosti sillte në shtëpi nga një libër dedikuar me autograf fëmijës që kishte ditëlindjen. Por dalëngadalë me kalimin e viteve, festat e ditëlindjeve filluan të bëheshin mjaft të vështira, sepse malli bëhej shumë më i papërballueshëm dhe ai vetëm qante dhe ishte shumë e vështirë ta shihje në atë moment.


A kishte dijeni, apo informacione të largëta mbi gjendjen e fëmijëve në Shqipëri?
Jo, nuk dinte shumë. Ka pasur raste informacionesh shumë të shkëputura kur i thonin se ia kishin parë fëmijët diku, por asgjë me saktësi. Si të mos mjaftonte ky mall dhe kjo gjendje e vështirë mbinjerëzore, vijonin dhe kërcënimet e Tiranës për të rrezikuar fëmijët. Kështu do të përmendja për shembull një rast që atij i dërguan një letër, por nuk e di se kush ia dërgoi, që mesa kuptohet ishin njerëzit e sigurimit komunist.

Çfarë shkruhej në të?
Kërcënim për t'u larguar nga politika se në të kundërt do t'i dëmtonin fëmijët në Shqipëri. Konkretisht i shkruhej: "Mos merr më pjesë në politikë. Largohu ose përndryshe do të t'i lëndojmë fëmijët!"

Doja të dija zonja Rozi, nëse shprehej për Enver Hoxhën në veprimtarinë apo bisedat e përditshme Hasan Dosti? Çfarë thoshte konkretisht për Enver Hoxhën?
Nuk është se merrej shumë me emrin e tij. Kur binte fjala, ai shprehej për komunizmin në Shqipëri. Ndërsa në lidhje me personin e Hoxhës kur e sillte tema e bisedës, ai thoshte se ka qenë student në Paris dhe se ishte i zgjuar.

Po si lider komunist? Si e shihte në këtë pikë?
Nuk mbaj mend asgjë tjetër të ketë thënë për Enver Hoxhën.

Si e përjetoi Hasan Dosti vdekjen e Enver Hoxhës? A kishte besim se do të ndryshonte diçka pas kësaj?
Në atë kohë asnjë nga ne nuk besonte se Shqipëria do të ishte e lirë. Nuk e mbaj mend momentin kur mori vesh që Enver Hoxha vdiq. Megjithatë di mirë se edhe pas vdekjes së Hoxhës, ai prapë nuk kishte besim se Shqipëria do të ishte e lirë, pasi Enver Hoxha la pasardhësin tjetër.

Çfarë moshe kishte zoti Dosti kur u përmbys komunizmi?
Ka qenë plot 96 vjeç.

Do të doja të dilja për një moment deçiziv të jetës së Hasan Dostit, që ka të bëjë pikërisht me momentin e rrëzimit të komunizmit dhe kontakti që bëri me fëmijët e tij. Pra, flasim për një moment emocional të krijuar pas 50 vjetësh. Si u përjetua?
Zoti Dosti pati fatin të jetojë deri në vitin 1991, kur u rrëzua komunizmi, ku do të ishte një mesnatë e çuditshme, kur ai njëkohësisht do të merrte lajmin e madh të lirisë së vendit të tij dhe do të lidhej me fëmijët prej të cilëve kishte humbur çdo shpresë.
(Vijon)


FATOS VELIU


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.